Duket se në pamje të parë kandidati për President, që pritet të bëhet sot publik ka një pengesë, kohën e pamjaftueshme për t’u verifikuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Por, këtë e sqaron një prej anëtarëve të këtij autoriteti Simon Miraka. Ende në detyrë në pritje të marrjes së mandatit të dytë, ose zëvendësimit të tij, Miraka siguron se ky autoritet ka kapacitete që ta verifikojë figurën e kandidatit brenda 24 orëve.
I ftuar në emisonin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në RTSH24, Miraka bëri publik mënyrën se si do bëhet ky verifikim dhe në kohë rekord.
Më poshtë, një pjesë e intervistës së Simon Mirakës.
Zoti Miraka si do bëhet verifikimi i kandidatit për president? A ka kohë të mjaftueshme për këtë?
Sigurisht që ka kohë dhe Autoriteti ka resurse që ta realizojë brenda 24 orëve.
Po i bie që të kryhet ditën e shtunë. A jeni pushim?
Nuk ka pushim për një ngjarje të tillë. Ne jemi në gatishmëri për këtë situatë.
A mund të na thoni si bëhet verifikimi i figurës së kandidatit për president?
Sapo të zyrtarizohet kandidatura, Kuvendi i dërgon një kërkesë Autoritetit, në të cilën i kërkon verifikimin e figurës. Ndërkohë, paralelisht vetë kandidati plotëson një formular, në të cilin shkruan të dhënat e veta, gjeneralitetet dhe momentet më të rëndësishme të jetës së vet, sipas karrierës. Mbështetur në këtë, ne nisim nga puna dhe bëjmë verifikimet e duhura.
A është e mundur të bëhet kjo?
Po, sepse ne e kemi të kompjuterizuar sistemin e dosjeve. Aktualisht, godina e Autoritetit është në një nga godinat e ish-kompleksit të Ministrisë së Mbrojtjes. Jemi dhe do jemi aty për ta kryer sa më shpejt këtë.
Si do kryhet kjo, nëse kandati ka mbajtur një funksion publik dhe ka kaluar më parë në këtë filtër?
Po. Ka një avantazh për ata kandidatë, që kanë kaluar nga ky komision për verifikimin e figurave. Nëse kandidati ka vërtetim origjinal nga komisioni i drejtuar nga Hajri Mezini dhe nga Komisioni i drejtuar nga Nafiz Bezhani, ne jemi të detyruar të mbështetemi te ato vendime dhe kandidati rezulton i pastër. Nëse kandidati nuk ka vërtetim prej tyre, ne vijojmë me procedurat. Verifikojmë të gjitha dosjet, dhe mbi bazën e asaj që na rezulton, kthejmë përgjigje.
Po në rast se kandidati mund të ketë qenë i vogël gjatë regjimit komunist?
Po edhe në këtë rast njësoj, vetëm se ka një problem. Nga puna në Autoritet na rezulton se vërtet ka pasur raste që janë bërë bashkëpunëtorë edhe 17-vjeçarë, por pak besohet se personi në fjalë ka qenë i përgjegjshëm, duke qenë se ka qenë në moshë të mitur.
Po atëherë si veprohet?
Ne si Autoritet do japim atë që shkruhet në dosje pa bërë interpretim.
A ekziston mundësia që dosjet për një kandidat mund të jenë zhdukur?
Kjo nuk është puna jonë. Ne japim vërtetim për materialet që kemi, jo për ato që nuk kemi.
Zoti Miraka, ju kërkoni një mandat të dytë për të qenë anëtar i Autoritetit të Dosjeve dhe u ka mbaruar mandati i parë. A ka Autoriteti numrin e nevojshëm të atyre që duhet të hedhin firmën mbi këtë dokument, sepse tani nga pesë anëtarë mungojnë zoti Daut Gumeni dhe Marenglen Kasmi, që nuk vijojnë punën aty, por edhe nuk janë zëvendësuar?
Mua më ka mbaruar mandati, por unë vijoj punën deri në momentin që emërohet pasuesi im ose unë vijoj për një mandat të dytë. Aktualisht me jemi 3 anëtarë, unë, Gentiana Sula, që është edhe kryetare, edhe Altin Joxha. Kjo, sipas ligjit, është e mjaftueshme, pra duhen tre firma.