Pas pothuajse-fitores në zgjedhje përpara Albin Kurtit hapen disa shtigje të mundshme:

Albini mund të tentojë të kthejë në realitet ligjërimin dhe prirjet e veta ideologjike, sidomos pjesën më populiste e radikale të tyre që lidhet me substraktin marksist. Në këtë rast dështimin e ardhshëm do t’ia faturojë partnerëve të koalicionit dhe/ose pengesave të faktorit të jashtëm (Serbia e ndërkombëtarët). I aftë, siç është, në demagogji dhe retorikë, me shumë gjasa do të arrijë të bindë një pjesë të mbështetësve të vet se dështimi ekonomik do të kthehet në sukses nëse i jepet edhe më tepër kohë. Mund të ndodhë, gjithashtu, që të përdorë të njëjtin argument si Rama: nevojën për mbajtjen e timonit të qeverisjes i vetëm pa nevojën e aleatëve të sforcuar, të cilët nuk ka reshtur së akuzuari gjithë këto vite. Në skaj të këtij skenari është mundësia e ndërtimit të një regjimi autoritar: një prirje e natyrshme e qeverisjeve të ekstremit të majtë. Kujtoni Venezuelën. Kujtoni, gjithashtu, mosrespektin dhe konfrontimin e vazhdueshëm të Albinit me ligjin dhe institucionet publike.

Albini mund të tregohet ndoshta pragmatist, njësoj kolegu i tij po aq radikal i majtë grek, Ciprasi, pas marrjes së pushtetit. Në këtë rast shpresa është që Albini të kuptojë që ekonomia nuk funksionon me dëshira, por me ligjet e saj që shkojnë në kah të kundërt me politikat e së majtës populiste e radikale. Historia njeh edhe kthesa të tilla. Rasti i presidentit francez Miteran është ai më i njohuri. Sapo merr pushtetin zgjeron e zmadhon politikat e “mirëqenies” sipas parimeve të dashura të së majtës. Pas 6 muajsh, Miterani zbulon se arka e shtetit është bosh dhe Franca jeton shumë përtej mundësive të veta ekonomike. Prej atij momenti nis kthesa e njohur që le mënjanë në një pjesë të konsiderueshme parimet e majta dhe fokusohet te një klimë më e përshtatshme për sipërmarrjen. Vështirë të thuhet nëse Albini ka më të rëndësishëm parimet e veta të majta apo zhvillimin e ekonomisë së vendit. Deri më sot, duket se ai sinqerisht mendon se ndërtimi dhe fuqizimi i shtetit social do të zhvillonte edhe ekonominë: një bëmë e parealizuar ende në këtë planet. Në të kundërt, nëse ia del të zhvillojë politika inkurajuese për sipërmarrjen, atëherë ai rrezikon të tjetërsojë pjesën marksiste të mbështetësve të tij. Në këtë rast vetë baza e tij zgjedhore do të ndryshonte. Që kjo është e mundur e tregon edhe mbështetja që ka marrë këto kohë nga individë që nuk kanë lidhje me të majtën radikale. Në këtë skenar Vetëvendosja mund të shndërrohet në një parti të qendrës.

Suksesi i Albinit flet shumë për gjendjen e shqiptarëve, në Kosovë dhe në Shqipëri. Albini është me shumë gjasa lideri më i respektuar. Ajo që të bën përshtypje se është se ai respektohet ndërkohë që nuk është provuar kurrë në qeverisje. Në kushtet kur shqiptarët nuk janë në gjendje të analizojnë problematikat politike e sidomos ekonomike, është e kuptueshme se një lider me teza populiste ka më shumë mundësi për t’u veçuar. Mbi të gjitha, paradoksalisht ajo që e bën më të besueshëm, është pikërisht fakti se nuk është provuar kurrë në qeverisje. Pas zhgënjimeve të rënda politike, shqiptarët janë në pikën kur dikush u duket tërheqës vetëm duke mos bërë pjesë në listën e zhgënjimeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb