TIRANË

Ish-deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj e ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 tha se pas dështimit të hapjes së negociatave me BE,  kryeministri Edi Rama duhet të ishte larguar një orë e më parë dhe jo të shpërndante përgjegjësitë. Ajo tha se opozita është e gatshme për të zgjidhur krizën politike që vijon prej muajsh, ndërsa shtoi  faktin se 9 pikat e Bundestagut gjerman janë pasqyrë e qartë e situatës në të cilën ndodhet sot vendi ynë.

“Nëntë kushtet e Bundestagut tregojnë situatën e vështirë në  Shqipëri. Moshapja e negociatave do të sjellë largime të tjera të shqiptarëve. Shqiptarët po kërkojnë azil  sepse nuk ka një ekonomi të qëndrueshme dhe as sistem arsimor që iu përgjigjet nevojave. Ndërkohë çmimet vijojnë të rriten. Kjo është ajo për të cilat duhet të flasim dhe opozita ka folur për këtë. Ne duhet ta shohim veten tonë sërish në rrugën e integrimit. Besoj që përkundër papërgjegjshmërisë që e karakterizon Ramën, ai duhet të ishte dorëhequr, njësoj si në Maqedoninë e Veriut. Rama kërkon të hedhë përgjegjësinë kudo. Shqiptarët sot kërkojnë më shumë azil se vendet që janë sot në luftë. Sot në Shqipëri kemi një parlament që është në dorë të kryeministrit, kemi bashkitë që janë në dorë të kryeministrit dhe çdo institucion tjetër, dhe këtë e kanë thënë raportet e huaja. Çfarë detyrash janë bërë kur shqiptarët nuk e shohin veten e tyre në Shqipëri”-tha Mehmetaj


Por si do të ikë Rama nga qeveria, për këtë Mehmetaj dha këtë përgjigje: “Së pari vlen të theksojmë që ikja e Ramës  nuk lidhet vetëm me disa procese të caktuara. Ndryshimi që ne kërkojmë është  tek nevojat që kanë njerëzit. E gjithë klasa politike duhet të bëjë planin e shpëtimit të Shqipërisë dhe të kthejmë mbrapsht trurin që po i ikën vendit. Kjo bëhet vetëm me rrotacion politik. Në një vend të marrë peng nuk mund të ketë ndryshim. Ndryshimet mund të vijnë përmes zgjedhjeve të lira”-theksoi Mehmetaj.


(n.m/BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: