Gazetari Igli Çelmeta në rubrikën “Çështja e Ditës” në gazetarit Klevin Muka në News24, ka folur mbi procedurën e përzgjedhjes së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, si dhe drejtuesve të policisë në qarqe.

Çelmeta tha se afati i aplikimeve përfundon në 18 shtator, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë aplikim të bërë.

Gazetari tha se mendonte që të gjitha aplikimet do të dorëzoheshin në ditën e fundit.

Çelmeta ka sugjeruar që në gjithë procesin e caktimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit duhet të ketë një rol kyç Prokuroria Speciale apo SPAK.

“SPAK duhet të zbërthejë më shpejtë bisedat në aplikacionin SKY, për të identifikuar të gjithë ata zyrtarë të Policisë së Shtetit që mund të rezultojnë të përfshirë në bisedat përmes kësaj platforme”, tha Çelmeta.

Ai tha se për tu bërë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të kesh një mbështetje të fortë politike, ndërsa proceset me garë janë një lloj fasade.

“Do ta quaja një proces transparent vetëm nëse seancat dëgjimore të aplikantëve, do të jenë publike”, tha Çelmeta. Ai tha se nëse ky proces kërkohet të jetë transparent, atëherë le të bëhen seanca publike.

“Organizata e Policisë së Shtetit ka qenë në shërbim të politikës dhe krimit, ndërkohë që në shërbim të qytetarëve nuk kanë qenë asnjëherë. Pse lëvizin lirshëm bandat? Sepse kanë suportin e Policisë së Shtetit. Kemi trekëndëshin krim-politikë-polici”, tha Çelmeta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb