ELBASAN

Pavarësisht mbizotërimit të motit të keq të shoqëruar me shi të dendur, protestës kombëtare “Për Shqipërinë si Europa”, të thirrur nga opozita do t’i bashkohen edhe qindra anëtarë e simpatizantë të partive opozitare nga bashkitë Elbasan, Librazhd, Përrenjas, Gramsh, Cërrik, Belsh e Peqin nga Qarku i Elbasanit.

Burime zyrtare për “BW” nga degët e PD në rrethet Elbasan, Librazhd, Gramsh e Peqin nga ky qark konfirmuan se shumica e pjesëmarrësve në protestën e kësaj të hëne do udhëtojnë me automjetet e tyre private.

Ndërsa disa qindra të tjerë që nuk kanë mundësi financiare do udhëtojnë me furgonë dhe autobusë që janë në dispozicion të tyre para selive të PD.

Ndryshe nga manifestimet e tjera antiqeveritare, ky i mbrëmjes së sotme sikurse është paralajmëruar edhe nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të jetë një marshim protestë.

Elbasanasit ashtu sikurse gjithë shqiptarët e pakënaqur me qeverinë Rama janë ftuar në këtë marshim proteste për mbrojtjen e demokracisë dhe shkëputjes së politikës nga krimi, si garanci për zgjedhje të lira e të ndershme dhe qeverisje të përgjegjshme që punon për mirëqenien e qytetarëve.

Pjesëmarrja nga Bashkia e Elbasanit sipas Eugen Isait, kreut të degës se PD të këtij rrethi, mendohet të jetë rreth 500-800 persona, ndërsa nga gjashtë bashkitë e tjera të këtij qarku sipas drejtuesve të degëve të PD, pritet që t’i bashkohen protestës kombëtare në Tiranë të paktën 250-300 persona nga secila bashki.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb