Një ditë pasi presidenti i vendit Ilir Meta vendosi shtyrjen e datës së zgjedhjeve, ka paralajmëruar hapin e tij të radhës.

Burime nga Presidenca konfirmojnë se Presidenti Meta nis nesër ditën dhe javën në orën 08:00 me konferencën e jashtëzakonshme për mediat për shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale.

Meta dje vendosi që të shtyjë zgjedhjet, ndërsa kryeministri Rama e maxhoranca këmbëngulin se data 30 qershor nuk ndryshon.

Presidenti Ilir Meta ka vendosur të shfuqizojë Dekretin nr.10928, për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, të cilat ishin vendosur të realizoheshin më 30 qershor.  Meta argumenton se ky vendim është marrë për të çtensionuar situatën dhe rrezikun për përshkallëzimin e paparashikueshëm të konfliktit në vend. Ai ka shtuar se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta.

Kreu i shtetit ka deklaruar se të hënën do të bëjë publike të gjitha argumentet shteruese për vendimin e ndërmarrë.

Më herët gjatë ditës së sotme, Rama e cilësoi si një “vetëvrasje politike” vendimin e Metës, duke paralajmëruar edhe largimin e tij nga posti i Presidentit.

“Të nderuar kolegë!

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të zhvillojë nesër, datë 10 qershor, një konferencë për shtyp në ora 08:00, në ambientet e Institucionit të Kreut të Shtetit.

Ftohet media të jetë e pranishme, edhe me transmetim LIVE!

Ju falëminderit për bashkëpunimin!”-njofton Presidenca.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb