Kjo është historia e panjohur e pjestarëve të mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë, të cilët Enver Hoxha i eliminoi të gjithë duke filluar që nga periudha e Luftës me Anastas Lulën dhe Sadik Premten, për të vazhduar më pas me Koci Xoxen, Kristo Themelkon, Tuk Jakovën, Sotir Vullkanin, Ramadan Çitakun e Koço Tashkon. Të vetmit që i shpëtuan ndëshkimit, ishin Pilo Peristeri që u la në postin e Drejtorit të Kombinatit të Autotraktorëve dhe Sinan Hasani, i cili që gjatë Luftës u dërgua me mision në Kosovë prej nga nuk u kthye më, dhe pas vdekjes së Titos ai arriti postin e Presidentit të Republikës Federative të Jugosllavisë…


Plot 78-vjet më parë, në 8 nëntor të vitit 1941, disa anëtarë të grupeve komuniste të Shkodrës, Korçës dhe Tiranës, të cilat ushtronin aktivitetin e tyre ilegal që nga mesi i viteve ’30, u mblodhën në një shtëpi tiranase dhe shpallën krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Pak muaj më vonë, në krye të asaj partie doli Enver Hoxha, i cili për afro 45-vjet me rradhë drejtoi me dorë të hekurt Shqipërinë, duke instaluar këtu një nga diktaturat më të egra të modelit stalinist. Dorës së hekurt të Enverit, i cili gjatë gjithë periudhës së sundimit të tij despotik e mbushi Shqipërinë me kampe dhe burgje për kundërshtarët politikë, nuk i shpëtuan as vetë ata që kishin themeluar Partinë Komuniste dhe kishin sjellë atë në krye të saj. Po kush ishte njeriu që bëri përpjekjet e para për krijimin e Partisë Komuniste në Shqipëri, kush ishin ata që morën pjesë në mbledhjen themeluese të 8 nëntorit 1941 dhe si i eleminoi Enver Hoxha të gjithë ata, duke i ekzekutuar, burgosur apo internuar?


Koço Tashko: Enverin e mora se na duhej një mysliman
Një nga njerzit që tentoi i pari të krijonte në Shqipëri një Parti Komuniste, ka qenë Zef Mala, i cili që në mesin e viteve ’30, drejtonte Grupin Komunist të Shkodrës. Aty nga muaji korrik i vitit 1939, ai mblodhi një grup komunistësh dhe shpalli krijimin e një partie komuniste. Mbas internimit të Zef Malës në Ventotene të Italisë, shokët e tij i humbën lidhjet me të, për shkak të pamundësisë së komunikimit. Kjo gjë bëri që edhe partia e tij të shpërbëhej plotësisht. Lidhur me ekzistencën e kësaj partie, Koço Tashko ka dëshmuar: “Kur vajta në Itali për t’ju kërkuar ndihmë shokëve italianë për ndërmjetësimin e themelimit të partisë, ata nuk më pritën fare. Ndoshta ata njihnin Partinë Komuniste të Zef Malës, të themeluar në korrikun e vitit 1939”. Pasi Koço Tashko nuk mori dot ndihmën e komunistëve italianë, ai vajti në Jugosllavi dhe u kërkoi atyre të njëjtën gjë. Jugosllavët i sugjeruan atij se atë punë mund t’jua bënte shumë mirë, anëtari i Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Miladin Popoviç, i cili ishte i internuar nga italianët në kampin e Peqinit. Koço Tashko e pranoi sugjerimin e tyre dhe aksioni për lirimin e Miladinit iu ngarkua Mustafa Gjinishit dhe Guri Dhorit, shok i Tashkos.


Pas lirimit, Miladini u vendos në Tiranë në shtëpinë e Shyqëri Këllezit, e cila ishte bazë e Grupit Komunisit të Rinjve. Pas shumë bisedimesh që Tashko bëri me krerët e tre grupeve, u ra dakort që ata të bënin një mbledhje në shtëpinë e Bojka Lazërit, të cilën asokohe e kishte me qera Xhemal Cani me të shoqen Zylfien. Që përpara mbledhjes, Tashko kishte rënë dakord në parim me krerët e dy grupeve që kur të diskutonin për krijimin e Partisë, asnjë prej krerëve kryesorë nuk do zgjidhej në postin e sekretarit politik. Për këtë Tashko ka dëshmuar: “Ato ditë që vendosëm për mbledhjen e grupeve, më vajti mendja që të merrja në grupin tonë edhe Enver Hoxhën, të cilin e kisha rregulluar që të punonte në Tiranë, tek kinkaleria e mikut tim, Esat Dishnica. Duhej bërë kjo pasi shokët e tjerë të grupit tonë si: Mihal Lako, Koçi Xoxe, Pilo Peristeri, e ndonjë tjetër, ishin në Korçë me përgatitjen e demonstratës së 7 nëntorit. Enveri njihej si intelektual, kishte qenë profesor në Liceun e Korçës dhe kishte studiuar ca kohë në Francë. Po kështu ai ishte i gojës dhe i penës, e kishte një paraqitje për t’u admiruar. Ndër më kryesoret që unë mendova të merrja Enverin me vete në atë mbledhje, ishte se ai ishte i besimit myslyman, sepse ne të tjerët ishim të gjithë ortodoksë. Kjo gjë duhej bërë patjetër sepse duhej një myslyman të përfaqësonte aty gjithë atë popullsi myslymane që kishte Shqipëria”, ka dëshmuar Koço Tashko lidhur me pjesëmarrjen e Enverit në atë mbledhje.

Mbledhja themeluese e PKSH-së
Mbledhja për formimin e PKSH filloi në mbrëmjen e 8 nëntorit 1941 dhe aty erdhën përfaqësuesit e tre grupeve. Nga Grupi i Korçës ishte Koço Tashko, Pilo Peristeri, Koçi Xoxe, Sotir Vullkani dhe Enver Hoxha. Nga Grupi i Shkodrës ishin Qemal Stafa, Vasil Shanto, Kristo Themelko dhe Tuk Jakova. Kurse nga Grupi i të Rinjve ishin Sadik Premtja, Anastas Lula, Ramadan Çitaku dhe Sinan Hasani. Po kështu aty ishin prezent dhe Miladin Popoviç e Dushan Mugosha, për të cilët të tre grupet kishin rënë dakord që të ishin si ndërmjetës dhe t’i ndihmonin për punët proceduriale. Përveç delegatëve me mandat, aty ishin preznet dhe persona të tjerë pa të drejtë vote si Skënder Çaçi etj. Po kështu rreth shtëpisë bënin roje dhe shumë persona të besuar që i komandonte Ali Demi. Që me fillimin e mbledhjes filluan debatet, pasi Lula dhe Premtja nuk ishin dakort me propozimin e Grupit të Korçës që të shpallej njëherë formimi i Partisë dhe pastaj të diskutoheshin problemet që grupet kishin në mes tyre. Sipas dëshmive të Premtes, thuhet se Grupi i të Rinjve nuk kishte fare njoftim se në atë mbledhje do procedohej për krijimin e Partisë, por ata kishin shkuar aty duke menduar se do të vazhdonte mbledhja që kishin lënë përgjysëm disa ditë më parë në shtëpinë e Bije Vokshit. Pas ndërhyrjes së Miladinit, u hodh në votë dhe fitoi propozimi që të formohej Partia, pastaj të bënin diskutimet. Me votim të plotë në mbrëmjen e 8 nëntorit u shpall themelimi i PKSH-së dhe u hartua rezoluta përkatëse. Për këtë Enveri në kujtimet e tij ka shkruar: “Ishte një çast solemn dhe unë i përqafova të gjithë. Atë mbrëmje përqafova dhe Anastasin e Sadikun për të fundit herë”. Mbledhja vazhdoi edhe shtatë ditë të tjera dhe Tashko ishte ai që dëgjohej më shumë nga të gjithë, për arsye se ishte komunisti më i vjetër dhe me mandat nga Kominterni. Ditën e fundit të mbledhjes u zgjodh Komiteti Qëndror, ku fituan Qemal Stafa, Ramadan Çitaku, Koçi Xoxe, Tuk Jakova, Enver Hoxha, Gjin Marku dhe Kristo Themelko. Kjo gjë erdhi pasi Enveri me dinakëri propozoi që Tashko, Premtja dhe Lula të ishin tre pjestarët e komisionit që do zgjidhnin Komitetin Qëndror dhe kjo gjë u miratua duke i lënë ata jashtë Komitetit Qendror.

Enveri zgjidhet sekretar i PKSH, në mars ’43
Mbas mbledhjes themeluese, Komiteti Qendror provizor caktoi dhe detyrat për të gjithë anëtarët. Për këtë Enveri ka shkruar: “Për të ruajtur unitetin, nuk pati zgjedhje për kryetar apo sekretar dhe ne bëmë ndarjen e punëve, ku Qemali do merrej me rininë, Baca (Çitaku) me financat, kurse unë me shtypin e me organizimin e Partisë”. Kjo thënie e Enverit (te libri “Kur lindi Partia”) nuk i qëndron së vërtetës, pasi sipas shumë dëshmive, Enveri u ngarkua vetëm me financat e Partisë. Kështu Isuf Keçi ka dëshmuar se i dorëzonte Enverit rregullisht shuma të mëdha parash që ua merrnin tregtarëve tiranas për Lëvizjen. Sipas Tashkos, ai insistoi që në postin e sekretarit organizativ të Komitetit Qëndror të mos zgjidhej njeri, pasi ajo gjë i takonte Grupit të Korçës dhe kështu ata thirrën Dr. Ymer Dishicën në atë post. Pas mbledhjes themeluese anëtarët e Komitetit Qendror u shpërndanë nëpër rrethe të ndryshme.

Gjin Marku në Berat, Themelko në Gjirokastër, Tuku në Shkodër, kurse Enveri qëndroi në Tiranë, ku do të merrej me mbledhjen e financave të Partisë. Pas 8 nëntorit 1941, Enveri rrinte më shumë me Miladinin në shtëpinë e Shyqëri Këllezit. Lidhur me këtë në dëshmitë e tij për “Gazeta Shqiptare”, midis të tjerash Shyqëriu është shprehur: “Aty në shtëpinë time Miladini i thërriste një nga një të gjithë anëtarët e Komitetit Qendror dhe në mes të tjerash i pyeste edhe për problemin e Kosovës. Kur ai pyeti Anastasin e Sadikun ata i thanë: ‘Ai problem është zgjidhur në bazë të Kartës së Atlantikut që më 14 gusht 1941 dhe në bazë të kësaj karte, të gjithë popujt me plebishit do të vendosin se me kë dëshirojnë të bashkohen. Popullsia e Kosovës duke qenë 80% shqiptare natyrisht që do të bashkohet me Shqipërinë’. Pas kësaj ndërmjet Miladinit dhe Anastasit e Sadikut filluan kontradikta të mëdha për të cilat, Hamit Keçi na ka dëshmuar publikisht për “Gazeta Shqiptare”, duke thënë: “E kam dëgjuar me veshët e mi nga goja e Sadik Premtes kur ai thoshte: ‘Miladini me Dushanin janë shovinistë serb”.

Sipas dëshmive të Këllezit dhe Keçit, pas kontradiktave që Miladini pati me Sadikun dhe Anastasin, ai afroi akoma e më shumë Enverin i cili e përkrahte në ato debate. Kjo gjë konçidon edhe me zgjedhjen e Enverit në krye të Qarkorit të Tiranës, gjë e cila u realizua me propozimin e Miladinit. Në krye të Partisë Enveri erdhi në marsin e vitit 1943 kur u mbajt Konferenca e PKSH në Labinot. Në atë mbledhje, Dr. Ymer Dishica që kishte funksionin më të madh në parti, si sekretar organizativ, propozoi Enverin si Sekretar i Përgjithshëm i PKSH-së, gjë e cila u miratua me votim të hapur nga të gjithë.

Si u zhdukën themeluesit e PKSH-së
Që pas mbledhjes së 8 nëntorit 1941, Enveri filloi goditjen ndaj anëtarëve të Komitetit Qendror që ai i shihte si rivalë në luftën e tij për të kapur kreun e partisë. Nga nëntori i ’41-it e deri në marsin e ’43-it, kur Enveri u zgjodh në krye të PKSH-së, u vranë Qemal Stafa, Vasil Shanto dhe Sadik Stavaleci, të cilët ishin kandidatë kryesorë për kreun e PKSH. Për këta të tre, sipas shumë dëshmive, janë hedhur dyshime duke akuzuar Enverin të implikuar direkt në vrasjet e tyre. Po kështu në mbledhjen e marsit ’43 ku Enveri u zgjodh në krye të PKSH-së, u mor vendimi i përjashtimit të Premtes e Lulës nga Komiteti Qendror i PKSH. Për këtë Enveri ngarkoi dhe personat për eleminimin e tyre. Për vrasjen e Anastasit, Ferik Demir Çorej nga Uznova e Beratit, na ka dëshmuar publikisht për “Gazeta Shqiptare”: “Më dt.12 mars 1943 erdhën në shtëpinë time një grup partizanësh të çetës së Ramiz Aranitasit që komandoheshin nga Orhan Frashëri dhe një kolonjar që quhej Dhori. Ata na thanë se atë natë kishin pushkatuar në Qafë të Gllavës një partizan që quhej Anastas Lula, i cili kishte dezertuar nga rradhët e udhëheqjes dhe bashkëpunonte me okupatorin. Atë e kishin pushkatuar të lidhur me cigare në gojë pasi kishte thirrur: ‘Rroftë Shqipëria”.

Pas pushkatimit të Lulës, Enveri urdhëroi të njëjtën gjë dhe për Sadik Premten. Por pasi Sadiku mundi që t’u shpëtonte pritave që i bënë partizanët e Hysni Kapos në Tragjas, Enveri shkoi vetë në Vlorë. Pas kësaj Sadiku u fsheh dhe më pas u arratis nga Shqipëria dhe jetoi në Francë. Pas këtyre i erdhi rradha Zef Malës. Kur u kthye nga internimi ai shkoi në Pezë, ku Babë Myslymi i tha: “Ik or babë e mçifu në Tiranë, se dun me t’vra”. Për këtë Myslymi kishte parë telegramin që Enveri i dërgonte Nako Spiros ku thuhej: “I dashur Nako, Zef Mala jo vetëm që nuk duhet të shkojë në Kosovë, por ai duhet të dekorohet me një plumb kresë. Ai s’është i mirë prandaj duhet të zhduket. Gjeni mënyrën që të mos kuptohet, por në asnjë mënyrë të mos lihet kjo gjë pas dore, sikur ka bërë Hyseni (Gogo Nushi) me të tjera këshilla që i kemi dhënë, për të cilat do përgjigjet. Të fala shoqërore Tarasi (A.Q.SH. fq 14, Dos 76. P 26.08.1944). Pas kësaj Zef Mala u fsheh në Tiranë deri në mbarim të luftës dhe më pas përfundoi burgjeve dhe internimeve deri kur vdiq në vitin 1976 në mjerim të plotë. Që gjatë Luftës me urdhër të Enverit u pushkatua pa gjyq edhe Lazri, i zoti i shtëpisë ku u mbajt mbledhja themeluese më 8 nëntor.

Eleminimet e themeluesëve të PKSH-së pas mbarimit të Luftës
Pas mbarimit të Luftës, në fillim Enveri eleminoi Koci Xoxen duke e akuzuar si agjent të jugosllavëve. Koçi kishte funksionet më të larta pas Enverit, si nënkryeministër, sekretar organizativ i PKSH-së etj., dhe u pushkatua më 10 korrik 1949. Më pas rradha i erdhi Kristo Themelkos dhe Sotir Vullkanit që Enveri i goditi duke i konsideruar si njerëz të Xoxes. Kristo kishte lindur më 1916 në fshatin Vërnik të Bilishtit (shule) dhe kishte bërë vetëm 5 klasë shkollë. Pasi kishte qenë kapterr në ushtrinë e Zogut në Milot, ai ishte lidhur me Grupin Komunist të Shkodrës. Mbas lufte ai u emërua Komisar i Korpusit të Tretë në Berat me gradën gjeneral-major, deri në 1947-ën kur u emërua Drejtor Politik i Ushtrisë. Pas goditjes së Xoxes, Enveri e goditi si njeri të jugosllavëve (ishte me origjinë maqedonase) dhe e caktoi Kryetar të Arizanatit në Tiranë, brigadier për këpucarët, berberët dhe rrobaqepësit. Kurse Vullkanin i cili kishte qenë ndër komunistët më të vjetër të Grupit të Korçës (pas Koçi Xoxes) pasi punoi disa kohë oficer në prapavijë, Enveri e degradoi pse ai mbrojti Koçin.

Vullkani vdiq në Tiranë në vitin 1964, një vit pasi i biri i tij, Roberti, ishte denuar me 15 vjet burg politik për tentativë arratisje. Më pas Enveri eleminoi dhe Çitakun i cili kishte qenë me Grupin e të Rinjve. Pasi Baca qëndroi disa kohë ambasador në Beogradc, Enveri e hoqi dhe dërgoi zv/ministër për Financat dhe më pas në Bankën e Kursimeve. Çitaku vdiq në 9 prill 1990 dhe në atë kohë të gjithë u habitën, pasi nuk e mendonin se ai njeri ishte gjallë, pasi nga frika e burgosjes Baca nuk kishte dalë kurrë nga shtëpia për vite me rradhë. Në vitin 1956 Enveri eleminoi dhe Tuk Jakovën (zv/kryeministër dhe sekretar organizativ i PKSH-së) pasi në një mbledhje Pleniumi, ai kundërshtoi manipulimin që i ishte bërë në shtëpinë muze të themelimit të Partisë me figurat e udhëheqjes. (Jakova vdiq në burg dhe dyshohet se e kanë helmuar). Në vitin 1960 Enveri eleminoi dhe Koço Tashkon duke e akuzuar si njeri të sovjetikëve. Tashko qëndroi në burg deri në moshën 80 vjeçare dhe vdiq në internim në kampin e fshatit Adriatik afër Mamurrasit. Të vetmit anëtarë të mbledhjes së PKSH-së që mbetën pa u goditur nga Enveri, ishin Pilo Peristeri dhe Sinan Hasani. Nga Peristeri nuk i vinte asnjë e keqe Enverit, dhe ai e la atë formalisht në funksionin e kandidatit të Byrosë Politike dhe Drejtor të Uzinës Autotraktorëve në Tiranë, pasi puna kryesore e Pilos ishte që të fliste në përvjetorët e Partisë për “gjenialitetin” e Enver Hoxhës. Ndërsa Sinan Hasani shpëtoi nga goditja e Enverit pasi që në kohën e Luftës, u caktua të punonte në Kosovë dhe nuk u kthye më në Shqipëri. Ai qëndroi atje dhe pas vdekjes së Titos u bë President i Republikës Federative të Jugosllavisë.

Në 1946-ën, Pilo Peristeri s’ia dha Enverit deklaratën, duke thënë se ai s’kishte qenë me Grupin e Korçës
Nga të gjithë pjesëmarrësit e mbledhjes themeluese të 8 nëntorit të vitit 1941, vetëm Pilo Peristeri mundi që t’i shpëtonte goditjes së Enver Hoxhës, duke rezistuar deri në shëmbjen e regjimit komunist. Por edhe ai nuk kishte mundur që të shpëtonte “pa u lagur”, pasi e kishte paguar haraçin që në vitet e para të pasluftës. Diku aty nga viti 1946, kur Enver Hoxha nuk e kishte konsoliduar akoma pushtetin e tij të hekurt në Parti ashtu siç ndodhi më vonë, ai i dërgoi njerëz Pilo Peristerit, për t’i kërkuar një deklaratë ku Pilo të dëshmonte, se Enveri kishte qenë pjesmarrës i Grupit Komunist të Korçës që në fundin e viteve ’30-të. Por Pilo Peristeri u tha njerëzve që shkuan për t’ia kërkuar deklaratën, se nuk mund t’ua jepte dot atë, pasi Enveri nuk kishte qenë me Grupin Komunist të Korçës.

Pas kësaj Enveri i dërgoi Pilos një nga njerzit e tij më të afërt, por edhe atij Pilo iu përgjigj negativisht duke i thënë: “Jo bre, s’i të gënjej unë, Enveri nuk ka qenë me Grupin e Korçës”. Pasi Enverit i dështoi edhe tentative e dytë me Pilon, ai dërgoi njerëz për ta marrë deklaratën pranë Sotir Vullkanit, por edhe Sotiri nuk pranoi që ta jepte atë deklaratë, duke dhënë të njëjtën përgjigjie si Peristeri. Pas kësaj, Enveri u hakmorr ndaj Peristerit e Vullkanit duke i shkarkuar ata nga funksionet që mbanin. Sotir Vullkanin e arrestuan gjoja për armëmbajtje pa leje dhe në vitet që pasuan atij i arrestuan dhe i burgosën për vite me rradhë edhe djalin e tij. Por inatin më të madh Enveri e kishte me Pilon, të cilin si fillim e dërgoi në Kuçovë, gjë e cila i shkaktoi atij edhe një problem të madh familjar. Pilo qëndroi në Kuçovë deri në atë kohë që pranoi të jepte deklaratën për Enverin dhe pas asaj ai u rehabilitua dhe u soll përsëri në Tiranë./Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: