TIRANË

Të tjera detaje zbulohen orë pas ore për grabitjen e së martës në Rinas dhe një prej autorëve të saj që mbeti i vrarë.

Burime nga Prokuroria bënë me dije për “BalkanWeb” se identifikimi i Admir Murataj, i cili u vra gjatë përplasjes me armë ishte i vështirë për shkak të ndryshimit të pamjes. Murataj kishte bërë ndërhyrje kirurgjikale në fytyrë për të ndryshuar imazhin e tij. Ai kishte bërë ndërhyrje në hundë dhe në mjekër, një tipar identifikues i tij por gjithashtu kishte mbjellë flokë tek pjesa e përparme.

Pikërisht këto ndryshime kanë vonuar identifikimin e tij. Policia ka pasur dyshime se Murataj mund të kishte qenë anëtar apo pjesëtar i grupit të grabitësve por kur është bërë këqyrja e kufomës nuk është gjetur ngjashmëri.Edhe kur janë marrë shenjat e gishtërinjve me aparaturën e ALEAT janë nxjerrë vetëm 5 elementë, ndërkohë që duhet të ishin 8 elementë që përputhen.

Më pas u kërkua ndidhma e Greqisë dhe u bë identifikimi, kjo ishte dhe arsyeja se përse emri i viktimës së Rinasit u zbulua nga mediat greke.

Ndërkohë burime për “BalkanWeb” bënë me dije se i vëllai i Admirit, Aleksandër Murataj që është arrestuar për grabitjet e tjera ka kërkuar leje nga burgu për të marrë pjesë në varrim ditën e nesërme. Po kështu mësohet që trupi do të tërhiqet nesër në orën 8 nga familja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb