TIRANE– Është shtyrë procesi gjyqësor ndaj ish deputeti socialist Alfred Peza, pasi mungonin avokatët e tij mbrojtës dhe vetë ish deputeti. Gjykata ka caktuar avokat kryesisht që të mos pengohej procesi, ndërsa seanca e radhës pritet të zhvillohet më 25 shtator.

Prokuroria kërkon që dosja të kalojë në Gjykatën e Tiranës për gjykim, pasi Alfred Peza nuk është më deputet. Gjykata e Lartë nuk merr dot vendim pa prezencën e të pandehurit ose avokatit.

Ish- deputeti Peza hetohet në bazë të ligjit antimafia, për të paktën tre vepra penale, “Fshehje e të ardhurave”, “Pastrimi të produkteve të veprës penale” dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.

HETIMI I PROKURORISE
Gjykata për Krime të Rënda më 18 prill vendosi sekuestro preventive ndaj aksioneve të një banke të nivelit të dytë në vend, të bashkëshortes së deputetit Peza. Vendimi erdhi si pasojë e hetimeve që nisën ndaj deputetit socialist dhe bashkëshortes së tij Mirela Ndini, pas publikimit në media se në mars të vitit 2015 zonja Ndini kishte blerës 1 përqind të aksioneve të bankes me një vlerë prej 113 milion lekë. Sipas prokurorisë, “në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore rezulton se, pavarësisht se aksionet në Bankë janë blerë nga shtetasja Mirela Ndini, vlera financiare është realizuar në bazë të kontributit financiar të të dy bashkëshortëve”.
Publikisht deputeti Peza ka sqaruar më herët se pasuria prej 113 milion lekësh me të cilat bleu aksionet në një bankë private, është vënë nga kursimet. Zoti Peza, u zgjodh deputet, si përfaqësues i Partisë socialiste në zgjedhjet e 2013, pas një karriere të gjatë në median e shkruar dhe televizive, ku ka mbajtur për shumë vite, pozicione drejtuese, për të cilat siç ka deklaruar ai vetë, është shpërblyer me paga mujore shumë të larta, prej disa milion lekësh.
Po sipas prokurorisë, “nga analiza financiare, e kryer gjatë hetimit, është konstatuar se të ardhurat neto familjare të bashkëshortëve Peza-Ndini ndër vite, duke zbritur shpenzimet, është rreth 51 milionë lekë të reja. Ndërsa vlera e aseteve në pronësi të tyre (pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, përfshirë llogaritë bankare) është në vlerën e rreth 135 milionë lekëve të reja. Pra, rezulton se bashkëshortët Peza-Ndini kanë një pasuri prej rreth 84 milionë lekë të reja, të cilën nuk e justifikojnë me burime financiare të njohura”, saktëson prokuroria.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: