Vijon protesta e 100-të kombëtare kundër qeverisë në Tiranë, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur në Sheshin “Skënderbej”, duke iu përgjigjur thirrjes për pjesëmarrje masive.
Protestuesit kanë mbushur sheshin me flamuj kombëtarë, ndërsa nga turma janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, qytetarët janë nisur në marshim drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në drejtim të Kryeministrisë. Protesta e sotme shënon 100 ditë nga nisja e aksionit qytetar, i cili fillimisht u shfaq si një kauzë mjedisore dhe më pas mori përmasa më të gjera politike e sociale.
Në qendër të kërkesave të protestuesve janë dorëheqja e Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike. Aktivistët kanë paralajmëruar se protesta do të vijojë dhe se aksioni qytetar mund të përshkallëzohet përmes mosbindjes civile.
Lëvizja, e njohur si “Revolucioni Flamingo”, nisi më 31 maj pas kundërshtimit të projektit për ndërtimin e një resorti në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë. Më pas, kauza u zgjerua duke përfshirë denoncime për korrupsionin, problematikat ekonomike, punësimin, largimin e të rinjve dhe mënyrën e qeverisjes.
Në 100 ditë protestash, mobilizimi është shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit, ndërsa tubime solidariteti janë zhvilluar edhe nga shqiptarët në diasporë.
Protesta e kësaj mbrëmjeje pritet të vijojë përpara Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalime dhe do të përcillen mesazhet e protestuesve.
