Publikohen disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’, i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit. Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili është fryt i një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur të disa prej grave dhe vajzave shqiptare që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj, Pertefe Mulleti, e me rradhë: Marie Deda, Hajrie Kazazi, Kushe Seknej, Mrike Pali, Zyliha Rusi, Roza Jakova, Fatime Dilaveri, Hatixhe Pipa, Marije Gjoka, Angjelina Topalli, Hatixhe Kopliku, Nafije Kopliku, Vebije Bushati, Budije Bushati, Adile Kazazi, Antonela Dostanishta, Nafije Stërmasi, Luçije Saraçi, Adile Meta, Qeuthere Meta, Feride Damnori, Vitore Ashta, Fetije Vuçiterni, Zehnije Gjylbegu, Xhyhere Kazazi, Luçije Malaj, Sadije Kazazi, Lezinë Toni, Zade Muka, Hava Repishti, Luçije Kurti, Rukije Bushati, Shaqe Logoreci, Qamile Myftija, Marie Ndokëllia, Rozë Çefa, Çilë Staku, Shaqe Marku, Lajde Arapi, Lutfije Barbullushi, Syme Muka, Zenepe Kraja, Fahrije Kazazi, Naxhije Curri, Nexhi Plaku, Lizë Vukeli, Bade Kjaraj, Hava Baçi, Xhehadire Boriçi, Vitore Kalaj, Katerina Benusi, Sofije Baja, Lenë Pjetri, Dava Markagjoni, Mrika Markagjoni, Marta Gjonmarkaj, Bardha Gjon Markagjoni, Kristina Gjomarkaj, Çelestina Gjomarkaj, Mrika Pervizi, Prena Pervizi, Kune Miraka, Sulltana Dine, Vera Dine, Agime Dine, Hamide Çela, Vera Dine, Kadrije Cami, Sanije Sulaj, Meliha Sulaj, Vashe Kola, Prena Llesh Gjeçi, Gjystina Seku, Ilda Melgusha, Agime Pipa (Aranitasi), Terezina Pali, Liza Pali, Adile Boletini, Nasibe Kazazi, Ana Daja, Dila Zef Ndoja, Zyraka Mano, Shanisha Dosti, Zojë Gjeloshi, Drane Stakja, Elena Luli, Sabiha Kasimati, Marije Deda, Marije Shllaku, Biçe Pistulli, Sadije Kazazi, Gjyzepina Çoba, Marta Doda, Frida Satedini, Vitore Kuka, Gjela Llesh Biba, Bardha Cub Marku, Liza Llesh Mali, Bardha Mark Bushkola, Marije Tuci, Olimbi Baruti, Angje Kovaçi, Bedrije Ashikja, Musine Kokalari, Motër Gjeorgjina, Liljana Radovani, Laura Keqi, Mrike Pepa, Mrike Zadeja, Angjelina Shantoja, Naime Koçi, Sheriar Sefa, Vitore Shllaku, Liza Gjon Voci, Nina Shiroka, Laje Mehmeti (RRema), Feride Beshiri (Quku), Hasije Ulqinaku (Quku), Sofije Kali, Çile Gjush Larja, Nurfezo Koprencka, Sanije Gjylbegu, Emilja Shestani, Marije Bregu, Vida Radovani, Nedrete Pipa, Motrat e Osman Kazazit, Safete Jusif Sokoli, Çiljeta Simoni, Lutfije Buashati, Sadije Bushati, Olga Schëeizer Libohova, Evelina e Ndoc Naraçit, Geraldina Apony-Zogu, Hilda Zyma. Marie Rafael, Zade Muka,Rukije Bushati, Hajrie Vrioni, Emine Gjyrezi, Xhemile Beqir Komi, Hedije Dume Repishti, Syme Muka, Fetije Vuçiterni, Sebije Puka, Marjeta Serreqi, Dhurata Sokoli, Klara Miraka (Merlika), Asije Habili, Sose Nik Sokoli, Liri Cenaj, Rudina Dema, Adelajde Miraka, Drane Jakja, Syriha Hasi, Aishe Gogaj, Luçija Kaçaj, Gjyljana Malaj (Pervizi), Nadide Kasaruho, Nadire Kërçiku (Peshkëpia), Shpresa Ballolli (Merdani), Makbule Frashëri, Mishan Çini, Gjyslyme Dervishi (Leka), Natali Arkandi Rozengolc (Pengili), Vigelmina Vitalij Kovaleshko (Veshi), Rukije Rama, Tefta Tasi, Liri Lubonja, Kozara Kati, Shpresa Ngjela, Vera Bekteshi, etj.

Mrika Markagjoni

(1885-1968)

Gruaja e Gjon Markagjonit, nënë e dhjetë fëmijëve, midis të cilëve e Markut dhe Sandrit të vrarë në mal, ndërsa Dedën e morën ushtar dhe e burgosën në moshën 22 vjeçare. E dënuan 5 vjet heqje lirie, e liruan, por pa arritur me shkue pranë familjes, e ri arrestuan dhe e kanë mbajtur për tre vjet të izoluar, nga Sigurimi i Shtetit në Tiranë.

Në hetuesi i bënin presion për diversion, për ta dërguar me aktivitet në radhët e Diasporës. E lanë 3 vjet pa u la, pa u ushqye, ka qenë gati duke vdekur, iu fry trupi dhe u prek nga anemia e theksuar! Me gjithë torturat që iu bënë, ai qëndroi i fortë dhe s’pranoi të bëhej bashkëpunëtor, domethënë vegël e sigurimit të shtetit.

Kur e panë që anemia kishte përparuar shumë, atëherë i dhanë ushqim, mandej e nxorën në gjyq dhe e dënuan për herë të dytë, shtatë vjet, gjoja për tentativë arratisjeje. Gjatë gjithë kësaj periudhe, zemra e nënës dhe motrave vuante, s’dinin se ku ishte djali dhe vllau i tyre. Si do flinte nëna e shkretë me këtë dhimbje të madhe që s’dinte ku e kishte të birin? A mundet ndonjë pendë poeti apo shkrimtari të shkruajë dridhjet e zemrës së saj dhe vuajtjen e shpirtit të nënës? Ishte cënuar figura e nënës (që ishte figura më madhështore e njerëzimit, e vjetër sa vetë ai) në mënyrë të pakonceptueshme…!

Provoi djali i Nënës Mrikë burgun e Shkodrës, të Tiranës dhe të gjitha kampet: Bedenit, Maliqit, Orman Pojan, etj. Plotësoi dënimin në vitin 1955, e liruan, por e dërguan drejt e në internim, në Kuç të Kurveleshit, një vit dhe mandej e internuan në Savër të Lushnjes.

Mrika Markagjoni

(1885-1968)

Kishte Nëna Mrikë që nga viti 1945 pa e pa të birin e saj. Zbritën nga makina të internuarit e kampit të Kurveleshit dhe nëna Mrikë pyeti:

-“Cili asht Deda i jem?”

Kur u takua me të birin ajo s’e njohu…! Dridhej zemra e saj, i copëtohej për vuajtjet e të birit, por ajo qëndronte e fortë, e fortë si e fisme që ishte. Sa mall, sa vuajtje!!!. “E thirrën nënën në Degën e Punëve të Brendshme dhe i thonë: “Me na tregue ku i ka paret Markagjoni?” – dhe nëna i përgjigjet: -“Paret t’i kërkoni atje ku nuk asht shtrue sofër (tryeze) asnjëherë”.

Kjo nënë qe shoqëruese dhe pa si i shkoi jeta vajzave të saj, mbesave dhe nipit të vogël 6 vjeçar, që u rritën në internime deri ditën që u nda nga jeta në vitin 1968. Edhe një nënë tjetër vdiq në internim. Ndërsa djali i saj, Deda, mbeti i internuar deri në vitin 1991. Mbeti pa formuar familje. Një jetë e tërë me vuajtje dhe padrejtësi. Znj. Mrika ishte vajzë e Gjokë Pjetër Pervizit – kusheri i Prenk Pervizit e Gjok Pjetër Pervizit – vëllai i të cilit, Gjini, ishte udhëheqës i kryengritjes së Kurbinit dhe ngriti flamurin në Milot po me 28 Nëntor 1912.

Me këtë martesë u përforcua miqësia midis dy fiseve të tyre. Përveç pësimit që pati në familjen e saj të Gjomarkajve, ajo pësoi humbje të tjera në familjen prindërore. Nga diktatura komuniste, i’u vra i vëllai dhe shtatë nipër. Disa vdiqën në burgje e kampe, duke përfshirë dhe fëmijë. Me familjen e kushëririt të Prenk Pervizit, ndau gjithë jetën kampet e internimit deri me vdekjen e saj, ne Savër të Lushnjës, pas 24 vjet internimi, në moshën 83 vjeçare.

Marta Gjonmarkaj

(1916 – 2006)

E bija e Gjon Markagjonit. E internuan në vitin 1945, bashkë me gruan e vëllait të saj, Martën, që ishte e paralizuar, sapo iu vra i shoqi. E dënuan Martën me 7 vjet burg, për agjitacion e propagandë dhe gjoja se mbante lidhje me të vëllezërit, se gjoja ka patur kontakt me ata të malit?! (Sa për t’u çuditur, duke qenë e internuar, e izoluar si mund të takohej me ata të malit?!) Vitet e dënimit i kaloi në burgun e Beratit.(Nga amnistia që u bë me rënien e Koçi Xoxes, iu falën 4 vjet.)

Sa mbaroi burgun, e internuan në kampin e Tepelenës. Gjatë viteve të internimit punoi në Berat, Tepelenë, Vlorë dhe punoi në fabrikën e tullave Tiranë, në Kamëz (punim me tubat), në Lushnjë në Savër (1953) dhe në sektorin e Gjazit (ishte bashkë me të vëllain Dedën), i kishin ndarë nga pjesa tjetër e familjes, punonin në bujqësi.

I ka shërbyer nuses së vëllait që ishte e paralizuar për 30 vjet rresht. Në periudhën që ishte në internim me të vëllain, Dedën në Gjaz, i’a arrestojnë për të tretën herë në vitin 1977, motivacioni dihej, gjoja për agjitacion e propagandë, e dënuan 10 vjet, përsëri burg, burg… në përjetësi, burg, burg komunist.

E liruan Dedën prej burgut të tretë, por përsëri u hap dera e madhe e internimit (ishte pa derë) në Gjaz (afër Krutjes), tani ishte bashkë me të motrën Martë dhe nipin Gjon (që ishte vetëm 6 vjeç kur e internuan dhe u rrit në kampet e internimit). Dy herë në ditë në apel, në mëngjes dhe në mbrëmje. U liruan vetëm në vitin 1991. Liria – a erdh liria??!!

Marta Gjonmarkaj

(1916 – 2006)

Bardha Gjon Markagjoni

(1925)

E bija e Gjon Markagjonit. Vazhdoi shkollën e Murgeshave në Shkodër, mandej kolegjin në Itali. Në vitin 1943 erdhi për pushime pranë familjes në Shkodër. U mbyllën kufijtë, pas luftës dhe mbeti në Shqipëri, duke i mbetur studimet përgjysmë. Në moshën 20 vjeçare me 1945 e internuan. E mbajtën në shtëpinë e Guljem Sumës (që e kishin bërë burg), ishin bashkë me familjet e Muharrem Bajraktarit, Kolë Bibë Mirakaj, Llesh Marashi. E internuan në Berat, e dërguan nëpër shtëpi të vjetra, ku u jepnin vetëm një copë bukë për t’u ushqyer.

-“Mbas një viti na dërguan me punë të detyruar” – tregon Bardha -“tek ullishtat e Beratit dhe në fermën e Kuçovës. Si shpërblim për punën na jepnin vetëm bukën, ndërsa në Kuçovë edhe gjellë kazani (që ishte më shumë lëng e barishte)”. -“Ne” – vazhdon tregimin zonja e nderuar Bardha – ishim të persekutuar politikisht, se djemtë ishin me rezistencën antikomuniste. Më mbajtën 4 vjet në Berat, por këtu më burgosën. Me mbajtën 5 muaj nën arrest, pa fletë arrestimi. Më kanë mbajtur të lidhur nga këmbët, që të mos takoja të arrestuarit e tjerë, që ishin bejlerët e Beratit. Më kanë futur në një gropë, pa dritë, mandej në një dhomë të madhe, vetëm, fare vetëm, ndërsa në dhomat e tjera ishin të arrestuarit e grupit të Sami Qeribashit, që çdo natë i rrihnin, i rrihnin pa pushim dhe britmat e tyne i dëgjoja dhe unë… Me sytë e mi kam pa si i arrestonin pa fletë arrestimi, të dënuarit i torturonin, tortura të pafund, të lloj-llojshme”.

-“Më kujtohet”- vazhdon ajo- “ishim të izoluar, Hamit Myftiun e kishin futur në një musëndër (domethënë një dhomë e vogël, brenda dhomës së madhe, pa dritare që shërbente për vendosjen e shtrojave të fjetjes si: dyshekë, jorganë, etj.), ndërsa mua më kishin futur nën shkallë. Dizinfektantin e UNRRES që ishte dhënë për dezinfektimin e burgut nga insektet parazitë, rojet e përdorën për mjet torture. Dezinfektuan musëndrën ku kishin futur brenda Hamit Myftiun, ia mbyllën kapakët dhe e lanë nën torturë.

Ai nuk mbushej me frymë dhe kështu e lanë gjithë kohën, ndërsa i burgosuri tjetër Tajfur Asantalen, që kishte 11 muaj nën torturë (ishte 60 vjeç), ia kishin lidhur duart aq fort, sa i ishin infektuar kyçet. Mjeku erdhi t’ia mjekonte plagët, por i kishin zënë krimba dhe hetuesit i thonin”:-“Të kemi thënë që do të të lëmë të të hanë krimbat”.

-“Mbas shumë e shumë torturash, që s’mund të përshkruhen, se çdo ditë kishte një model të ri torture, të gjithë grupin e Sami Qeribashit e pushkatuan. Eshtrat e tyre u gjendën nga familjarët në vitin 1991, në një gropë të përbashkët dhe skeletet që u gjetën, ishin të lidhur me pranga. Ditën që dola nga burgu, gjeta gjyshen Davë që sapo kishte mbushur të 90-at, e cila vdiq në internim. E varrosa në Berat, më ndihmoi gruaja e vëllait, që ecte me vështirësi dhe më vonë u paralizua plotësisht. Gjyshes Davë i humbi varri”.

Historia e Bardha Markagjonit është mbushur me shumë vuajtje dhe çuditesh kur e sheh sot, në moshën 80 vjeçare, që ka një kujtesë brilante dhe trupin e mban drejt dhe biseda me të të dërgon në ato vite të mbushura me vuajtje të pafund, në veçanti për shtresën që cilësohej nga kasta e kuqe, e deklasuar…

Historia e dhimbjes vazhdon dhe po e tregoj sipas bisedës me zonjën Bardha:

-“Në vitin 1949 na dërguan në kampin e Tepelenës. Jetonim në kapanone deri në 200 vetë, pa dallim gjinie. Era e murrlani bënte që të ftohtit të na hynte

deri në palcë. Ne, gratë, ngarkonim drutë në shpinë (kurriz), që djemtë tanë i kishin prerë në malin e Turanit dhe ne gratë të ngarkuara, i zbrisnim në fushë për furnizimin e degës, të furrës dhe të familjeve të oficerëve. Çdo ditë i ngjiteshim malit përpjetë, mandej e zbritnim të ngarkuara. Me qindra njerëz vdiqën nga uria. Në atë periudhë, në kamp, ra dizenteria, vdiqën shumë njerëz, në veçanti me dhjetëra e dhjetëra fëmijë. Një malësores i vdiqën të dy binjakët. Mbas kësaj historie makabre, na u vu kazani për ushqim, që ishte vetëm lëng…o Zot!!!

Një ngjarje që më la mbresa, ishte aksidenti që ndodhi me makinën që transportonte të internuarit në drejtim të Tepelenës, në malin e Këlcyrës (viti 1949). Shumë u plagosën, por më e dhimbshmja ishte se vdiqën Fadil Petrela dhe Maje Kupi (burrë e grua), ndërsa të tre fëmijët e vegjël, që ishin në prehrin e hallës së tyre, mbetën jetimë (më i madhi 8 vjeç)”.

-“Ndërsa” – thotë ajo- “shoferin dhe policët s’i gjeti asgjë!!”

-“Ndërsa Zef Dajçi dhe gruaja e tij Roza u plagosën. Zefi mbeti i paralizuar. Pesë vjet në Tepelenë… që ishte çdo ditë me të papritura dhe duhej të përballoje të ftohtin, që të hynte në palcë. Në vitin 1953 vazhdoi internimi në Savër, puna në bujqësi, apeli dy herë në ditë… Në çdo transferim, transportonim me vig të paralizuarën, nusen e vëllait, që mbeti kështu për dekada”.

-“Në vitin 1965”-tregon Zonja Bardha-“u martova me Zotin Gjergj Bici (kishte bërë 20 vjet burg politik, punonte në Bonifikim, në Tresh, Lezhë).

Erdha në Milot. Në rrethet Lushnje, Fier dhe Krujë kisha të drejtë të lëvizja pa apel, kisha leje qarkullimi. U vendosëm në Milot. Burri punonte tek Ura e Matit. Dhjetë vjet martesë, fëmijë nuk pata, por në vitin 1975 na arrestuan të dy, na dënuan për agjitacion e propagandë. Dëshmitarë kishim një burrë dhe një grua që nuk i kishim parë asnjëherë. Na dënuan me dhjetë vjet heqje lirie. Isha 50 vjeçe.

Më kanë mbajtur 11 muaj të izoluar, në arrest, s’kishim të drejtë të takonim familjarët. Të gjitha rrobat m’i konfiskuan. Tërë atë periudhë e kam kaluar me një fund dhe një bluzë (si në stinën e verës ashtu dhe në të ftohtë). Ushqimi ishte supë lakrash (gjella e vetme e kazanit). Më çuan në burgun Kosovë të Elbasanit, ndërsa burrin në Ballsh të Fierit. Kam punuar 4 vjet në fermë, në bujqësi. Mbas moshës 54 vjeçare nuk kam dale më në punë, qëndrova në burg“.

Jetonim në një kapanon 75 të burgosura (nga kasta e kuqe ishte Asamble Kondi, Mira Bumçi dhe të familjes Dume). Në burg kisha Gjyljana Andrako (motra e monsinjor Ernest Çobës), ishte martuar me një italian dhe kishte dy djem. E futën në burg vetëm pse kishte shkuar në konsullatën italiane për të tërhequr pensionin e të shoqit. E dënuan 18 vjet burg (në vitin 1975), ndërsa djalin e madh e dënuan 7 vjet, djalin tjetër ia çuan në internim.

Në vitin 1982 më liruan nga burgu (më kapi falja), më ulën dënimin. Në vitin 1986 më kanë internuar në Fishtë (Zadrimë – Lezhë). Aty gjeta familjen e Fadil Paçramit – Violetën dhe të Todi Lubonjës – Lirinë. Kemi shkuar shumë mirë. Bëra 8 vjet internim, aty më erdhi dhe burri, mbasi i mbaroi 10 vitet e burgut të dytë. Më erdhi bashkëshorti im, i vuajtjeve të pafund, në vitin 1985, por më 1986 më vdiq. Nga burgu erdhi i sëmurë me kancer në mushkëri…

Mbeta e vetme në internim. Pjesëtarët e tjerë të familjes nuk i kisha pranë. Ata ishin të internuar dhe burgosur në vende të tjera. Në vitin 1991 erdha në Shkodër, sapo filluan lëvizjet demokratike. U futa në shtëpinë e prindërve, me shumë vështirësi u sistemova në një dhomë. Atëherë filloi një erë e re, ajo e bashkimit. Mbas persekutimit që nga viti 1945 deri me 1991, domethënë mbas 46 vitesh, u grumbulluam pjesëtarët e familjes që kishim mbetur gjallë.

Gjatë bisedës, zonjës Bardha i drejtova një pyetje:

-“Zonja Bardha, me gjithë këto male vuajtjesh, cili mbeti në jetën tuaj, kampi më i zorshëm?” – në fakt zëri im u dridh, se m’u kujtua Reshit Mulleti, djali i xhaxhait tim, që kishte ecur nëpër të njëjtat rrugë vuajtjesh e persekutimi.

Më përgjigjet zonja Bardha:

-“Më i forti, më i zorshmi, ka qenë kampi i shfarosjes, ai i Tepelenës, që s’ka pendë që e përshkruan: kanë vdekur fëmijë në masë, pleq. Nxjerrja e të vdekurve nga varret. Ushqimi mizerje. Trajtim shtazarak nga ana e policëve. Klima e ashpër, të ftohtit në palcë, të zbathur, të paveshur. Jeta në kapanone ishte një torturë më vete, natën s’kishim të drejtë të dilnim për nevoja vetjake. Errësira…e shumë e shumë vuajtje të tjera, të pafund… me të drejtë e quajmë Tepelenën kampi i shfarosjes”.

Kjo është jeta e femrës që i filluan vuajtjet në moshën 20 vjeçare dhe si u vranë pa mëshirë ëndrrat e saj të rinisë dhe i shkoi jeta në burg dhe internim. A ke me çfarë e ngushëllon këtë femër, kur sistemi komunist e ktheu hakmarrjen e tij tek familja dhe u morr me gra, pleq dhe fëmijë? Memorie.al

Vijon numrin e ardhshëm

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb