Në trazirat e vitit 1997 dhe dy vjet më pas nga armatosja e popullsisë, humbëm 3 mijë jetë. Më 15 mars 2007 nga shpërthimi i papritur në një fabrikë çmontimi armësh humbëm 26 jetë. Më 21 janar 2011 humbëm 4 jetë. Dje, më 16 shkurt 2019 humbëm zero jetë! Dje fitoi vetëm Shqipëria. Opozita kryesore mbushi bulevardin qendror të vendit me njerëz në protestë. Kishte shumë jopartiakë në bulevard dje. Qytetarë që kanë humbur shpresën, orientimin, besimin, drejtpeshimin. Njerëz vërtet të dëshpëruar. Qeveria duhet t’i shohë këta njerëz të dëshpëruar. Ata janë aktakuza më e fortë për dështimet e saj në qeverisjen e vendit. Kjo qeveri ende nuk i ka dhënë vendit shpresë. Sikurse opozita kryesore e sotme që kemi, për fat të keq të të gjithë neve, nuk po u jep qytetarëve të thjeshtë shpresë për ndryshim. Qeveria nuk është e vërtetë se doli më e fortë. Edhe pse policia e përballoi me profesionalizëm sprovën ku ishte thirrur.

Nëse qeveria do nisë të pompohet e të shfaqet si triumfuese sot e në ditët më pas, do të tallet dhe fshikullojë “dështimin” e djeshëm në përshkallëzimin e dhunës, do t’i bëjë “harakiri” vetes. Të jetë e sigurt për këtë. Do të prodhojë atë arrogancë që pas dy vitesh e gjysmë do ta largojë me siguri nga pushteti, pavarësisht opozitës amorfe të sotme që kemi. Qeveria duhet të shohë shuplakën që mori, kësaj here jo nga studentët. Shuplaka nuk qëndronte tek ata drejtues të opozitës, që nuk ngjallin shpresë jo më tek njerëzit e zakonshëm, por as edhe tek ithtarët dhe ndjekësit e partive të tyre. Shuplaka rrinte e fshehur te fytyrat jopartiake të djeshme në bulevard, që ishin me mijëra. Jo! Ata nuk ndodheshin aty të manipuluar. As të indoktrinuar, as të hipnotizuar.

Nuk shkonin si delet qorre pas cjapit partiak të hazdisur. Ishin aty për llogari të mjerimit që nuk po arrijnë ta shkëpusin, ta heqin qafe si një zhele të vjetër, nga shpatullat e kërrusura. Ishin për sytë e shndritshëm të fëmijëve të tyre, që jo çdo ditë arrijnë të mbushin barkun plotësisht me bukë. Ishin për varfërinë e skajshme dhe mungesën e thekur të perspektivës, të shtruar këmbëkryq në vatrat e tyre. Dhe këtyre njerëzve kjo qeveri nuk ka çfarë tarifash studimi t’u përgjysmojë. Po, mund të bëjë shumë për ta, se u ka borxh mirëfilli shumë. Një mijë punë që deri tani nuk i ka bërë. Ja përse qeveria duhet të ndihet në faj dhe me turp sot nga ajo që pa dje në bulevard. Opozita ishte në të drejtën e saj dje, kur mori zemër dhe forcoi radhët, nga jopartiakët që pa. Duke fituar kurajë (i duhet vërtet shumë) për protesta të reja (kuptohet, më të pakta në numër demonstruesish). Policia jonë më në fund tregoi standardin e munguar prej 28 vitesh tashmë, për vetëpërmbajtje dhe kundërveprim profesional. Të lënduarit që të gjithë (protestues, policë dhe madje edhe gazetarë) u ndihmuan dhe u transportuan menjëherë në spital nga ambulanca që qëndronin pak metra larg zemrës së protestës. Gjithçka e organizuar mjeshtërisht nga të dyja palët (protestuesit dhe mbrojtësit e institucioneve shtetërore – struktura që na përkasin të gjithëve). Nuk u panë protestues të armatosur me armë vrastare, edhe pse disa syresh kishin dhe hodhën bomba molotov (shishe me lëndë djegëse). Policia që përballoi valën e protestuesve ishte e paarmatosur, sikurse kishin këshilluar me të drejtë ndërkombëtarët.

Pyes për zogjtë lajmëtarë të dhunës ditë më parë të protestës, dje gjatë saj dhe sot: çfarë do të thotë të çosh deri në fund dhunën e nisur, të shohësh në flakë që nga themelet godinën e Kryeministrisë së vendit tënd? Kjo është të çosh deri në fund një dhunë të paralajmëruar dhe të filluar? Kjo është zgjidhja e kapjes së shtetit nga kjo qeveri e sotmja? Kështu do t’i zgjidhim hallet e qytetarëve tanë? Dje fitoi realisht e gjithë Shqipëria. Dje, edhe pse dhuna (me aq sa arriti të kryhej) mori kamerat dhe titujt e mediave perëndimore, gjasat e integrimit dhe ‘Po’-së së Brukselit për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në familjen e madhe evropiane, nuk morën një goditje fatale. Ishte një protestë e madhe e opozitës, me shashka, tym e gaz lotsjellës, si dhe pak shkatërrim prone publike, që mund të ishte zhvilluar po njësoj në qendër të Athinës, Romës apo edhe Parisit të batërdisur nga protestat mujore të ‘xhaketave të verdha’. Për të gjitha këto arsye, ndjeva ngazëllim brenda vetes dje, thjesht si qytetar, pse si qindra mijëra të tjerë kisha menduar me frikë për shumë më keq. Por nuk humbëm jetë njerëzish dje! Fituam një shuplakë të fortë jopartiake që do t’i bëjë mirë kësaj qeverie, po të arrijë ta dallojë dhe lexojë. Por vallë, a do të arrijë? /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: