DURRES– Kryeministri Edi Rama tha sot se grupi i tij i punës po punon për zvogëlimin e administratës dhe qeverisë së re. Nga një takim me qytetarët e Durrësit pasdite e sotme, kryeministri Rama la të kuptohet se qeveria e re do të jetë me e vogël.

“Ka zyra dhe agjenci të tepërta që janë kosto e që mbahen me rrogë parazite. Do të bëjmë një shkurtim drastik për të lehtësuar burokracitë në zyrat e shtetit”, – deklaroi ai.

Kryeministri tha se puna po vazhdon për kabinetin e ri, ndërsa shtoi se kushdo që do punojë në administratë duhet të jetë i gatshëm, për të realizuar përgjegjësitë e tij.

“Ne po punojmë për qeverinë e re, që të mos jepen rroga parazite. Kushdo që do jetë në punë duhet të përmbushë përgjegjësitë e tij. Une jam këtu që të bëjmë ndryshimin, mos paguhen punonjësit e administratës siç ndodhte deri dje, jo për nevojat e qytetarit, por për ata që i kishin vendosur në punë, sipas ndarjes së tepsisë. Nëse do e doja siç ishte, do isha në zyrë duke dëgjuar kërkesat e secilit sipas tepsisë. Por qveria e re duhet të jetë më e vogël, më efikase dhe duhet të ketë kapacitetin që të garantojë bashkëqeverisjen me njerëzit. Nuk duhet të ekzistojnë më ministri dhe agjenci që nuk u kthejnë përgjigje letrave dhe ankesave që bëjnë njerëzit. Nëse dikush bën një kërkesë, dhe s’merr përgjigje, do shihet ku ka ngecur puna. Nëse dikush nuk e ka bërë punën, do të largohet”, – tha kryeministri Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: