Memorie.al. sjell dëshminë e rrallë të skulptorit të njohur, Agim Rada, në emisionin e njohur RREFIM në Tv Scan, lidhur me miqësinë e hershme me mikun dhe kolegun e tij, Kristaq Rama, për të cilin flet me simpati dhe e kundërta për të birin, Edin, që dikur e mbante afër… “Asgjë nuk i dua, vetëm të në lejë të punojmë të qetë”, shprehet skulptori rebel për kryeministrin aktual që dikur e kishte idhull Radën dhe në librin e tij “Refleksione”, ka shkruar gjatë për të….?!


Para pak kohësh në emisionin e njohur RREFIM në Tv Scan, që ka për autor gazetarin Dashnor Kaloçi dhe moderatore Albana Shehu Qirjako, ka qenë i ftuar skulptori i njohur, Agim Rada, i cili është dhe autori i bustit të Mit’hat Frashërit që u vendos në kodrat e liqenit të Tiranës me ceremoni zyrtare dhe që pati një reagim të ashpër nga segmente të majta, etj. Veç të tjerash Rada ka bërë dhe një histori të shkurtër të historisë së tij familjare dhe personale, duke u ndalur edhe në raportet dhe marrëdhëniet që ai ka pasur me mikun e kolegun e tij, skulptorin Kritaq Rama, si dhe të birin e tij, Edin, i cili në vitet ’80-të e ka pasur si idhull Radën dhe në librin e tij “Refleksione” ka shkruar gjatë dhe për të. Por kjo gjë nuk e ka mikluar aspak Radën, i cili në këtë emision pasi ka treguar rreth miqësisë që ai ka pasur me Edin deri në vitin 1990, është shprehur se që nga ajo kohë e deri më sot, pra plot 30 vjet me rradhë ai nuk e ka takuar fare dhe as nuk ka pirë qoftë dhe një kafe me kryeministrin e sotëm. Për më shumë rreth kësaj, por dhe ngjarje e histori të tjera nga jeta e tij, na njeh intervista:


Zoti Rada, a përjetonit keq këtë situatë….?


Jo, njeriu mësohet, njeriu është i çuditshëm dhe unë as që e mendoja se kjo gjë ishte fundi i botës. Mendoja se kështu është bota, kështu duhet të jetë dhe e konsideroja normale një gjë të tillë. Nuk e mendoja që duhet të isha njëlloj si një djal oficeri, se për këta të Byrosë Politike as që bëhet fjalë, se edhe po të donim ne, këta nuk na flisnin fare me gojë. Më vonë unë punova në një fabrikë mielli duke mbajtur thasë gjithë ditën, se procesi ishte i tillë që duhet t’i mbaje se nuk fikej makineria që i nxirrte ata thasë, Ça të them, kam bërë punë tepër të rënda, por kjo ishte koha, ky ishte fati ynë.

Po pse keni ndërruar gjithë ato punë, nuk i bënit dot…?

Jo, por gjuaja ku kishte më shumë lekë, prandja i ndërroja punët. Një shoku im më tha; hajde të punojmë si ndihmës me buldozer atje te Fabrika e Tullave, hajde se merr 7 mije lek, ishte ëndërr për mua të merrja 7 mijë lek, dhe shkova. Baltë e madhe, binte shi, kolorgano, i thonin asaj që pret tullat, ajo nuk kishte të mbarume, ajo donte lëndë të parë, dimër dhe na rrëshkisnin këmbët, binim me turi në baltë, ça të them.

Me gjithë këto punë të rënda që bënit, prap në shkollë ju ishit një nxënës i mire…?

I mirë…, por kam pasur një difekt të madh unë në shkollë, se ka pasur një lëndë, Marksizëm, që këta i thoni Filozofi. Mendo ti se Filozofi quhej të dije se kur ka lindur p.sh. Haxhi Lleshi, ose çfarë aktiviteti ka pasur Pilo Peristeri. Sinqerisht këto gjëra i konsideroja turpe të mëdhaja dhe nuk i përtypsha dot. Jo vetëm që nuk i përtypja dot, por dhe tallesha me këto. Kështu unë kam edhe me Edin që sot është kryeministër, meqë kam punuar me të jatin në një studio të vogël, ai ishte i ri, i vogël dhe kishte dëshirë të rrinte me mua dhe dëgjonte nga këto shakatë që bëja dhe qeshte. Sepse si të thuash kam qenë një lloj lideri, për humor, për…apo më saktë një lloj figure për të thënë të vërtetat, me guxim edhe duke rrezikuar. Flisja aq shumë se që shumë vetave ju bënte përshtypje dhe më pyesin me të qeshur: “O Gimo, mos ke qenë gjë spiun ti që nuk të arrestonin”?! Nuk e di u thosha unë, Zoti, zoti i madh më ka ruajtur që nuk përfundova në burg. Por si duket për familjen tonë kishte mbeteur dhe ishte prerë me burgun e babait dhe nuk vazhdonte më tej.

Thatë se në shkollë nuk e donit Marksizmin…?

Po, ndërsa në lëndët e tjera unë kam qenë shumë mirë dhe kur dhashë konkursin për të vazhduar Institutin e Arteve, nga Tirana ishte vetëm një e drejtë studimi dhe atë e fitova unë.

Por ashtu si në Lice, edhe për në Instututin e Arteve, ndodhi diçka kur do të fillonit shkollën….?

Pooo, e vërtetë. Atë vit që do shkoja unë në Isntitut, thanë se kishte dhënë urdhër Mehmet Shehu që asnjë nuk duhet t’i shpëtonte shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Dhe mua më qethën dhe më hipën në makinë për të më dërguar ushtar bashkë me të tjerët, por ndodhi një mrekulli. Ishte një Harrilla Dhima, s’ja harroj kurrë, madje kam sjellë dhe foton e tij sot këtu në emision, i cili më zbriti nga makina. Ai ka ndërruar jetë, por unë i jam shumë mirënjohës, pasi ai shkoi dhe kapi një komandant ushtarak të madh që ishte mik me Mehmet Shehun dhe i tha: “Aman, ça bëni, ky ka fitu konkursin, e kemi më të mirin nga të gjithë konkuruesit”. Kështu më zbritën nga makina kur as nuk e prisja dhe në ato momente nuk di të them çfarë gëzimi. Sot them se ka një zot që më ndihmoi, se kush do i bënte këto vepra po të kisha shkuar ushtar. Po kështu përveç prof. Harrilla Dhimo, kujtoj me mjaft respekt, Thoma Thomain, të cilit atëhere i dola përpara në rrugë për ta pyetur a kisha fituar unë konkursin dhe ai në fillim heshti dhe pastaj pasi i tha bashkëshortja diçka në vesh, m’u përgjigj: “Rri i qete”. Kaq desha unë dhe fluturova nga gëzimi pasi rruga e jetës sime morri atë drejtim për ku isha nisur.

Dhe ju gjetët veten në atë shkollë pasi mbaruat me rezultate të larta…?

Po, por duhet ta pranojmë se ajo nuk ishte një shkollë arti e mirfilltë, përkundrazi ishte një shkollë ushtarake, shkollë dogmash, ku shpesh herë eprorët tanë na thonin” Nuk na duhet artisti, ne na duhet militant”. Aty nuk bëheshin nuk prodhoheshin artistë, aty klonoheshin artistë. Unë nuk e konsideroja dhe realisht nuk isha pjesë e kësaj skeme, pra nuk futesha kollaj në rresht si të tjerët që i shikoja me habi se si futeshin në atë konverjerin e prodhimit të artistit. Unë isha rebel dhe thoja se çfarë po bëhet kështu, ku po na çojnë…?!

A nuk kishit frikë se mund edhe t’ju kallzonin…?!

Shiko, unë gjej rastin t’i falenderoj të gjithë ata studentë dhe profesorë, miq të mirë që më kanë rrethuar me të cilët kam pasur rastin të jem afër tyre që kurrë nuk më kallzuan dhe më bënë që të mos provoja burgjet komuniste. Pasi unë kam pas shperthime hera herës dhe flisja shumë…

Brenda Institutit shpërthenit e flisnit…?

Jo brenda Institutit, jo. Jashtë me grup shokësh dhe sidomos kur u dhamë pas pijes, se pija si i thonë, për t’u ngushëlluar. Se unë më pas e lashë pijen shumë thjeshtë dhe pa asnjë problem e se futa më në gojë. Kjo tregon se unë s’isha pijanec, por pijen e kisha si mjet për t’u ngushëlluar dhe për të humbur mëndjen në një realitet virtual.

Kishte shumë kështu…?

Po ishin disa kokrra në Tiranë që flisnim gjithë ditën dhe nuk e shisnim njëri tjetrin. Shiko, unë nuk dua të bëj konformistin, se të gjithë ata që më njohin e dinë që nuk jam, por dua të them se pedagogët e Arteve Figurative, kanë qenë burra artistë, burra të shkëlqyer, duke futur këtu: Kristaq Ramën, Muntaz Dhramin, etj. Le ç’thonë jo Kristaqi, jo i biri i Kristaqit, mua nuk më duhet dhe nuk më intereson ajo punë. Unë kam punuar me Kristaqin dhe nëse Kristaqi do kishte qenë spiun, ja po të them, unë do isha në burg. Unë çfarë s’i kam thënë atij dhe ai më bërtiste: “Mbylle gojën, mbylle gojën po të them”, pra më trajtonte si fëmijën e vet.

Ju trajtonte si fëmijën e tij…?

Po ashtu, Kristaqi nuk ishte i indoktrinuar por nga halli nga ashtu njeriu…

Ishin në shpirt artisitë…?

Unë kam respekt të veçantë për Kristaqin, kam punuar me të dhe nuk mund të hedhë kurrë poshtë atë bukën me djathë që ai e thekte në një furnelë korrenti dhe e ndante me mua, se punonim bashkë. Pra kam kujtime shumë të mira.

Pasi mbaruat shkollën ku ju emëruan?

Para se të mbaronim shkollën na çonin për të mbrojtur diplomën dhe mua më çuan në Kavajë, te Poçeria. Një tmerr i vërtetë aty, më fal, s’kishte as banjë. Në një pjesë të pyllit aty afër shkonin gratë për nevoja personale dhe në një pjesë tjetër shkonin burrat. Mendoje një ambient pa banjë, ku balta që bëheshin qypat ishte deri në brez. Kur kam parë ato ambiente…., mendo të vish nga qendra e Tiranës…unë u tmerrova. Dhe ulesha te shinat e trenit pasi më dukej se aty kisha një kontakt me Tiranën dhe i prekja me dorë sikur bëja një lidhje shpirtërore kështu e më mbusheshin sytë me lot. Jo vetëm mua, por edhe fëmijët e komunistëve i çonin kudo nëpër rrethe, në Burrel, etj. Dhe them se ajo gjë ka qenë një internim i padeklaruar. Kjo gjë behej me qëllim që edhe rinia të mos mblidhej bashkë, sepse nga rinia mendonin se do kishin probleme dhe kështu i shpërnadnin nëpër rrethe ku pjesa më e madhe e ngrysën jetën atje dhe shumë vajza mbetën beqare se ishin në malet e Pukës, Tropojës, Kukësit, vënde të harruara, ça të them, kam takuar unë andej vajza të shkëlqyera, yjet e Tiranës që mbeten beqare përjetë dhe u kthyen në kryeqytet nga 40-45-vjeç.

Ju qëndruat për një kohë të gjatë aty në Kavajë…?

Mua më dërguan aty për profesionin që kisha mbaruar, por nuk kishte vënd pune dhe punoja puntor. Por aty pata fatin e madh se më dhanë një dhomë dhe rrija aty dhe pasdrekeve bëja ndonjë skulpturë, se ku do shkoja. Ndërsa në darkë pija ndonjë shishe me alkol se as televizor nuk kisha, as radio as gjë. Për fat atë kohë e shfrytëzoja për të lexuar, dhe kam lexuar jashtë mase.

Pra marrëdhëniet me librin i keni pasur shumë të mira…?

Po shumë, hiqja nga goja dhe nuk kurseja për librin. Edhe kur kam qenë në shtëpi, që i vogël, lexoja gjithë natën dhe babaj për të kursyer apo për të mos u çmëndur unë, detyrohej dhe hiqte siguresën, apo portollampën, pasi e gdhija duke lexuar autorë të mëdhenj, Shekspir, Dostojevski, Tolstoi etj.

Po shohim në monitor një foto shumë interesante…. Shumë që po e shikojnë ndoshta nuk e njohin se kush është aty…

Po, këtu në mes që po tregoj me dorë, jam unë, se kam qenë një lloj lideri në grup.

Jeni te shkallët e Universitetit…?

Te shkallët e Institutit të Arteve jemi dhe ky i gjati është kryeministri i sotëm…

Pra në krahun tuaj është Edi Rama…?

Po, atëhere Edi më ndihmoi që të merrja një libër që më kishte ardhur nga jashtë dhe ma kishin konfisku, se gjoja nuk më takonte mua por i takonte shtetit. Libër me skulptura i një autori serb, Ivan Mesoviç. Dhe ay më ndihmoi. Aty me duar unë jam duke bërë humor jam duke treguar se si e gënjeva atë ku morra librin, duke i thënë: jam Agim De Rada. Dhe ajo më tha: Ke lidhje me De Radën? I njëjti trung jemi, i thashë unë dhe ajo u ekzaltua dhe ma dha librin gjithë qejf. Përveç Edit, është dhe ky, është në Gjermani, ky ma nisi foton. Në cep është Kuqi, Arjani, një djal simpatik shumë.

Të gjithë janë artista janë aty?

Po të gjithë artisita. Ai i mesit me këmishë të verdhë, ka qenë bas-bariton në Opera. Kurse nga kjo ana tjetër, jemi piktorë dhe skulptorë. Ai në cep ështw Riza Hoxha, piktor dhe pedagog.

Shumë interesantë kjo foto e vjetër…?

Po vërtet, shumë interesante. Po të na shikosh të gjithëve, jemi të gjithë nën 60 kg. siç i thoshim ne atëhere, “Mathauzen”…apo “Aushvic”.

Po të dobët…!

Por të dobët nga halli, të paushqyer, pa vitamin, pa karboidrate, pa…. si mund të rritet njeriu…?!

Memorie.al