Pedagogu Afrim Osmani, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare të tregtisë, të ndikuara ndjeshëm nga vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave tregtare ndaj një sërë partnerësh të SHBA-së. Sipas Osmanit, kjo përplasje nuk është thjesht ekonomike, por ka në thelb filozofi të ndryshme zhvillimi.
“SHBA-të janë ndërtuar mbi kapitalin që nga fillimet e industrializimit. Është një ekonomi që i beson konkurrencës së lirë dhe jo mbështetjes sociale. Ndërsa Evropa, megjithëse ndjek kapitalizmin, ruan një kohezion të fortë social,” u shpreh Osmani.
Ai e konsideron vendimin e Trump për tarifat si një armë të fuqishme të filozofisë së tij politike dhe ekonomike, duke shtuar se fundi i kësaj lufte tregtare është i paparashikueshëm:
“Trump e sheh këtë si një goditje afatshkurtër. Ai beson se SHBA-të, si ekonomi e madhe që nuk mbështetet në eksporte, mund t’i përballojnë tarifat më lehtë sesa Kina apo Evropa.”
Sipas Osmanit, Kina, si eksportuesi më i madh në botë, është më e ekspozuar ndaj efekteve të tarifave. Ai theksoi se kjo është më shumë se një përplasje tregtare – është një “lojë rezistence”, një duel se kush do të dorëzohet i pari.
“Kjo është një filozofi korporate në thelb, ku Trump vendos logjikën e biznesit mbi atë të diplomacisë klasike,” theksoi Osmani.
Për Evropën, ai shtoi se pavarësisht forcës së saj në marka dhe inovacion, nuk ka bërë mjaftueshëm për të ecur përpara në konkurrencën globale.
Në përfundim, Osmani theksoi se balanca mes tregtisë së lirë dhe mbrojtjes së interesave kombëtare ekonomike do të vazhdojë të prodhojë tensione, ndërsa SHBA, Kina dhe BE mbeten në qendër të kësaj loje globale.