TIRANË- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri reagoi pas deklaratës së kreut të PD se arrestimi i Shullazit u krye pas presionit të SHBA-së.

Sipas ministrit Tahiri , policia provoi dhe njëherë se nuk ka të mbrojtur nga ligji e asnjë mbi ligjin. Ministri i Brendshëm i quan degradim moral, politik e logjik, deklaratat dhe akuzat e Berishës dhe Bashës, duke mohuar se Rama apo PS kanë ndërhyrë për të favorizuar dikë në zgjedhjet në universitete.

“Policia kryen arrestime, Saliu me Lulin thonë që ndërkombëtarët paskan urdhëruar Edi Ramën që ta bëjë këtë, pasi po sipas Saliut dhe Lulit ai e përdori të arrestuarin kryesor për të kërcënuar kandidatin për rektor! Çfarë degradimi moral, politik, logjik! Edi Rama dhe PS nuk kanë ndërhyrë asnjë çast dhe në favor të askujt në garën e zgjedhjeve universitare. Këto që po zhvillohen janë të parat zgjedhje të lira nga ndikimi i qeverisë që janë zhvilluar ndonjëherë në universitete. Ndërsa Policia e Shtetit provoi edhe njëherë se nën këtë qeveri s’ka asnjë të mbrojtur nga ligji, asnjë mbi ligjin. Sot na akuzojnë për të njëjtat gjëra që i bënin vetë kur ishin në qeveri. Në këtë vend, për dy dekada, ka vetëm një njeri e një parti që ka nxitur, përkrahur e mbrojtur botën e krimit, e po këta kanë gojë sot të na akuzojnë ne. Prandaj Saliu dhe Luli sot meritojnë vetëm fjalën e urtë popullore qentë le të lehin karvani ecën përpara!”, deklaron ministri Tahiri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: