TIRANE- Zbardhen të tjera detaje nga seanca gjyqësore tek Krimet e Rënda ku prokuroria kërkoi dënimin me burg të përjetshëm për Denis Shtrazën, njeriun që akuzohet për rrëmbimin dhe torturimin deri në vdekje të Gazmend Çollakut në janar të vitit 2016, bashkë me ish-oficerin e policisë, Ervin Dalipaj (i vrarë në prill të këtij viti).

Gazetarja Klodjana Lala konfirmon për “BalkanWeb” se Denis Shtraza ka qenë i qetë në sallën e gjyqit teksa prokurori Besnik Muçi lexonte pretencën, madje në disa raste ai edhe ka qeshur.

Ashtu si edhe në seancat e tjera Shtraza nuk ka pranuar të ketë gisht në vrasjen e Çollakut, duke vijuar të thotë se kishte njohur në burg dhe kishte marrëdhënie miqësore me të.

E vetmja ndërhyrje që ka bërë, lidhej me emrin e mikeshës së tij, duke i kërkuar gjykatës por edhe mediave që emri i saj të mos dilte në publik.

Kujtojmë se mikesha e Shtrazës ka dëshmuar pak kokë më parë me dyer të mbyllura për arsye sigurie dhe ka thënë se Shtraza ka qenë me të ditët kur ndodhi vrasja e Çollakut.

Nuk dua që emri i saj të dalë në publik”,- mësohet të ketë thënë Shtraza, raporton “BalkanWeb”.

I njohur si person me tendenca të theksuara kriminale, me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës, Denis Shtraza u arrestua në janar të vitit 2016-të teksa tentonte të arratisej nga Shqipëria. Ai dyshohet të jetë dhe anëtar i një grupi kriminal që operon në zonën e Durrësit dhe të Tiranës.

Në vitin 2009, Shtraza u ekstradua nga Gjermania si autor i dyshuar i dy plagosjeve të rënda, nga gjykimi i të cilave u shpall fajtor, por doli me dënime të lehta që konsistonin në gjobë dhe 4 muaj burg.

40-vjeçari Gazmend Çollaku, u mor peng më 6 janar qytetin e Durrësit dhe një ditë më pas është gjetur i vdekur dhe i lidhur me këmbë e duar në afërsi të fshatit Murqin të Krujës, ndërsa shkak për vrasjen dyshohet të jetë bërë prishja e pazareve të drogës.

Viktima ishte qëlluar me armë në kokë dhe fillimisht mendohet se ekzekutimi i tij ka lidhje me vrasjen e dy të rinjve, Ervin Kodra dhe Endri Caushaj, ngjarje e ndodhur në muajin dhjetor, pranë hyrjes së Portit të Durrësit.

Çollaku u mor peng nga persona të veshur me uniforma policie dhe dëshmitarët në vendngjarje menduan se bëhej fjalë për një shoqërim të tij.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: