Ish-deputeti demokrat, Gent Strazimiri, i është bashkuar nismës “Edhe unë” të Bujar Kapexhiut për të bllokuar 30 qershorin. Në një mesazh në ‘Facebook”, Strazimiri reagon lidhur me udhëzimin e kryeprokurores Arta Marku drejtuar prokurorëve për të hetuar e ndjekur penalisht të gjithë ata që cenojnë procesin zgjedhor.


Strazimiri shkruan se do të procedohen të gjithë për “krimin” që do të kryejnë në emër të një ligji që nuk ekziston. Ish-deputeti thekson se pranon të jetë pas hekurave vetëm për arsye që bashkojnë qytetarë të lirë që refuzojnë diktatin dhe antiligjin.


Më tej, ai paralajmëron kryeprokuroren Marku se janë shumë më shumë nga ç’ka vende në burgje, madje edhe nga ç’ka pranga.


Mesazhi i Strazimirit:

#EdheUnë… fatlumi!!!
PPP-ja e caktuar mes tymit dhe flakës nga gojët e fëlliqta të dosjeve “339” e “184”, për të shkatërruar hetimet e krimit zgjedhor “184” dhe “339”, ka udhëzuar sot se si do të procedohen të gjithë ata që kërkojnë zbatimin e një LIGJI ende NË FUQI, ende i publikuar në “Fletoren Zyrtare”!

Mes atyre që do të procedohen jam #EdheUnë! Me Bujar Kapexhiun, Fatos Lubonjën, Edmond e Bert Budinën, Agim Xhafkën, Rudi Erebarën, Mark Markun, Serxho Petrelën, Flutura Açkën, Besnik Mustafajn, Taulanta Jupin, Ardian Isufin, Neritan Liçajn, Avni Delvinën etj., etj., etj., do jem #EdheUnë!

Do procedohemi të gjithë për “krimin” që do të kryejmë në emër të “zbatimit të ligjit” ende në FUQI në “Fletoren Zyrtare”, ende të pasfiduar e të pasfidueshëm! “Udhëzimi” përmend “procedurialisht” secilin prej nesh në mënyrë të detajuar, gati-gati me “shenja gishtash”, si “shkelës të mundshëm” të një ligji që s’ekziston, në një datë që s’ekziston, në një situatë që nuk do të ekzistonte nëse LIGJI do ishte ZBATUAR nga QEVERIA, KQZ, GJYKATA dhe …PPP.

Duke “udhëzuar” se si do të burgosem #EdheUnë, PPP-ja në fakt ka pranuar se ka marrë përsipër t’i shkojë mes për mes një situate joligjore, e cila nuk parashikohet në asnjë nen e kod të Republikës! Ndryshe nuk do kishte nevojë për “Udhëzim” …
“Udhëzimi” nuk përmend se si duhen trajtuar ata që komunikojnë me bandat e narko-trafikut për “të vënë në rrjesht” kundërshtarët, apo për “të fluturuar” bashkëpunëtorët!

JO! Për “Udhëzimin”, ata nuk e cënojnë mbarevajtjen e zgjedhjeve, nuk kryejne asnjë krim, aq më pak “zgjedhor” … Për fatin tim të keq, PPP-ja nuk e realizon dot planin e hartuar e të shpërndarë si “udhëzim” ! Them “për fat të keq”, sepse nuk do kisha dashur asgjë më shumë se të jem #EdheUnë pas hekurave të këtij narko-regjimi, së bashku me Fatos Lubonjën, Flutura Açkën, Agim Xhafkën e Edmond Budinën, etj., dhe jo për motive penale, as për motive politike, as për motive ideologjike, tradite familjare apo historie!

JO! Do të isha me ta pas hekurave, thjesht dhe vetëm për arsye që bashkojnë QYTETARË TË LIRË që REFUZOJNË DIKTATIN, anti-ligjin, nga cilado anë që vjen! Do të isha krenarisht dhe lumturisht me ta në emër e në mbrojtje të LIRISË #EdheUnë! “Për fat të keq” JEMI SHUMË MË SHUMË nga ç’ka “Arta” e prokurorë, nga ç’ka vende në burgje, madje edhe nga ç’ka pranga regjimi i “Niçes”!

Megjithatë #EdheUnë jam i kënaqur edhe me kaq! Duket se atë që e nisëm mes keqkuptimesh historike, ideologjike të trullosur nga injoranca jonë e propaganda që na kishin injektuar, po e bitisim sot!

Po bashkohemi në atë që është më rendesishmja e që duhej të na kishte bashkuar këto 30 vjet: NUK E NEGOCIOJMË LIRINË! Tani e dimë ç’është LIRIA, dhe jemi bashkë në mbrojtje të saj, ndasitë e inatet janë zvogëluar deri në përmasa mikroskopike!!!

Nuk ma kishte marrë mendja se do të kisha përjetuar sërish një BASHKIM të tillë, si në dhjetor ’90, si në shkurt ’91, si në mars’92… Nuk ma kishte marrë mendja se do i provoja sërish ato emocione, atë magji, sërish #EdheUnë, fatlumi!
#EdheUnë
#nuk_dorëzohem

Gentii
Gentii

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb