Në episodin e 38-të të rubrikës “Sy më Sy”, Kryeministri Edi Rama është përballur sërish me komentet e qytetarëve në rrjet, duke mos kursyer ironinë, batutat dhe qëndrimet e tij të zakonshme.

Një komentues e kritikoi me humor për situatën e vendit, duke thënë: “Si futet Shqipëria me depozita uji në tarracë, e pa drita. Je i madh Ramso. Edhe Nastradini do të kishte zili.” Rama iu përgjigj:

“Ty Elton jam i bindur që të duket vetja shumë i zgjuar kur bën këtë lloj komenti, por sa më shumë kalojnë vitet, aq më pak i zgjuar më duket vetja. BE-ja do të na fusë në gjirin e saj, këtë e ke dëgjuar? Apo edhe kjo të bën për të qeshur? Të falënderoj për ‘gjigandin’, sepse durimin e kam të madh, aq sa merrem edhe me komente si të tuat.”

Një tjetër komentues u shpreh se pas 12 vitesh pushtet, premtimet e Ramës nuk ndryshojnë. Kryeministri u kundërpërgjigj me një krahasim simbolik:

“Jo, Vladimir, nuk kam 12 vjet që premtoj, por 11 vjet e 6 muaj që bëj atë që them. Po të isha si bufi, edhe Shqipëria do ishte si e bufit. Sot? Vetëm kush nuk do të shohë, nuk sheh.”

Për komentet ironike mbi projektet infrastrukturore si stadiumi i Vlorës apo marina në Durrës dhe Vlorë, Rama theksoi progresin dhe sfidat:

“Punët e mëdha nuk bëhen sa hap e mbyll sytë. Marina Durrës dhe Marina Vlorë janë në kantier. Stadiumi i Vlorës është në fazën e detajimit dhe në proces për zgjedhjen e partnerit privat. Mund të vonoj, por nuk harroj asnjëherë.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb