Komisioni i Ekonomisë ka miratuar me shumicë votash projektbuxhetin e 2016-ës. Gjashtë institucione, si Kuvendi, KLSH-ja, Gjykata Kushtetuese, KQZ-ja etj. kanë përfituar rritje fondesh. Ndërkohë reduktohen shpenzimet buxhetore 1%. Në projektbuxhetin e 2016-ës, qeveria ka ulur ndjeshëm fondet për arsimin dhe infrastrukturën, ndërkohë që për vetë administratën kryeministrore është treguar bujare.

Kështu, sipas tabelave të shpenzimeve për vitin e ardhshëm, qeveria ka shtuar shpenzimet për aparatin kryeministror me mbi 3.1 miliardë lekë, nga 715 milionë lekë të buxhetit të rishikuar të këtij viti. Prioritet për 2016-ën i jepet Ministrisë së Bujqësisë, me një rritje të fondeve me 24% ose 5,2 miliardë lekë, krahasuar me këtë vit. Këto fonde do të synojnë zgjerimin e skemave mbështetëse për fermerët, për përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit dhe formalizimin e sektorit të peshkimit.

Edhe ministria e Ahmetajt do të ketë në buxhetin e saj 42% më shumë fonde, kjo nisur edhe nga shtimi i numrit të strukturave pranë Ministrisë së Ekonomisë. Mbi 50% janë rritur fondet edhe për Ministrinë e Mjedisit, 19% për atë të Kulturës dhe 20% për Ministrinë e Drejtësisë.

SHKURTIMET
Vitin e ardhshëm do të shërbejnë në administratën publike 7.200 persona më pak. Nga 88.550 punonjës që ishin këtë vit, vitin tjetër do të kenë kontratë me shtetin 81.350 punonjës dhe sektori që preket më shumë nga këto shkurtime do të jetë arsimi. Sipas tabelës që shoqëron projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, mësohet se institucioni që do të pësojë reduktimin më të madh të numrit të punonjësve është sektori i arsimit. Qeveria ka në plan të mbajë këtë vit 31.186 punonjës nën varësinë e Ministrisë së Arsimit dhe e Sportit, nga 38.291 punonjës që ka aktualisht.

Sipas së njëjtës tabelë, mësohet se Ministria e Brendshme do të ketë vitin e ardhshëm rreth 500 punonjës më pak sesa këtë vit, ndërsa numri i punonjësve të Kryeministrisë do të dyfishohet, nga 227 aktualisht në 530 vetë vitin e ardhshëm.

“Për vitin 2016 reforma e administratës publike do të fokusohet në rritjen e vazhdueshme të efiçencës dhe performancës së administratës qendrore, e cila do të arrihet nëpërmjet ristrukturimeve të institucioneve ekzistuese. Numri i punonjësve për vitin 2016 arrin në 81.350 punonjës, duke reflektuar transferimin e disa funksioneve nga qeverisja qendrore në atë vendore”, thuhet në relacion.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb