TIRANË

Partia Demokratike po përgatitet për zgjedhje parlamentare. Këtë gjë e ka deklaruar edhe Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha që ka dalë sot para mediave për të deklaruar se së shpejti do të nisë organizmi i zgjedhjeve primare në PD, duke marrë shembull modelin amerikan.

Basha nuk ka preferuar të flasë për takimin me zëvendës ambasadoren amerikane dhe as për deklaratat e kryeministrit Edi Rama bërë dje në Rai Uno.

“Dy ditë jashtëzakonisht të suksesshme me përfaqësues të institutit amerikan republikan. Kam vendosur të sjell standardet e demokracisë Perëndimore. Me modelin që ne do të ofrojmë deputetët e ardhshëm të PD, kandidatët a ardhshëm të PD për deputetë do të zgjidhen nëpërmjet parimit një anëtar, një votë”, tha Basha.

Ai theksoi se qëllimi nuk është vetëm largimi i Ramës por shembja e sistemit. “Ky është modeli që unë ofroj dhe PD e ka në statutin e saj. Shumë shpejt do nisim hapat për të organizuar primaret brenda PD-së. As komentet e njeriut shkaktarit të kësaj krize sot, nuk kam ndërmend t’i bëj pjesë të komunikimit tim. Populli ka folur, Edi Rama bën mirë të dëgjojë zërin e popullit. T’i hapë rrugë drejtësisë”, deklaroi kreu i PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb