NGA RASHELA SHEHU

TIRANE- Vëmendja dhe kujdesi i veçantë ndaj nxënësve me aftësi ndryshe, kërkon asistencë nga mësuesit ndihmës. Në klasën e parë të shkollës “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë, mësuesja kujdestare Luljeta Kraja tregon për “News24” se e vetme dhe përballë një klase me numër të lartë nxënësish, e ka të pamundur të merret në veçanti me Marlenin e vogël. Ndaj prania e mësueses ndihmëse është një domosdoshmëri.

Në shkollën “Lidhja e Prizrenit” janë 10 nxënës me aftësi ndryshe. Mësuesja ndihmëse Juna Ferra shprehet se me ta behet një punë e kujdesshme për të mundësuar përparimin e tyre.

Në ndihmë të mësuesve kujdestarë, prej janarit të këtij viti në shkollat e Tiranës asistojnë edhe 50 mësues ndihmës. Drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Tiranë, Arjola Byzyka, shprehet se numri i mësuesve ndihmës do të lëvizë në varësi të numrit të rasteve.

Numri i mësuesve ndihmës që asistojnë në shkollat e Tiranës ka arritur në 70. Ndërkohë që ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, njoftoi në nëntor të vitit të kaluar se për 2018 do të trajnohen edhe 300 mësues ndihmës për të gjithë Shqipërinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb