Nga Kiço BLUSHI
“Dua të falënderoj ambasadorin amerikan që më mbështeti mua…Unë kam thënë që ne duhet të hyjmë në një fazë të re”…
Kjo deklaratë e kryeministrit Rama, e artikuluar në dëgjesën e Fierit, ka kaluar pa u vlerësuar, pa u analizuar e pa u thelluar, edhe pse frazat e mësipërme shprehin, në mënyrë të sintetizuar, mendësinë e politikëbërjes e të komunikimit me publikun të Ramës dhe, pse jo, edhe të kësaj qeverie në këto katër vjet e tëhu.
Përfundimi i parë, i kapshëm dhe më i drejtpërdrejtë, që vetvetiu del pas lëçitjes së “falënderimit” të sinqertë të kryeministrit është se ambasadori amerikan nuk doli në mbështetje të qeverisë, por personalisht të Ramës në luftën që ky ka vendosur të zhvillojë në mandatin e dytë kundër krimit të organizuar dhe bandave…Tekefundit kjo do të thotë që Rama, dhe sidomos Ministria e Brendshme e Tahirit (që ka qenë më e suksesshmja, më e lëvduara, -sipas kryeministrit -, edhe nga ndërkombëtarët…) në katër vjetët e Rilindjes, kanë dështuar. Elbasani, dhe jo vetëm ky qytet, qenkan nën kontrollin e familjeve e klaneve kriminale dhe jo të qeverisë së Rilindjes.
Me sa duket, këtë realitet kryeministri e njohu falë zbulimit të papritur që i bëri realitetit të zymtë ambasadori amerikan, e kjo, me gjasë, duhet të na e rilindë shpresën ne qytetarëve se Rama, me ndihmesën e LU-së, ka për të kryer mbas sodit një luftë të pashembullt, të vështirë, përfundimtare dhe, pse jo, edhe heroike kundër bandave kriminale dhe “njëzet familjeve mafioze që e kanë qeverisur Shqipërinë”…
Po ku ka qenë kryeministri që flet sikur për katër vjet të ishte në opozitë? Në një vend normal as kryetari i opozitës nuk mund të shprehet politikisht e publikisht me një të tillë gjuhë prej sejmeni kokorroç.
Përfundimi i dytë logjik është se, ashtu si në fushatën zgjedhore, Rama synon të personalizojë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe familjeve mafioze. Ai distancohet përtej tyre. Jo vetëm pse në çdo dalje publike ai përherë flet në vetë të parë (jo me NE, por me UNË!), por, ashtu si ka vepruar edhe në parti, ai i shmang enkas forumet, institucionet, përfshi, në këtë rast, edhe Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, të çilët janë ngarkuar me këtë detyrë nga Kushtetuta për të përvetësuar suksesin, jo dështimin.
Duke i dhënë vetes fuqinë dhe meritën e ndryshimit rrënjësor (kryesisht të fasadave), Rama beson se kësisoj do t’i bishtnojë përgjegjësisë për këtë situatë alarmante në të cilën Shqipëria nuk ka qenë kurrë. Të qenit kryeministër fuqiplotë, nuk e ndihmon dot të përballet me klanet mafioze, si tallet me kazanxhinjtë mediatikë…Në të kundërt ai shpreson se nëpërmjet batutave me “Fb” dhe me TV Ramën jo vetëm që nesër nuk do të fajësohet, por do të memorizohet në histori si burim i vetëm suksesi i “kësaj shoqërie të sëmurë” që i la në trashëgim Berisha dhe Basha.
Por ai nuk e di që vetëm frazat e mësipërme, edhe të mbetura në arkiv, do të mjaftojnë për të vizatuar portretin e tij real si kryeministër. Sepse, në fund të fundit, ato do të provojnë e dëshmojnë impotencën dhe pamundësinë e tij për të ndërtuar një shoqëri normale pa krim dhe pa korrupsion, derisa kërkon “mbështetjen” e ambasadorit amerikan, si një vasal pa dinjitet.
Krerët tanë dehen shpejt me veten, verbohen e shurdhohen kollaj, masturbojnë me fjalën e tyre ndaj lëshojnë deklarata të kësollojta, të papërgjegjshme, të cilat mund t’i shërbejnë momentit “sa për të kaluar lumin”, pa e vrarë mendjen e pa e kuptuar që fjala publike është një armë tejet e rrezikshme, e cila të ndihmon të eliminosh kundërshtarin, por edhe për të kryer vetëvrasje morale, po qe se të kthehet kundër, kur bën kundërsens me ç’ka ke thënë më parë…Krerët tanë prandaj edhe bëhen autokratë, fillimisht paranojakë e në fund qesharakë, se nuk ia dinë fuqinë hakmarrëse fjalës publike, arkivit dhe kujtesës popullore.
Përfundimi i tretë është se kryeministri indirekt pranon që ambasadori amerikan në Shqipëri ka fituar atribute komanduese. Tanimë askush nuk dyshon se fjala e tij është e padiskutueshme si nga qeveria dhe nga opozita. Vini re: kryeministri nuk thotë, si do ta lypte gjuha diplomatike e politike: “ne në këtë luftë me krimin e organizuar kemi mbështetjen e qeverisë amerikane”…, por e personalizon edhe partneritetin me amerikanët, duke iu drejtuar jo pa qëllim ambasadorit personalisht.
Kjo qasje mediatike synon që ne qytetarët e zakontë duhet të bindemi e të besojmë se në Shqipërinë e sotme janë dy njerëz, Rama dhe Lu, që “e mbështesin” njëri-tjetrin dhe që, në duart e në vullnetin e tyre gjendet çelësi i suksesit (ose i dështimit…), i demokracisë, i luftës kundër krimit të organizuar, bandave dhe trafikantëve.
Besoj se, pas këtij arsyetimi, natyrshëm lind pyetja retorike: Po sikur,-Largqoftë!- Lu të mos kishte dalë në mbështetje të Ramës, si do të na vente halli ne shqiptarëve?
E megjithatë nuk duhet të dëshpërohemi, pasi së shpejti nuk do të kemi nevojë të nxjerrim 24 certifikata nga lagjja…
Se do të hyjmë së shpejti në “një fazë të re”…
Dakord, po pse kësaj here kryeministri nuk e përmendi fjalën “rilindje”, po artikuloi frazën “fazë e re”? Mos vallë edhe ai e ka kuptuar se Rilindja u bë për krye shëndoshë, edhe pse “tepsinë” Rama e ka për vete? A thua kryeministri përnjëmend dëshiron të ndajë timonin me ambasadorin amerikan, si e vetmja alibi që mund ta shpëtojë nesër nga ndëshkimi, nëse në fund të vitit nuk do të zhdukë kanabisin, (si ka premtuar), dhe nëse në pranverën e ardhshme nuk do të zhdukë katër klanet e njëzet familjet mafioze?

Baba, e kapa hajdutin! Lëshoje, bir!,- i tha i ati… Unë e lëshoj, po nuk më lëshon mua ai…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: