Pesë demokratë të tjerë të Dhomës së Përfaqësuesve, iu bashkuan të premten, numrit në rritje të ligjvënësve të Kongresit, të cilët i kanë bërë thirrje Presidentit Biden të largohet nga zgjedhjet e 2024-ës.
Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesit Jared Huffman, D-Calif, Marc Veasey, D-Texas, Chuy Garcia, D-Illinois dhe Marc Pocan, D-Wisc, i kërkuan Biden-it që t’i “kalojë stafetën një brezi të ri të demokratëve”.
“Zoti President, me një admirim të madh për ju personalisht, me respekt të sinqertë për shërbimin tuaj publik dhe udhëheqje patriotike për dekada, dhe vlerësim të thellë për gjithçka që kemi arritur së bashku gjatë presidencës suaj, tani është koha që ju t’ia kaloni stafetën një brezit të ri të liderëve demokratë”, shkruajnë ligjvënësit.
Më herët ishin 28 demokratë të Kongresit që i kanë bërë thirrje Biden të tërhiqet. Në total Bide-it po i kërkojnë të largohet nga gara më shumë se 10% e demokratëve të zgjedhur në Kongres.
Në prapaskenë, gjithnjë e më shumë zyrtarë të partisë Demokratike, donatorë kryesorë dhe aleatë kryesorë të Biden thuhet se po i kërkojnë presidentit të rishqyrtojë vendimin e tij për të qëndruar në garë.
Nëse Biden largohet përpara konventës së Komitetit Kombëtar Demokratik në gusht, zv.Presidentja Kamala Harris pranohet se është në pozitën më të mirë për të marrë nominimin e partisë – megjithëse disa demokratë kanë frikë se ajo gjithashtu do të humbiste ndaj Trumpit dhe preferojnë që një kandidat i palidhur me administratën aktuale të emërohet në një konventë të hapur.
Biden nuk ka bërë asnjë deklaratë publike se ai synon të tërhiqet dhe fushata e tij ka mohuar me forcë të gjitha sugjerimet për të kundërtën.