*Halimi: Po punohet me dy standarde
TIRANE- Deputeti Tom Doshi ia ka dalë të shtyjë sërish mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i cili ka për detyrë të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesës ndaj dy deputetëve, z. Tom Doshi dhe z. Mark Frroku.

Mësohet se ka qënë kërkesa e deputetit Doshi, e bërë prezente përmes avokatit, ajo që shtyu edhe me dy ditë mbledhjen. Doshi ka pretenduar se ka probleme me shëndetin, ndërkohë që as ai as deputeti tjetër Mark Frroku nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.

Të pranishëm në mbledhjen e sotme janë edhe prokurorët Altin Binaj e Adnan Xholi. Ndërkaq, Partia Demokratike ka kërkuar që mbledhja të jetë e hapur për mediat.

N/Kryetari Vangjel Dule i cili drejtoi edhe mbledhjen e këtij këshilli vendosi që të pranojë kërkesën procedurale të z. Doshi për ta shtyrë edhe më dy ditë mbledhjen.

Ndërkohë që nuk është marrë parasysh kërkesa tjetër e opozitës, që të shqyrtohet dhe ti hiqet mandati edhe deputetit Koço Kokëdhima.

Një kërkesë tjetër e opozitës ishte që mbledhjet të jenë transparente për publikun.

SUBASHI: DOSHI SOLLI RAPORT, VJEN PAS DY DITËSH
Anëtari i PS-së në Këshill, Armando Subashi bëri me dije se deputeti Doshi kishe paraqitur një raport mjekësor në Kuvend, ndërsa shtoi se dy deputetët si Doshi ashtu edhe Frroku do jenë në Kuvend ditën e mërkurë.

“Kishim një kërkesë zyrtare mbi tavolinë që kërkonte shtyrjen e mbledhjes, bashkangjitur saj ishte edhe raporti. Nuk e di sa ditë është raporti, por nga kryesuesi i këshillit u tha se në kërkesë ishte thënë që “besoj se mbas dy ditësh do jem gati të bëj mbrojtjen time”, tha Subashi.

HALIMI: PO PUNOHET ME DY STANDARDE
Eduard Halimi, anëtar i PD-së në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve deklaroi për mediat fill pas shtyrjes së mbledhjes se po punohet me dy standarde. Sipas Halimit kërkesa për Doshin po shqyrtohet nga ky komision, ndërkohë që kërkesa e PD-së për heqjen e imunitetit edhe të deputetit Koço Kokëdhima nuk është marrë parasysh.

“Kjo ka qënë njëra nga dy kërkesat proceduriale që opozita kërkoi në këtë këshill. Kërkesa e parë kishte të bënte me mbulimin mediatik të kësaj seance të këshillit, bazuar kjo rregulloren e Parlamentit, bazuar po ashtu në një standard të vendosur gjatë gjithë këtyre viteve në parlament, ku seancat dëgjomore me dpeutetët të cilëve u është kërkuar t’u hiqet apo kufizohet imuniteti, kanë qënë gjithmonë publike. Standardi i transparencës të asaj që ndodh në Kuvendin e Shqipërisë ndaj qytetarëve është një standard krucial për funksionimin e Parlamentit. Çështja e dytë proceduriale kishte të bënte me kërkesën e bërë edhe në seancën e kaluar nga z.Ristani, për vendosjen në rend dite edhe të një deputeti tjetër për heqjen e mandatit të deputetit Kokëdhima, pasi është po ky këshill i cili vendos në lidhje edhe me këtë kërkesë, në mënyrë që të mos kemi dy standard, një standard, që njëri sillet brenda 24 orëve dhe deputeti tjetër edhe pse ka 3 javë që kërkesa është në dyert e Kuvendit, akoma çështja nuk ka filluar në Këshillin e Rregullores.

Lidhur me çështjen e trasnparencës u arrit në konkluzionin se seanca e radhës që do të jetë ditën e mërkurë, do të jetë në prani të medias. Pra për deputetët, të cilët kërkohet nga Prokuroria të arrestohen, kanë të drejtën e tyre për tu dëgjuar në mënyrë publike në Këshillin e Rregullores. Ndërsa për kërkesën tjetër, për Kokëdhimën, nuk morëm përgjigje për të qënë në rendin e ditës edhe çështja tjetër pasi nënkryetari i Kuvendit do ta këshillojë edhe njëherë më stafin. Pra nuk morëm përgjigje.

Lidhur me kërkesën e paraqitur nga z.Doshi për ta shtyrë për disa ditë këtë seancë për arsye mjekësore, deputetët e opozitës u shprehën qartë se qendrimi i grupit të opozitës është po ai që ka qënë edhe para dy ditëve. Pra në çdo kohë, ne si grup parlamentar dhe si deputetë, jemi në favor të të kërkesave të Prokurorisë, siç kemi qënë gjatë gjithë këtyre 10 viteve të fundit, ashtu siç kemi qënë edhe pro transparencës në seanca dëgjimore gjatë gjithë këtyre 10 viteve të fundit. Deputetët e PS-së pranuan kërkesën e deputetit Doshi për ta shtyrë me dy ditë. Për orën do njoftohemi nga administrata e Kuvendit”, tha ai.

RREGULLORJA
Pasi Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të ketë dëgjuar mbrojtjen e dy deputetëve, pritet të shprehet me një raport, që sipas rregullores duhet të jetë gati brenda 4 javëve nga mbledhja e komisionit, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve. Nuk dihet në fakt se sa kohë do t’u marrë anëtarëve të Këshillit hartimi i raportit. Por, me të qenë gati, ai do t’i paraqitet seancës parlamentare për miratim. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë, – thuhet në nenin 118, – nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

KERKESA
Kërkesa ndaj dy anëtarëve të parlamentit pason hetimet e nisura pas deklaratave të z. Doshi, se ndaj tij dhe deputetit demokrat Mëhill Fufi, kishte pasur një plan për vrasje dhe se pas këtij skenari qëndronte kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Pas dy javë hetimesh intensive, Prokuroria deklaroi se ‘nuk rezultoi ndonjë e dhënë konkrete dhe e besueshme për organizimin e vrasjes së Tom Doshit, e mbetur në tentativë’, dhe se ‘në bazë të provave dhe fakteve të mbledhura nga hetimi, ka arritur në përfundimin se kjo ngjarje është inskenuar nga shtetasit Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami’.

Sipas prokurorisë, dy deputetët janë të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale’; ‘kallzim i rremë’, ‘kanosje për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë’ dhe ‘deklarata të rreme përpara Prokurorit’.

Para fillimit të mbledhjes së sotme të Këshillit të Rregullores opozita protestoi para kryesisë së Kuvendit në mbështetje të kërkesës për largimin e kryeparlamentarit Ilir Meta. Megjithë qëndrimin ndaj çështjes “Doshi”, Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të votojë pro kërkesës së prokurorirë për arrestimin e dy deputetëve në fjalë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: