Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me prodhuesit e bimëve medicinale në vend, ku ka kritikuar kryeministrin Edi Rama dhe qasjen e qeverisë ndaj bujqësisë.
Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se Rama nuk ka interes për prodhimin vendas dhe fermerët, duke akuzuar atë për promovim të kultivimit të kanabisit në vend.
“Si mund t’i premtosh votën një njeriu si Rama? Ai nuk ka përmendur kurrë patate, mollë apo groshë, por vetëm kanabis, kanabis. Çfarë të lidh ty me atë? Një njeri që jeton me nder dhe punën e tij, si fermerët, nuk mund të kenë armik më të egër se ky njeri,” tha Berisha.
Ai shtoi se qeveria ka braktisur sektorin e bujqësisë dhe se fermerët shqiptarë janë lënë pa mbështetje, ndërkohë që tregjet janë të mbushura me importe.