Një Bayern perfekte, një skuadër që dominoi totalisht Leverkusen në të dy përballjet duke u kualifikuar për në fazën çerekfinale me rezultatin e përgjithshëm 5-0. Kjo ishte një “shuplakë” e fortë për Alonson dhe “aspirinat”, një hakmarrje e vogël për atë sezon një vit me parë ku Bayern e mbylli me zero tituj. Suksesi i pastër 3-0 në sfidën e bënte kualifikimin e Bayern një formalitet, por ekipi i Kompany nuk bëri asnjë kompromis as në “Bayer Arena” duke triumfuan me rezultatin 2-0.

Të dy ekipet zhvilluan një futboll të hapur, një futboll ofensivë, por pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Në fraksionin e dytë, i përhershmi Harry Kane gjeti golin e avantazhit, i shërbyer saktë në zonë. Ky ishte goli i tij i 10-të në këtë edicion të Champions League duke u shndërruar në futbollistin anglez që ka shënuar më shumë gola në një edicion të vetëm në Champions.

Kane ishte protagonist edhe në golin e dytë të Bayern teksa dhuroi një assist të pastër për Davies në minutën e 71-të. Bayern nuk e uli ritmin, por Musiala ishte i pafat, me talentin gjerman që goditi dy herë shtyllën.

Me spektakël, Bayern kalon në fazën çerekfinale të Champions League atë ku do të përballet me Inter, një sfidë dyshe që Kompany e pret me padurim:

“Në të vërtetë është një sfidë fantastike, por ka ende disa ndeshje në mes. Të shohim se si do të kthehen lojtarët pas pauzës së kombëtareve, atëherë do të mendojmë për Inter. Ne jemi në këtë turne pasi dëshirojmë të luajmë kundër më të mirëve, mezi po e presim këtë përballje”, u shpreh trajneri i Bayern Munich.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb