Nga XHEVAT MUSTAFA

Gjykoj se tani për tani nukduhet të kundërshtohen kategorikisht dhe të pengohen masivisht angazhimi dhe përpjekjet e qeverisë. “Rama”, kryesisht të kryeministrit, për të vendosur “shtet ligjor” në Shqipëri. Nisur rreth 102 vjet më parë, kjo ka qenë dhe është ëndërr e dëshirë e madhe e të gjithë brezave dhe e shumicës së personaliteteve të tyre intelektuale. Edhe në kohën e tanishme, duke filluar nga shembja e komunizmit dhe kalimi në pluralizëm dhe demokraci, shumica dërmuese e qytetarëve dhe e klasës politike dëshirojnë dhe mbështesin krijimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Arsyet janë krejt të qarta. Ata e vlerësojnë si pengesën dhe mungesën më të madhe, që ka përcaktuar vendosjen e një demokracie të gjymtuar apo të pjesshme, që mund të pranohet si e plotë vetëm në tekstin e Kushtetutës. Prej këtij modeli alla shqiptar demokracie kemi “peshqeshe” një klasë politike mbushur me njerëz plot papërgjegjshmëri e me pak shqiptari e humanizëm; qeveri me plot ministra e drejtues të tjerë të lartë, që kanë menduar dhe punuar, deri sot e kësaj dite, më së shumti për milionarizimin sa më të shpejtë e me çdo rrugë e mënyrë të tyre, të familjarëve, miqve apo ortakëve të tyre, korrupsionin masiv, gjerështrirës dhe të plotpushtetshëm; kriminalitetin dhe informalitetin në nivelin ndër më të lartë në rajon e më gjerë… Vetëkuptohet se te kjo e keqe duhet të kërkojmë edhe mbetjen, pas rreth 23 vjet demokraci e me një nëntokë ndër më të pasurat në botë, si një ndër vendet më të varfra në Evropë, me nivel shumë të ulët pagash, pensionesh, pagese sociale, mirëqenieje, me një polarizim social ekstrem… Është tejet tronditës, alarmant, apelues dhe depresues fakti se në këtë vend masivisht të varfër, brenda rreth 23 vjetëve jetojnë e bëjnë biznese të mëdha e shumë fitimprurëse dhe kanë pasuri marramendëse nëpër banka e në formën e pronave të patundshme qindra multimilionerë në dollarë dhe euro. Përgjithësisht këta janë pasuruar brenda një kohe shumë të shkurtër, edhe brenda një mandati si deputet, ministër, kryeministër apo si familjar, mik, klient apo ortak i këtyre, duke dhënë shkas e mundësi të flitet në vend e në botë për “çudira shqiptare”. Kuptohet se këto e të tjera janë fryte të modelit ekonomiko-financiar tejet liberal e të favorshëm për bosët e bizneseve të mëdha e tejet të pamëshirshëm ndaj shumicës së popullit. Ky model që u zbatua në vendin tonë mund të identifikohet si modeli Berisha&Nano. Nëse guxohet të kërkohen arsyet përse Shqipëria e tanishme mund të cilësohet edhe shtet pa shtet, ku ligjin e kanë bërë dhe e bëjnë ish-sigurimsat, të korruptuarit, trafikantët, diploma-blerësit, politikanë dhe zyrtarë që shiten e blihen, që bëjnë biznese fitimprurëse edhe me jetë qytetarësh dhe me interesat kombëtare, ka shumë të ngjarë të dalë se gjithçka nuk është rrjedhojë e gabimeve të rastësishme e të pashmangshme, thjeshtë nga mungesa e përvojës qeverisëse në demokraci dhe në ekonominë e tregut të lirë apo në kapitalizëm. Shprehur më qartë, nuk mund të përjashtohet edhe pista e një skenari, i cili nga frytet apo faktet duket se i ka shërbyer më shumë Beogradit dhe Athinës se sa Tiranës dhe Prishtinës. Mund të mendohet si pjesë e këtij skenari edhe lënia e Shqipërisë pa shtet ligjor të fortë, të vërtetë e transparent, sipas modeleve të SHBA-ve, Kanadasë, Zvicrës, Austrisë, Gjermanisë, Danimarkës, Suedisë, Holandës, Belgjikës…, por me një gjasme shtet e gjasme demokraci sipas interesave personale, familjare, klanore, klienteliste apo ortakërore të klasës politike dhe qeverisëse. Nëse kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij janë me zemër dhe bindje për shtet ligjor shqiptar, sipas standardeve më të përparuara, meritojnë jo vetëm lavdërime, por edhe mbështetje mbarë qytetare. Por, nga veprime dhe mosveprime të tyre të deri tanishme, lihet shumë hapësirë e mundësi të kuptohet se ata po e kërkojnë shtetin ligjor, sipas vizionit, konceptit apo modelit të tyre, vetëm nga njëra palë apo anë. Shprehur më qartë, Rama me shokë e shoqe po e kërkojnë shtetin ligjor më së shumti apo kryesisht nga qytetarët, nga poshtë e jo nga lart, nga vetvetja, nga bashkëpunëtorët apo miqtë e tyre ministra, deputetë, drejtorë të përgjithshëm, prefektë, kryetarë bashkish, bosë biznesesh të mëdha. Poshtë, te shtëpitë dhe bizneset e vogla të qytetarëve qeveria, nëpërmjet “të gjitha strukturave të shtetit”, INUK-t, policisë, prangave dhe burgjeve po bën gjëma tsunamike. Ndërsa lart dora e saj ndjehet krejt ndryshe, e pambuktë, inkurajuese apo përkëdhelëse. Këtë vërejtje e bëri me dashamirësi të sinqertë, duke folur në gjuhën shqipe, edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Rauning, më 10 dhjetor. As rasti i procesit gjyqësor ndaj kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, edhe pse në nivelin e mesëm të piramidës qeverisëse, nuk mund t’i shërbejë qeverisë “Rama” si argument për t’u justifikuar disi se po i godet të korruptuarit kudo ku gjenden, pra poshtë, në mes, pak më lart dhe lart fare. Ata nuk mund as të justifikohen plotësisht e sinqerisht se luftën e tyre kundër korrupsionit dhe për shtet modern ligjor e sabotojnë apo pengojnë vetëm gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar si dhe deklaratat e liderëve dhe politikanëve të opozitës. Në të vërtetë, nëse ekzistojnë dëshira, vullneti dhe vendosmëria, nuk është e vështirë për t’i identifikuar të korruptuarit dhe të inkriminuarit në majën e piramidave politike, qeverisëse dhe të biznesit. Gjurmët e tyre të vjetra e të freskëta kanë shtrirje të gjerë e gjenden lehtësisht. Natyrisht, jo vetëm te “kundërshtarët”, por edhe te “tanët”, bashkëpunëtorët, ortakët, shokët, miqtë, familjarët… Shprehur në mënyrë figurative, “ujqërit” bëjnë kërdinë dhe ulërijnë, edhe në qendrat e qyteteve kryesore të Shqipërisë e brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, biles edhe në Kuvend e në zyra të rëndësishme shtetërore e qeveritare, qeveria as i sheh dhe as i dëgjon?! Një shtet modern ligjor është veprues, kërkues e ndëshkues edhe në fushën e ekonomisë, tregtisë, të çmimeve, të cilësisë, etj. Në një shtet të tillë nuk çohet ndërmend dhe jo më të lejohet që bosët e bizneseve të mëdha t’i rrisin çmimet sa dhe kur të duan apo të bëjnë sikur i ulin, për të pasur një normë sa më të lartë fitimi, biles edhe në ditët e pragfestave të fundvitit, dukuri që është bërë traditë në vendin tonë gjatë rreth 23 viteve të demokracisë. Është mjaft domethënës, tronditës dhe revoltues fakti se aktualisht në vendin tonë çmimet e artikujve kryesorë të konsumit të përditshëm apo të “shportës”, edhe pse një pjesë e mirë në cilësi të ulët e të dyshimtë, janë mesatarisht rreth 30% më të larta se në Gjermani, që për vitin 2013-2014 është vlerësuar si vendi i parë në botë ku jetohet më mirë. Duket e shprehet se qeveria “Rama”, gjatë aksioneve të INUK-ut për prishjen e ndërtimeve të shpallura të paligjshme dhe të OSHEE-së për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme e për vjedhjen e energjisë elektrike, krahas mesazhit pozitiv se ka ardhur koha të kuptohet se nuk mund të vazhdohet me shtet ku ndërtohet ku të duash dhe vidhet si në mall pa zot, jep edhe mesazhin vetëkomprometues se goditjet nuk janë me të vërtetë gjithëpërfshirëse, duke u mos u prekur plot nga ata që shihen dhe trajtohen si të nënës. Meritojnë mbështetje goditjet ligjore ndaj qindra biznesmenëve dhe zyrtarëve lokalë, që kanë abuzuar me vite me energjinë elektrike. Ndërsa kur vjen puna tek ata familjarë që janë me të vërtetë të varfër e nuk kanë fuqi dhe mundësi paguese, që mbijetojnë 4-6 frymë me 3000-6500 lekë në muaj si pagesë sociale, me një pension apo pagë rreth 15.000 lekë, gjykoj se kërkohet më parë të komunikohet me ta dhe të shihen mundësitë se si mund të mbështeten në kuadrin e politikës sociale, që ta ndjejnë vetë si detyrë mujore pagesën e energjisë elektrike e të ujit. Lidhur me këtë kontingjent masiv qytetarësh dhe me ushtrinë mbi gjysmëmilionëshe të të papunëve duhet kujtuar se shteti i vërtetë ligjor nënkupton edhe të drejtën e qeverive e të shtetit për t’u siguruar qytetarëve mjeranë edhe një vend pune ose në pamundësi të kësaj, një pagesë mujore që t’u mundësojë një jetesë normale, kuptohet, në limitet statistikore dhe reale të varfërisë shqiptare. Qytetarët në vendet me standard të lartë jetese si në Zvicër, Austri, Gjermani, Danimarkë, Suedi, Norvegji, Francë, SHBA, Kanada, Australi, Zelandën e Re, Japoni, etj., përgjithësisht as e çojnë ndërmend që të mos i paguajnë faturat e tyre për energji elektrike, ujë, ngrohje. Kjo ndodh jo nga frika e kamatave dhe e ndëshkimeve, por nga që shtetet dhe qeveritë e tyre, me pagat, pensionet dhe pagesën e mbështetjes sociale në nivelet deri në rreth 10-20 herë më të larta se në vendin tonë, u kanë dhënë mundësitë financiare ta ndjejnë ndërgjegjshmërish si detyrë e jo si shqetësim për rregullsinë e shtimit të depozitave të tyre bankare e të pushimeve verore apo në fund të vitit. Gjithashtu, me veprime dhe mosveprime të qeverisë lihet të kuptohet dhe po shprehet se ajo po tregohet e shpejtë vetëm ndaj qytetarëve, duke u kërkuar me masa represive dhe të dhunshme rivendosjen e ligjit dhe respektimin e plotë të të gjitha ligjeve të shtetit, brenda një kohe sa më të shkurtër. Ndërsa për veten u kërkon qytetarëve kohë, mirëkuptim, durim dhe mbështetje, duke u justifikuar se 14-15 muaj janë fare pak. Natyrisht, as në vendet që njihen si modelet më të mira, edhe pse me qytetarë të edukuar brez pas brezi me dashuri e respekt për shtetin e tyre dhe ligjet e tij, shteti modern ligjor nuk është arritur pa ligje të forta dhe pa veprime dhe ndëshkime të rrepta, por gjithnjë duke respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut. Natyrisht, as për 1 apo 4 vjet. Edhe në Shqipëri, fatkeqësisht, ato që nuk janë realizuar për 102 vjet shtet të pavarur dhe për rreth 23 vjet në demokraci, nuk mund të kryhen brenda 16 apo edhe 48 muajve. Përbetimet e kryeministrit Rama dhe të ekipit të tij ministror për dëshirën dhe vullnetin e tyre për shtet të vërtetë ligjor humbin jo pak në besueshmëri, kur shoqërohen edhe me portretet e diktatorit Enver Hoxha dhe me kujdesin që në të gjitha fjalimet në ceremonitë në kuadër të 28-29 Nëntorit të mos përmendet ai, qoftë edhe një herë me emër dhe mbiemër, duke u mjaftuar vetëm më emërtimin “diktatura” si dhe për t’u dhënë dekorata disa ish-byroistëve dhe disa ish-ministrave të saj. Edhe përpjekjet, herë të suksesshme e herë të bllokuara nga Gjykata Kushtetuese, për t’i hequr Presidentit të Republikës disa kompetenca të njohura kushtetuese e për t’i marrë ato kryeministri, si dhe formalizimi i strukturave të larta partiake, deri në mosmbledhjen e tyre, qoftë edhe formale, në afatet statuore, japin arsye të mendosh me frikë se ka më shumë gjasa të vazhdojë një qeverisje autoritariste e jo kolegjiale, sipas kërkesave të një shteti modern ligjor. Strategjia apo metodologjia që po zbaton qeveria “Rama” për modelin e saj të shtetit ligjor të kujton edhe atë që u zbatua gjatë afro gjysmë shekulli të regjimit enverian. Edhe atëherë populli, kuptohet nga frika e jo nga bindja dhe dëshira, i zbatonte ligjet e diktaturës. Në të vërtetë, ata që i nëpërkëmbnin dhe i shpërdoronin ligjet e “pushtetit popullor”, liritë dhe të drejtat e njeriut, duke kryer me ndërgjegje dhe sistematikisht plot krime makabre e monstruoze, ishin Enver Hoxha me shokë e shoqe. Nëse, largqoftë, qeveritarët e tanishëm kanë ndërmend një lloj të tillë shteti ligjor, të ngjashëm edhe me ato të Rusisë së Putinit dhe të Turqisë së Erdoganit, i cili, listën tejet të gjatë të nëpërkëmbjes së dhunshme të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut e për sulltanizimin e tij, e shtoi edhe me aktin e 14 dhjetorit kundër gazetës së mirënjohur “Zaman” dhe një televizioni opozitar, duhet t’i lutemi Zotit në qiell që t’i pengojë dhe të mos i lejojë. Fatkeqësisht, tani për tani deklaratat me kritika e paralajmërime në “Facebook” të liderëve të opozitës dhe mesazhet që vijnë nga Brukseli, i bëjnë më shumë të gajasen se sa të reflektojnë.
(o.d/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb