Gazetari i DW Auron Dodi ka shpjeguar në një komunikim me News24 si po zhvillohet situata me refugjatët në Gjermani, pasi Berlini njoftoi masat për kontrolle të shtuara në kufijtë tokësorë si një masë parandaluese për valët migratore.

Ai shpjegoi se policia federale ka marrë masa për të monitoruar kufirin e gjatë prej 3800 km, duke u fokusuar në automjetet që duken të dyshimta. Dodi theksoi se kontrolli i papritur dhe fleksibël është çelësi për menaxhimin e situatës.

Ai po ashtu vuri në dukje se Gjermania po përballet me një numër rekord migrantësh, me 3.5 milionë të huaj që jetojnë aktualisht në vend. Megjithatë, ngjarjet e fundit, si krimet e kryera nga të huajt, kanë ndikuar në perceptimin publik dhe kanë nxitur tensione në shoqëri.

Dodi theksoi se, përkundër politikave të ashpra ndaj migrimit, Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore dhe se nuk mund të braktisë politikën e mikpritjes së të huajve. Sidoqoftë, ekziston një tension mes nevojës për migrantë dhe shqetësimeve për menaxhimin e tyre.

Intervista e plotë:

Pyetje: Ç’pamje kanë pasur rrugët e Gjermanisë pas vendosjes së kontrolleve kufitare?

Dodi:  Kontrollet filluan këtë të hënë – dhe deri sot nuk ka pasur raportime për bllokime trafiku në kufi. Një korrespondente e DW ishte pranë Ahenit, në kufirin mes Gjermanisë, Belgjikës dhe Holandës.

Punonjësi i policisë federale i tha atje se urdhri i ministrisë së Brendshme është të bëhen “kontrolle të caktuara, në përputhje me gjendjen, lokale dhe fleksible në orar”.

Vetëm në këtë mënyrë mund të kontrollohet tani kufiri tokësor, gati 3800 km i gjatë i Gjermanisë.

Siç raportoi korrespondentja e DW, nga kufiri me Belgjikën: efektivët e policisë presin në makinën e ndërhyrjes së shpejtë në kufi dhe vëzhgojnë trafikun. Kur shohin një automjet që u duket i dyshimtë, e ndjekin dhe i kërkojnë të ndalojë në një pikë pushimi, të autostradës.

Atje presin në pozicion punonjës të tjerë policie, me jelekë antiplumb dhe me automatikë në dorë. Aty automjeti sigurohet nga të gjitha anët. Udhëtarët duhet të paraqesin dokumentet e identitetit, inspektohen bagazhet dhe sipërfaqet e ngarkimit. Pasi mbaron punë, policia mund të zhvendoset menjëherë në një pikë tjetër kontrolli.

Pyetje: Si vendos policia cilat pika të kontrollojë?

Dodi: Kjo vendoset në bazë të përvojës së punës së policisë së kufirit. Rrugët e vogla patrullohen vetëm herë pas here, shtigjet e biçikletave pothuajse jo. Pasi nuk janë parë ndonjëherë që trafikantët e qenieve njerëzore t’i transportojnë migrantët në spondin e bicikletave, u tha korrespondentëve të DW, policia në kufi. Kontrollet kryhen në mënyrë të paparashikueshme. Policët herë dalin me uniformë, herë me rroba civile. Në disa raste, policia në kufirin mes Gjermanisë, Belgjikës dhe Holandës këto ditë kapi persona,që nuk duhet të hynin në Gjermani. Atyre iu komunikua ndalim-hyrja në Gjermani dhe policia i ktheu pas.

Pyetje: A po ndeshet Gjermania me një krizë të vërtetë migrimi?

Dodi: Krizë apo jo: Gjermania ka sot numrin më të madh të migrantëve që ka pasur ndonjëherë që prej viteve ’50: qeveria gjermane tha se sipas regjistrit të të huajve, aktualisht në Gjermani jetojnë 3,5 milionë të huaj, që kanë status mbrojtjeje këtu. 1,18 milionë nga këta janë ukrainas.

Sipas Eurostatit, në Gjermani këtë vit aplikuan për azil,rreth një e katërta e azilkërkuesve të gjithë Evropës. Në shifra absolute, Gjermania ka numrin më të madh të azilkërkuesve në BE. Mbi 329 mijë erdhën për të kërkuar azil vjet ketu. Në Francë qenë gjysma: rreth 145 mijë vetë.

Në tërësi, prej vitit 2021, numri i të huajve që vijnë në Gjermani është në rritje. Kjo e ka bërë temën e migrimit, prej vjet, temën qendrore për votuesit.

Pyetje: Pse ka fituar tema e migrimit këtë rëndësi për popullin në Gjermani? Për shkak të problemeve?

Dodi: Arsyet kanë të bëjnë, e para me numrin e madh të migrantëve. Kjo i vë komunat në terren para vështirësive strukturore: komunat janë në kufijtë e kapaciteteve për strehimin, arsimimin dhe kualifikimin e të huajve. Problemet për strehimin nxisin edhe fërkime me gjermanët, që duan banesa.

Së dyti, krimet dhe atentatet e të huajve së fundi në Gjermani, kanë pasur një jehonë të tillë, sa nuk shihen më dot si ngjarje të izoluara. Natyrisht që këto ngjarje janë shfrytëzuar politikisht me sukses, nga partia ultra e djathtë, Alternativa për Gjermaninë.

Por kjo ka pasur sukses, për një arsye të caktuar: njerëzit kanë ndjesinë se shteti nuk e ka nën kontroll, kush vjen në Gjermani. Se kufijtë e jashtëm të Gjermanisë nuk kontrollohen si duhet.

Kjo bën që të bjerë toleranca për migrantët brenda Gjermanisë. Ka dëshmi, se atje ku migrimi i parregullt është i kontrolluar, politikat bujare të qeverisë mbështeten nga populli. Një shembull i tillë është Kanadaja, ku ka pak migrim të parregullt. Dhe politika bujare integrimi.

Pyetje: A mund të thuhet se e ka braktisur Gjermania politikën liberale të mikpritjes së të huajve?

Dodi: Asnjë shtet perëndimor, as Gjermania, nuk bën dot pa migrantë. Nevojitet fuqi punëtore, njerëz që të punojnë, përballë plakjes së popullatës vendase. Edhe kandidati për kancelar i opozitës konservatore, CDU, Friedrich Merz tha javën e kaluar në Bundestag: „Gjermania duhet të mbetet një vend i hapur dhe miqësor ndaj të huajve.” Por kërkohet migrim i rregullt, jo i parregullt.

Ndaj aktualisht kemi tendencën e qëndrimit të ashpër ndaj migrimit. Qeveria ndihet e detyruar ta bëjë këtë, pas humbjes në zgjedhjet në landet lindore. Dhe para zgjedhjeve të së dielës në landin lindor të Brandenburgut. Atje kryeson në sondazhe AfD-ja, socialdemokratët, që e qeverisin landin prej 1990-ës, janë përmirësuar, por mbeten të dytët, pastaj pason CDU.

Po të mos fitojnë socialdemokratët në Brandenburg, kjo mund të hapë diskutime për qeverinë në Berlin, një vit para zgjedhjeve parlamentare.

Për t’ju rikthyer pyetjes a u braktis politika e mikpritjes së të huajve: është braktisur ekuilibri i deritashëm: që konsistonte në tërheqjen e të huajve për të ardhur këtu dhe në dëbime të shtuara të disave. Theksi tani është te frenimi e dëbimi i migrantëve të parregullt – ose që duhet të qenë kthyer.

Ligjet më liberale për të huajt, të sapomiratuara nga qeveria socialdemokrate-e gjelber- e liberale, natyrisht janë në fuqi. Ligjet që lehtësojnë marrjen e shtetësisë gjermane dhe lejen e qëndrimit. Por tensionet publike nuk i mbështesin ato.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb