TIRANË- Mbledhja e Komisionit për dekriminalizimin është shtyrë për ditën e hënë. Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i këtij komisioni, Oerd Bylykbashi. Sipas tij, shtyrja e mbledhjes është bërë me kërkesë të anëtarëve të PS-së, ndërkohë që ishin demokratët ata që kërkuan një ditë më parë që mbledhja të mbahej sot.

Ngritja e këtij Komisioni me votimin pro të të dy palëve politike, shënon edhe nisjen konkrete të dekriminalizimit të Parlamentit, ashtu siç u ra dakord mes forcave më të mëdha politike në fund të dhjetorit të vitit 2014.

PRONONCIMI I BYLYKBASHIT

-Z. Bylykbashi, dy ditë më para Kryeministri Rama ka folur për çështjen e dekriminalizimit ku tha se nuk e ka lexuar projektin tuaj por edhe se nuk do të varet nga opozita për afatet kohore të miratimit të këtij drafti të opozitës. Keni ndonjë koment për këtë?

Është e qartë se z.Rama nuk i shpëton dot kësaj taktike të përcaktuar që është vonesa dhe taktika për të zvarritur procesin e dekriminalizimit. Nuk ka rëndësi nëse e lexon z.Rama apo jo, e rëndësishme është që ky proces duhet të vazhdojë përpara pa pa snjë vonesë. Afatet nuk i vendos Partia Demokratike por interesi publik që denoncon me zë të lartë këtë turp që Kryeministri Rama ka bërë, kriminalizimin e parlamentit dhe gjithçkaje tjetër, e për rrjedhojë z.Rama ka një detyrim absolut për të zbatuar marrëveshjen e 24 Dhjetorit. Me gjithë taktikat vonuese dhe zvarritëse e ka sjellë deri këtu, por nuk ka më asnjë shans për ta vonuar më tutje, dhe në tryezat e Kuvendit është një projektligj konkret i cili bën një zgjidhje të plotë të problemit të kriminalizimit që ky kryeministër i ka bërë parlamentit dhe institucioneve të tjera. Nëpërmjet këtij projektligji dhe ndryshimeve kushtetuese që i hapin rrugën atij, ne i japim zgjidhje të plotë dhe z.Rama është i ftuar që përtej çdo mungese vullneti të bashkojë votat dhe të bëjmë një ligj që do të hyjë në fuqi shpejt, do të zbatohet shpejt dhe me efikasitet, dhe kriminelët në parlamentin shqiptar të lënë mandatet e tyre dhe në të ardhmen askush të mos guxojë që ta bëjë përsëri.

-Në komisionin e Dekriminalizimit a do të filloni me nismën tuaj apo do të diskutoni diçka tjetër në fillim?
Projektligji është propozuar formalisht por në substancën e tij ky ligj do të diskutohet nga e hëna ku do të thirret komisioni i Dekriminalizimit. Për të diskutuar në substancë dhe në detaje ne jemi të hapur për të diskutuar çdo zgjidhje strukturore të asaj substance, me kushtin që ligjin ta bëjmë më të mirë e më të fortë. Ndërkohë, nuk do të pranojmë asnjë lloj vonese dhe nuk ka negociim në lidhje me faktin që kriminelët duhet të largohen menjëherë nga parlamenti i Shqipërisë.

-A ka ndonjë gjë që ju mund të tërhiqeni siç mund të jetë për shembull testi i drogës?
Unë nuk besoj se kemi vendosur gjëra të tepërta në këtë projektligj. Unë besoj se janë të gjitha çështje dhe zgjidhje përkatëse që i interesojnë opinionit publik. Të mos ketë kriminelë dhe persona të padenjë në parlament dhe në politikë. Nëse do të ketë probleme dhe halle të PS-së, le ti bëjë publike. Ne do ti diskutojmë. Ato gjëra që do të çojnë në pamundësi për dekriminalizim, nuk pranohen në asnjë rast.

-Një ligj si “Severino” që edhe kryeministri e ka pranuar diçka të tillë?
Ky ligj që ne kemi propozuar ndjek modelin Severino. Ky ligj ka sjellë në Itali që mjaft persona të lenë mandatin duke përfshirë një numër të madh personash të njohur siç ishte dhe Berluskoni. Ligji i ynë shkon drejt të njëjtit model. Sigurisht, reflekton problematikën e rënduar shqiptare dhe nëse janë dakord me strukturën e këtij ligji dhe zgjidhjet që ne japim aty, për faktin që është edhe Komisioni i Venecias ai që na ka dhënë rrugë për mënyrën se si ti japim zgjidhje, besoj se nuk do të kemi vështirësi vetëm nëse kanë halle të mëdha që do të dalin më pas emra të tjera që mund ti pengojë ata.

-Ky ligj nuk kaloi në kalendarin 3 javor të punimeve por në programin 2 mujor të punës në Kuvend. Z.Basha kishte pritshmëri që ky ligj të kalojë Brenda muajit shtator?
Është e turpshme që kjo mazhorancë fshihet pas justifikimeve teknike për të penguar futjen e këtij ligji por, së fundmi, u vendos në program, por jo në kalendar. Ne do të vazhdojmë të insistojmë që ai të jetë menjëherë në shqyrtim. Komisioni i dekriminalizmit nuk pengohet. Ne do ta shqyrtojmë. Por mund t’u kujtohet që qëndruan deri në orën 5 të mëngjesit për ligjin e arsimit për interesin dhe protestën e studentëve, pedagogët, familjet e studentëve për atë ligj që shkatërron arsimin shqiptar, vetëm që ta fusnin në seancën e radhës, në rastin e dekriminalizimit kur interesi është për të nxjerrë nga parlamenti kriminelët, z.Rama gjen çdo lloj justifikimi për ta zvarritur që të mos futet. Nuk ka më mundësi dhe është në keqbesim sot me marrëveshjen e 24 Dhjetorit. Ne nuk do t’i japim mundësinë ta zgjasë më tej. E vetmja gjë që zgjidh është bashkëpunimi i tij për ti dhënë fund këtij problemi të madh.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb