TIRANË

Policitë e tre rretheve kanë vepruar së bashku për të goditur një grup të shpërndarësve të drogës. Pesë të arrestuar, 3 nga Kruja dhe 2 nga Tirana janë arrestuar në kuadër të një operacioni mes Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, DVP Durrës, Komisariatit të Policisë Krujë, DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit gjyqësor Krujë.

Në pamjet e siguruara nga Policia e Shtetit, shfaqen momentet e arrestimit të disa prej tyre. Njëri është i shtrirë në mes të rrugës, me duart e kryqëzuara pas.

Kruje Operacioni
Kruje Operacioni

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, pas një hetimi proaktiv disa mujor me metoda speciale të hetimit nga Komisariati i Policisë Krujë në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, u finalizua operacioni policor ku si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. B., 20 vjeç, banues në Kameras, Fushë Krujë; Xh. Xh., 24 vjeç, banues ne Tiranë; A. T., 19 vjeç, banues në Larushk, Fushë Krujë; E. Q., 25 vjeç , banues ne Tiranë; E. Z., 39 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Shërbimet e policisë kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të këtyre shtetaseve, të cilët ishin duke shkëmbyer një sasi lënde narkotike të dyshuar si Cannabis Sativa, të ndarë në doza të vogla, gati për shitje.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të ushtruar nga këta shtetas, si dhe për evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Policia thotë se për arsye se operacioni është në vijim nuk bën me dije të dhëna të tjera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb