6 gola të shënuar, shtylla, raste pafund për shënim, Newcastle-Liverpool rezultoi një sfidë spektakolare, një futboll sulmues fantastik, por në fund dy ekipet ndanë nga një pikë pas barazimit 3-3. Pas katër fitoreve radhazi, Liverpool “ngec” përballë “qymyrxhinjve”, por qëndrojnë të qetë në krye, plus 7 pikë në raport me Chelsea.
Në “St.James Park”, sfida nisi “zjarr” me dy ekipet që goditën nga një shtyllë për kokë, por në minutën e 35-të Isak me një predhë të vërtetë dërgoi topin në rrjetë duke kaluar Newcastle në avantazh. Liverpool iu përgjigj në të njëjtën formë me fillimin e pjesës së dytë, Curtis Jones realizoi një gol shumë të bukur duke barazuar shifrat në 1-1.
Newcastle nuk e uli ritmin për asnjë moment dhe në minutën e 63-të u rikthyen sërish në avantazh, me Isak që dhuroi një assist për Gordon me këtë të fundit që nuk fali duke dërguar topin në rrjetë.
Stafetën më pas e mori Mohamed Salah, me “faraonin” egjiptian që fillimisht barazoi shifrat në 2-2 pesë minuta më vonë. Salah nuk u ndal këtu, por në minutën e 82-të, me një veprim shumë të bukur në zonë kaloi Liverpool në avantazh duke krijuar iluzionin se do të dilnin me tre pikë nga kjo transfertë.
Atëherë kur gjërat po shkonin drejt fundit, një dalje e pastudiuar e portierit Kelleher, i dha mundësinë Fabian Schar që të devijonte topin në rrjetë duke i dhuruar një pikë Newcastle.
Nuk e fshehu zhgënjimin për pikët e lëna trajneri Arne Slot: “Të lësh dy pikë në këtë formë, një minutë përpara fundit, është me të vërtetë zhgënjyese”, u shpreh Slot.
(BalkanWeb)