NGA BLENDI FEVZIU

Donald Lu është rikthyer edhe një herë të flasë për temën e tij të preferuar, atë të lidhjeve të politikës me krimin. Ai i është referuar pandëshkueshmërisë si fenomen i njohur në Shqipëri dhe faktit që banditë dhe keqbërës që i njohin të gjithë i kanë shpëtuar burgut falë lidhjeve të forta politike. Lu ka deklaruar se situata është alarmanete dhe ka dhënë shpresë duke sqaruar se në Shqipëri do të mbërrijnë për trajnim ekspertë të FBI Amerikane.

Edhe pse Lu i kthehet dhe rikthehet prej dy vitesh kësaj teme, ajo që është arritur është ende pak. Ligji i dekriminalizimit ka nxjerrë nga politika disa emra dhe pritet të shërbejë si postbllok për emra të tjerë që do synojnë të hyjnë. Ndërkohë krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, së paku teorikisht mund të vendosë gishtin mbi politikanë të lidhur me krimin dhe të korruptuar. Gjë që mund të krijojë një lloj pastrimi të politikës në përgjithësi. Por kjo është vetëm ndërhyrja emergjente. Problemi qëndron më shumë se sa kaq. Qëndron tek shkaku i afrimit të kriminelëve nga politika. Eleminimi i tij mund të çojë më pas në eleminimin e krejt fenomenit.

Për çfarë i hyn në punë një njeri i inkriminuar një politikani shqiptar?! Kjo është pyetja bazë dhe më thelbësore që bëhet në shumiën e rasteve kur flitet për këtë gjë.

Për vota, jo. Vështirë që komuniteti të votojë një bandit apo një kriminel. Vështirë që ata të kërkojnë ta kthejnë një keqbërës në model për fëmijët e tyre. Në shoqëri kriminelët mund t’i kenë frikë, por nuk i respektojnë.

Deri tani së paku çdo analizë të çon në vetëm një përfundim. Banditët dhe kriminelët përdoren thjeshtë për të vjedhur, blerë apo trafikuar vota. Për këtë arsye vihen në listat e deputetëve; për këtë arsye ju bëhen favore dhe i shmangen ndëshkimit të ligjit; për këtë arsye ka parti politike në Shqipëri që kanë hyrë në garë kush i mban më afër dhe kush i ka për vete. Kjo garë e pistë dhe neveritëse është shndruar në një sëmundje kronike në Shqipëri dhe vetëm eleminimi i saj mund të çojë në zhdukjen e tyre nga jeta publike dhe vendosja përpara ligjit. Nëse gara elektorale nuk do jetë e ndershme dhe e drejtë, shumë shpejt, vendi do ketë vëtëm një lloj votimi, atë midis bandave që do përpiqen jo për qeverisjen e vendit, por për sundimin e tyre mbi të. Dhe në këtë rast nuk do ketë as ligj dhe as Byro hetimi që të rikthejë shtetin e së drejtës. ndaj bashkë me ligjin për dekriminalizimin dhe reformën në drejtësi, duhen marrë masa edhe për reformën elektorale. Ky kancer i politikës shqiptare, duhet goditur në thelbin e tij dhe kjo është zgjidhja më e mirë.

(d.b/Opinion/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: