Emisioni “Në shënjestër” me gazetaren Klodiana Lala ka nisur sot sezonin e ri.
Tema që trajtohet është zhdukja e Ervis Martinaj, pas publikimit të një videoje ekskluzive të Martinaj i cili del nga një hotel në Durrës vetëm pesë ditë para zhdukjes së tij, më 5 gusht.
Analisti Arion Sulo, ka deklaruar se jetojmë në kohë jo normale, përderisa është e mundur që gazetarët të shkojnë tek kriminelët e kërkuar, ndërsa shteti dhe institucionet nuk munden.
Ai shtoi se është e turpshme që Martinaj shoqërohej dhe mbrohej nga një efektiv operacional elitë që në fakt ka për detyrë kapjen e personave në kërkim, siç ishte edhe Martinaj.
“Situatë turpëruese për shtetin dhe institucionet e zbatimit të ligjit, rendit e prokurorisë. Po jetojmë në një kohë absurdi kur gazetarët shkojnë më shpesh tek kriminelët e kërkuar se vetë institucionet. Ndjehem i zhgënjyer dhe pothuaj i turpëruar për nivelin e institucioneve tona. Sata është pesë gusht, Martinaj është i kërkuar por futet në një hotel edhe pse është i kërkuar nga Krimet e Rënda, për komplot vrasjeje ndaj rivalëve. Policia e prokuroria e shteti se gjen dot, e gjen gazetarja, familjarët në kontakt, vetëm institucionet nuk e e gjejnë. Turpërimi është që shoqërohet nga një efektiv i policisë operacionale.
Nuk është ky rasti i parë.
Është shumë e tmerrshme, sepse atë uniformat blu janë duke e ruajtur, truproja e shoferi është një polic në dijeni të lëvizjeve të policisë, duhej ta kapte por ishte në shërbim të tij, ndaj Martinaj dilte në mes të Durrësit i shkujdesur. Shteti është vënë në shërbim të kriminelëve”, tha ai.
(BalkanWeb)