TIRANË

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla ka folur për paktën “Anti-KÇK”, e cila u prezantua sot nga kryeministri Edi Rama.

Ai shpjegoi se kjo paketë është një nismë, e cila synon të nxjerrë nga komoditeti personat, të cilët kanë kryer një vepër penale apo dyshohen si të përfshirë në veprimtari kriminale. Por si do të luftohet ky target grup që përbëhet nga persona të rrezikshëm, Lleshaj dha detaje konkrete për masat dhe synimin që ka kjo paketë.

Ministri Sandër Lleshaj theksoi se kjo paketë synon të izolojë rrezen e veprimit të këtyre personave. Ai dha garancinë e fortë se kjo masë nuk bie ndesh me parashikimet kushtetuese , duke iu përgjigjur qartë edhe zërave kritikë që thonë se kjo paketë bie ndesh me të drejtat e njeriut.

Pjesë nga fjala e Lleshajt:

Klodiana Lala: Si do ta luftosh KÇK?

Sandër Lleshaj: Ne kemi një situatë të tillë që duhet të merremi me intensitet me krimin për një mijë e një arsye. Qytetarët meritojnë më shumë siguri.  Do ta luftojmë krimin.  Ne e kemi objektiv këtë dhe kjo është nevojë madhore e shqiptarëve dhe e Shqipërisë. Policia e Shtetit ka depozituar mbi 200 raste në prokurori, të cilat nuk janë prekur me dorë. Kemi edhe raste të tjera, që të lirohen nga salla e gjyqit , persona të akuzuar  persona për vrasje. Kemi raste të pafundme që na tregojnë se kemi një situatë jo të zakontë në sistem. Hapi i parë, do të ketë reduktime komoditeti ndaj personave që kanë barrë kriminale. Kemi disa persona, të cilat janë dënuar për krim, për drogë, etj. Të gjithë subjektet që janë dënuar për vepra dhe që janë në hetim, do të quhen subjekte të këtij ligji. Këtyre u vihet një pikëpyetje e madhe.  Do t’i fusim në një situatë jo komode. Do të lëvizësh brenda qarkut që ke. Do të lëvizësh brenda Shqipërisë. Kjo është një masë e jashtëzakonshme e përkohshme, e cila ka një hapësirë  të qartë për subjektet. Ka një afat gjatë të cilët do të funksionojë kjo masë, e cila pushon kur të funksionojë gjykata, SPAK dhe BKH.  Do të fuqizojmë  organet ligjzbatuese, siç është Policia e Shtetit. Unë ju them se asnjë parim kushtetues nuk cenohet. Ky ligj ka karakter administrativ dhe civil. Ky fokusohet në këtë segment të së drejtës.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: