Dëshmia e Mirel Josës: “Rragami na dha lajmin i pari për vdekjen e Enverit; Ka mërdhif ‘Daja’, tani do bëhemi me makina”!

38 vite kanë kaluar nga ai fund-maji i 1985-ës dhe ne po përpiqemi të sjellim disa detaje të pathëna më parë nga ndeshja e famshme Shqipëri-Poloni 0-1. Sapo ishte ndarë nga jeta diktatori Enver Hoxha, pastaj tragjedia e “Hejselit”, para finales së Kupës së Kampioneve, të mërkurën e 29 majit dhe një ditë më pas, në “Qemal Stafa”, luhej Shqipëri-Poloni, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror. Si lindi çështja “Boniek”, takimi me Bonipertin, ndërhyrja e Suzana Anjelit, peripecitë se pse pengohej udhëtimi i tij në Tiranë, deri te dhënia e vizës, në “shkëmbim” të një fanelle të Platinisë: Në një intervistë ekskluzive me z. Luftar Maile, ish-zyrtarin e ambasadës sonë në Romë, që për herë të parë pas kaq vitesh, zbulon të vërtetën e refuzimit të leje-kalimit për ish- ‘asin’ polak të Juventusit. Takimi i Mailes me legjendën braziliane, Pele-në, në Fiumiçino dhe si u çmend ai nga bukuria e vajzave shqiptare?!

Në një rrëfim të rrallë për shqetësimin dhe pasigurinë e drejtuesve të federatës polake, për mosardhjen e Boniek-ut dhe si mori dhenë disa orë para takimit, lajmi se; “Boniek, ka ardhur me çarterin e Anjelit”. Si e kujton sot mesfushori Mirel Josa, vdekjen e diktatorit Enver Hoxha, ndeshjen e shtyrë me Greqinë, ankthin në Kombëtare; “do të vijë apo jo Boniek” dhe “zhgënjimi” për bluzën e premtuar. Minuta fatale e golit të realizuar nga i sapoardhuri nga “Hejseli”, në një rikthim tek ai moment, nga portieri Perlat Musta.

Shpresat për kualifikim, vdekja e Hoxhës, tragjedia e “Hejselit” dhe ndeshja të enjten!

Kishte më pak se një muaj, që Shqipëria ishte ndarë përfundimisht me diktatorin Hoxha, i cili kishte ndërruar jetë më 11 prill të 1985-ës dhe ishte planifikuar që të luhej ndeshja Shqipëri-Greqi. Nuk u luajt dhe u shty për në tetor. Bëmat e atij edicioni, nuk mbaronin këtu…! Çudira ndodhin edhe të enjten e 30 majit, kur në “Qemal Stafa” do të zhvillohej Shqipëri-Poloni, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Meksikë ’86”. Nuk ishte hera e parë që ndesheshin. Sa për pak histori, sjellim në kujtesë: – Më 10 tetor të 1970, në ndeshjet për eliminatoret e Kampionatit Botëror të Futbollit të zhvilluar në Katovicë, Poloni-Shqipëri 3-0. (Golat; Gadoha, Lunaksi, Soltisick) dhe barazimi jo pak i vogël më 12 maj 1971, në stadiumin “Qemal Stafa”, Shqipëri-Poloni 1-1 (goli nga Din Zhega).

Më pas shorti na vë sërish kundër polakëve në “Meksikë ’86” dhe në grup janë: Belgjika e Shifos, Polonia e Boniekut, sigurisht pretendente, Greqia dhe Shqipëria. Në tetor 1984, në kalendar janë dy takime: Në Bruksel më 17 tetor “Hejsel Stadium”, Belgjikë-Shqipëri, 3-1 (goli Bedri Omurit ’84). Pas dy javësh, më 31 tetor, në Mielec të Polonisë, takimi Poloni-Shqipëri, 2-2 (Smolarek ’23, Omuri ’54, Agustin Kola A. ’76, Palaz ’79), një barazim befasues, kur takimi edhe mund të fitohej. Por, për skuadrën që drejtohej nga Shyqëri Rreli e ndihmësi Medin Zhega, “bomba”, do të vijë në dhjetor, Shqipëri-Belgjikë 2-0 (Mirel Josa ’69, Ben Minga ’86). Një rezultat befasues, për opinionin sportiv europian dhe papritur lindin shpresat, për pjesëmarrje në fazën finale të Botërorit Meksikan.

Boniek-Platini

Por, në shkurt të 1985-ës, Greqi-Shqipëri 2-0, pastaj Shqipëri-Poloni 0-1, që zbehin përfundimisht ëndrrën botërore. Ndërkohë, pas Botërorit “Gjermani ’74”, ku shkëlqeu, kombëtarja polake kishte një dekadë që ishte në elitë. Luante një futboll modern, të shpejtë, të frikshëm dhe kishte lojtarë cilësorë, mbi të gjithë, të famshmin Boniek. Ishte futbollist klasi, titullar me Juventus në Serinë A. Por, në ndryshim nga ndeshja e Mielcit në Poloni, gjysma e skuadrës nuk do të vinte në Tiranë, ndër ta legjendari Zmuda, si dhe të tjerë, emra të rinj do të shfaqen në “Qemal Stafa”, bashkë me ta; Smolarek e Boniek.

Në skuadrën kuqezi, nga sfida e parë, nuk do të luajnë Ferit Rragami dhe Haxhi Ballgjini, të zëvendësuar nga Hysen Zmijani e Fatbardh Jera. Nga UEFA, takimi ishte programuar të zhvillohej të enjten dhe jo të mërkurën, i caktuar për finalen e Kupës së Kampioneve. Pikërisht atë mbrëmje, Juventusi fiton 1-0 ndaj Liverpulit dhe merr trofeun evropian. Dyshja; Boniek-Platini, ishte vendimtare në triumfin e bardhezinjve. Madje, Boniek, merr penalltinë që Platini e transformoi në gol. Por, pas mbrëmjes së finales në tragjedinë me 39 të vdekur në stadium, (gjë që u përjetua shumë edhe në Tiranë), në opinionin sportive, shtrohej pyetja: “Pas tragjedisë, a do të vijë Bonieku në Tiranë”?! Dhe papritmas lajmi që mori dhenë: “Boniek ka ardhur”. Nga gazeta “Sporti Popullor”, e 4 qershorit 1985, informohemi për ndeshjen e Shqipërisë ndaj Polonisë:

E enjte më 30 maj, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të kryeqytetit, ora 17:00.

SHQIPËRI-POLONI 0-1

SHQIPËRIA: Musta, Zmijani, Hodja, Targaj, Omuri, Jera, Muça (Mile 60′) Demollari (Marko 81′) Josa, Minga, Kola. Trajner: Sh. Rreli

POLONIA: Minarcik, Pavlak, Vojciski, Pshebes, Ostrovski, Matilshik, Boniek, Urban (Taraseviç 87′), Xhekanovski, Boniek, Smolarek. Trajner: A. Piehnicek

SHËNUES: Boniek 24′

ARBITRA: Zhezhov, Jerimov, Dotcev nga Bullgaria

SPEKTATORË: 17.000

KORNET: 6-3

Ndeshjes së ekipeve A, i parapriu ajo e skuadrave ‘Shpresa’, e zhvilluar ditën e mërkurë, më 29 maj në Berat, në kuadrin e Kampionatit të V-të Europian të kësaj moshe. Rezultati 2-1 për polakët, ndonëse shqiptarët ishin të parët në avantazh me Fakajn në ’32 dhe 1-0, u mbyll pjesa e parë. Për ‘Shpresat’ që drejtoheshin nga Fatmir Frashëri, luajtën: Durim Mersini, Stafa, Ramadani, Artur Lekbello, Adnan Ocelli, Adrian Arbëri, Agim Canaj, Briza, Lefter Millo (Imami 79), Sokol Kushta dhe Faslli Fakaj. Të nesërmen në faqen e parë, krahas një titulli të madh, ku shqiptarët njoftohen se janë likuiduar dëmet e tërmetit, është edhe një shkrim i gjatë, nga Ismet Bellova dhe Nexhat Gjuzi, për takimin e shumëpritur të formacioneve “Big”.

“Një fillim i vrullshëm me një rast ideal për Ben Mingën në minutën e dytë, hezitim, i papërgatitur për rrethanën që u krijua dhe sigurisht, nuk mund të shënonte…! Më vonë, loja do të barazohet, për të ardhur te minuta e 24-t, kur Boniek, pasi merr një top me mjeshtëri nga Urban, gjuan rreptë dhe 1-0! Gabim i mbrojtësve, i portierit? Më shumë se kaq, edhe meritë e lojtarit të njohur polak!” Renditja: Polonia 7, Belgjika 7, Shqipëria 3, Greqia 3 pikë. Në tetor, Shqipëri-Greqi 1-1 (Omuri ’26) dhe këtu mbyllet aventura kuqezi.

Dëshmia e ish-diplomatit shqiptar në Romë, që zgjidhi çështjen “Boniek”

Luftar Maile, ish-diplomati shqiptar në Itali para viteve ’90-të, i rikthehet çështjes “Boniek”, si njeriu që është marrë direkt me leje-vizën për hyrjen në Shqipëri të lojtarit të kombëtares polake, Zibi Boniek. “Isha shef i zyrës konsullore në ambasadën tonë në Romë. Mbuloja edhe sportin. Marrëdhëniet me Italinë, ishin shumë të mira dhe më 1 maj, ishte parashikuar një koncert në Tiranë i këngëtarit Claudio Vila, si dhe të tjera evenimente që ishin në projekt për atë vit. Pasi vdiq Enver Hoxha, u krijua një situatë kaotike dhe tejet delikate. Janë kujtime që nuk i kam thënë asnjëherë”, tregon Maile

Z. Maile, çfarë ndodhi gjatë atyre orëve që diskutohej ardhja e Boniekut dhe si ishte komunikimi juaj me klubin e Juventusit?

Rreth dy javë para takimit, më merr në telefon një zonjë me emrin Zola, nga klubi i Juventusit. Ishte hera e parë që komunikoja me një klub futbolli, pa e ditur e shkuar ndërmend, se cili ishte motivi. “Boniperti, presidenti i klubit, kërkon të flasë me ju. Kur mundet”?, më pyet ajo. “Edhe tani”, i përgjigjem dhe pas pak më lidhi me të.

Në bisedë ai më thotë, se të nesërmen paradite, dëshironte të vinte në ambasadë. Erdhi i shoqëruar me një femër dhe një person tjetër. Më tha që interesoheshin për një leje-kalimi për në Tiranë, për ndeshjen Shqipëri-Poloni, të lojtarit të Juventusit, Boniek. Fillimisht u stepa dhe pata një hezitim, apo më saktë një lloj frike rreth asaj kërkese që po më bëhej.

Hezitim dhe frikë, nga se…?!

Sa kishte vdekur Enver Hoxha, hyrje-daljet për në Shqipëri u kufizuan, strukturat kufitare kaluan në gatishmëri. Frika për ndërhyrje nga bandat dhe segmentet e caktuara, ishte e madhe dhe Italia konsiderohej si bazë për futjen e tyre në Shqipëri, kryesisht nga deti. Në të tilla rrethana, një vizë apo një leje-kalimi për në vendin tonë, nuk jepej kollaj. Duhej një miratim special nga Tirana, një faks shoqërues nga ana jonë, pas të cilës ne njoftonim pikat e hyrjes në Shqipëri. Pa lejen e zyrës sonë konsullore, nuk zbrisje dot në Rinas.

A e refuzuat ju ardhjen e Boniekut me çarter?

Në takimin me Bonipertin, i them se do flisja me Tiranën dhe do t’i informoja. Ndërkohë, nga Ministria e Jashtme, shefi i zyrës konsullore, Hysen Reçi, tifoz i “17 Nëntorit”, më thotë: “Mos bëj gafë t’ia japësh lejen, se do të kesh pasoja…! Si do ta japësh, kur jemi në gatishmëri?! Prit që aprovimi të vijë zyrtarisht, jo me fjalë”, më njoftonte në telefon. Ishte fakt se në atë periudhë, hyrjet-daljet ishin të kufizuara për të huajt, aq më shumë me avionë çarter.

“Taromi”, që bënte Bukuresht-Tiranë-Romë e anasjelltas, vinte një herë në javë të mërkurën, tragete s’kishte, vetëm një herë në 10 ditë, nga Trieste. U lidha sërish me Bonipertin dhe e informova duke i thënë: “Pasi komunikova me Tiranën, ju qëlloi fati i keq, pasi vendi ynë është gatishmëri dhe eprorët më thanë ‘jo’. E refuzuan leje-kalimin dhe hyrjen e futbollistit tuaj në Shqipëri”.

Realisht ishte ky motivi i vërtetë i refuzimit?

Ky ishte një shkak që Boniek të mos vinte në Shqipëri. Shfrytëzohej situata në këtë rast, nuk i thoshin troç, që nuk donin që Boniek të vinte në Tiranë, për ndeshjen kundër Polonisë. Në darkë më merr në telefon Suzana Anjeli, zv/ministre e Jashtme e Italisë, e më thotë se; për marrëdhëniet e mira që kemi, duhet të ndërhyja, për të ardhur Boniek në Tiranë. “Unë mund të kisha qenë nuse shqiptare nga miqësia, njohja që kam pasur me Isuf Vrionin, dhe ky është një motiv më tepër”, më thotë. “Mirë, – i përgjigjem, – do të flas, por nuk është në dorën time”.

Çfarë pasojash kishte mosardhja e Boniekut në Tiranë?

Ndërkohë, qeveria jonë i kishte dërguar federatës polake njoftimin, se ne prisnim vetëm avionin e skuadrës dhe rregullat tona, nuk e lejonin të vinte askush individualisht, duke i nxjerrë problem, gatishmërinë kombëtare. Edhe Boniperti kishte faksin, me të cilin kishte komunikuar me federatën polake, që i garantonte nga Juventusi ardhjen e Boniekut në Tiranë, duke udhëtuar me çarter. Kështu, nëse pengohej ardhja e tij në Tiranë, për të luajtur me kombëtaren, do të kishte probleme për federatën tonë dhe Juventusin.

Po si ndryshoi urdhri më pas dhe pse ia dhatë vizën Boniekut?

U lidha prap me Tiranën, e më thonë përsëri “jo”. Përgjigjen ia përcolla sërish Suzana Anjelit, duke e informuar se; Boniek nuk mund të niset. “Atëherë do të flas vetë zyrtarisht me Ministrinë e Jashtme”, m’u përgjigj ajo. Muhamet Kapllani, zv/ministër në atë kohë, pasi kishte komunikuar me të, më merr e më thotë: “Po ngatërron shtetet more…, jepi vizën”. “Më keni autorizuar që të mos i jap, – i thashë. – Duhet të më vijë zyrtarisht”. “Jo, jo, jepja leje-kalimin dhe lajmëroji të vijnë ta marrin”, më urdhëroi ai.

Si vepruat pas kësaj dhe a ngelën të kënaqur ata?

Jo plotësisht, pati sërish një kusht…!

Çfarë kushti?

I njoftova, erdhën, më sollën dokumentacionin, i përgatita leje-kalimin kufitar dhe kur ua dorëzova, duke u larguar pasi siguruan udhëtimin e Bonikeut në Tiranë, u them: “Vizën jua bëra, por me një kusht…”! “Po, urdhëro”, më thanë pak të befasuar. “Në shkëmbim, dua një fanellë të Platinisë”, u thashë me shaka. Qeshëm. “OK”, më thanë, por me një “kusht”, m’u përgjigjën edhe ata: “Je ftuar të vish në Bruksel, në finalen e Kupës së Kampioneve, Juventus – Liverpul, që luhej pas disa ditësh”. Më futën në listën e njerëzve të nderuar të klubit dhe më dërgonin biletën e ndeshjes e të udhëtimit, sa herë që luante Juventusi.

Shkuat në Hejsel, çfarë ndodhi aty?

Grupi familjar i Anjelit, erdhi me çarter në Romë e bashkë me ta udhëtova për në Bruksel. Kur shkuam në stadium, kishte konfuzion. Aty mësuam se çfarë kishte ndodhur. Pastaj ndeshja. Pas saj me drejtuesit e Juventusit, zbritëm për në dhomat e zhveshjes. Gëzonin me njëri-tjetrin, por ishin të shokuar. Kishin përgatitur pa më thënë edhe një surprizë për mua. Papritur erdhi Platini dhe më dha fanellën e tij. Në praninë time, shkroi një dedikim: “Dhuratë z. Malia”. U befasova. Nuk e kam se edhe unë ia dhurova një mikut tim, Hysen Shahut, (ish-zv/ministrit të Brendshëm të atyre viteve, që e donte futbollin, i ndarë nga jeta, para disa vitesh). Aty takova edhe Boniekun, e kur ata i thanë: “Ky është ai që të ka dhënë ‘permesso’-n”, më përqafoi.

“Faleminderit”, më tha. Pas tri ditësh, Zola, sekretarja e Bonipertit, mori në telefon ambasadën dhe më kërkoi mua. “Nuk është këtu, – iu përgjigj një punonjës, – e kanë kthyer në Tiranë”. “Pse”, pyet ajo e shqetësuar? “Sepse i dha vizën Boniekut. Ishte ai që shënoi golin dhe ne humbëm…”! Ajo e habitur heshti, por kur i thanë se ishte shaka, u qetësua. Më mori të më falënderonte. Kujtoj se nga miqësia që krijuam, Boniperti ishte i interesuar dhe ka ndihmuar shumë studentë shqiptarë në Torino, për një leje qëndrimi, problemet me kuesturën, etj.

Më treguat, se keni takuar Pelenë dhe se braziliani u mahnit nga bukuria e vajzave shqiptare…! Si është historia?

Po, është e vërtetë. Ndodhesha në Fiumiçino, duke pritur ansamblin “Migjeni”, nëse nuk gaboj, që vinte nga një turne në Algjeri. Do t’i shoqëroja për të parë Romën, se kisha një autorizim, që mund t’i nxirrja nga aeroporti. Aty ishte edhe Pele, priste një ekip. E shoqëronin ata të ambasadës braziliane, e duke qenë se njihesha me ta, gjatë pritjes u takuam, biseduam, madje më dhuroi një foto të tijën.

“Mikut tim Malia”, shkroi, të cilën ia kam dhënë Limoz Dizdarit. Kur vajzat e ansamblit erdhën, u afruan. “Unë jam shoqëruesi i tyre”, i them Pelesë. I hutuar, i shtangur më drejtohet: “Sa vajza të bukura! Shpresoj të vij e të shihemi në Shqipëri”, më tha.

Dëshmia e Mirel Josës: “Rragami na dha lajmin i pari për vdekjen e Enverit; Ka mërdhif Daja, tani do bëhemi me makina”!

Ka qenë e enjte e 11 prillit 1985. Një ditë përpara zhvilluam një miqësore me Flamurtarin në ‘Qemal Stafa’, në prag të sfidës ndaj Greqisë në Tiranë. U mbyll 0-0 dhe u kthyem në Durrës. Të nesërmen paradite bëmë një seancë stërvitje me Zhegën, pasi Rreli qëndroi në dhomë. I pari që na dha lajmin se kishte vdekur diktatori ishte Ferid Rragami, kur u fut në dhomat tona e na tha: ‘Ka mërdhif, ngordhi Daja, tani do bëhemi me makina’.

Në orën 12:00 na njoftuan për një mbledhje urgjente te mensa e konvaleshencës. Në të gjithë vendin, në të njëjtën kohë u dha njoftimi se kishte vdekur Enver Hoxha. Grumbullimi u mbyll, takimi me Greqinë u shty, u nisëm për Tiranë, për ceremoninë mortore që vijoi disa ditë”, kujton Mirel Josa

Z. Josa, si ishte atmosfera para ndeshjes me Poloninë?

U grumbulluam sërish në konvaleshencë, te Plepat. Më 29 maj në darkë kemi ndjekur finalen Juventus-Liverpul. Nuk kuptonim çfarë kishte ngjarë dhe trajnerët që nuk na lejonin se u bë vonë, e të nesërmen kishim ndeshjen. Por, pas asaj që ndodhi në Hejsel, lindi dyshimi: Do të vijë apo jo Boniek në Tiranë?!

Edhe në analizën e paradites, u diskutua çfarë do të bënim nëse ai vjen, e nëse jo, deri kur na njoftuan se ka ardhur. Në Poloni ishte ndër pikat e forta, lojtar i Juventusit, bashkë me Platininë dhe ne si admirues të skuadrës italiane, e njihnim lojën e tij. Atje nuk pati mbulim personal, isha unë që do ta kontrolloja, kur i afrohej portës, se ai luante pas dy sulmuesve.

Më keni treguar për një premtim, për çfarë bëhej fjalë?

Unë në Mielec, i kërkova Boniekut bluzën e Juventusit. Ma premtoi të ma sillte kur të vinte në Tiranë. Para lojës në “Qemal Stafa”, bëra një foto me të, por nuk më tha asgjë, edhe unë nuk ia kujtova. As fanellat nuk i shkëmbyem pas ndeshjes, sepse si ne edhe ata, e kishin problem këmbimin e tyre.

Këtu ne luajtëm me bluza të reja, të kuqe, me mëngë të shkurtra nga trikotazhi i Korçës, e nëse e dhuroje apo ta këmbeje, të krijonte probleme. Do ta paguaje, se më shumë ishte stema që kushtonte, pastaj “pse e dhe, ke prishur uniformën, ku ta gjejmë fanellën tjetër”, se vetëm ajo ishte, edhe për takimet e tjera.

Nga një ndeshje e humbur u larguan trajnerët dhe më pas vjen Sulaj. Çfarë mbani mend?

Ne luajtëm mirë, por nuk patëm fat. Edhe këtu, ashtu si në Poloni, u orientuam që Boniek të lihej i lirë, të kishte mbulim zonal nga unë. Ata fituan me golin e tij, që shënoi në të vetmin moment që u ndodh i lirë, me një gjuajtje, dhe jo nga një aksion, inkursion tipik i tij. Të nesërmen paradite, do të bëhej analiza te qendra e grumbullimit te “Qemal Stafa”. Aty na njoftuan se ishin shkarkuar trajnerët dhe ekipin e mori Agron Sulaj. Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: