Nga: Dorjana BEZAT

Devi Kasmi i vuri pistoletën në kokë vrasësit me pagesë Ethimoi Eftimiu. Ngjarja ndodhi 3 ditë para vrasjes jashtë palestrës së viktimës, siç mëson “BalkanWeb”.

Ethimoi Eftimiu nuk njihej me viktimën Devi Kasmi. Ai ishte kontraktuar nga grupi kriminal për ta vrarë atë. Për këtë ai erdhi në dhjetor në Shqipëri ku ka studiuar zonën dhe pikat më të frekuentuara të Devi Kasmit. Ai e ndoqi një kohë të gjatë viktimën për të mësuar rutinën e tij të përditshme.

3 ditë para ekzekutimit të Kasmit ish-ushtaraku grek Eftimiu është parë të bënte lëvizje të shpeshta pranë palestrës së Kasmit, siç mëson “BalkanWeb”.

Kasmi i kushtonte shumë rëndësi sigurisë së tij, ndaj në gjithë rrugicën ku ndodhej palestra kishte instaluar kamera sigurie pamjet e të cilave i monitoronte në një dhome të veçantë.

Kështu pasi konstatoi lëvizjet e dyshimta të një njeriu me mjekërr, Devi Kasmi doli jashtë palestrës, e kapi atë nga pas, duke i vënë pistoletën në qafë.

Ky i fundit, i përgatitur për gjithçka, nuk reagoi. Vetëm përsëriti disa herë në anglisht “no problem”. Pasi e kontrolloi për armë dhe nuk konstatoi gjë, Kasmi e la të lirë dhe u largua.

Vetëm pak minuta pas kësaj përballje, për arsye që ende s’dihen, greku ishte kthyer sërisht në këtë zonë. Kjo ka shtuar më tepër dyshimet e Kasmit dhe nga kamerat e sigurisë i ka bërë një foto njeriut që për të u bë tepër i dyshimtë.

Kjo foto si edhe dëshmia e Mario Meshinit, dëshmitarit okular në vrasje ndihmoi në identifikimin e ekzekutorit të vrasjes së Devi Kasmit.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: