Një avokat vjenez do të japë llogari për vjedhjen e 20 kilogramëve flori, me një vlerë prej rreth 700 000 euro, të cilat ia ka marrë një 70-vjeçareje me të cilën kishte krijuar miqësi falë pasionit të njëjtë që ndanin për operan, sipas akuzës të publikuar sot.

Pasi mësoi për ekzistencën e këtij floriri, që gruaja e ruante në shtëpi, avokati, 42 vjeç, i tregon një krimineli rumun të cilin e kishte mbrojtur në gjykatë. Dy burrat vendosin të gjejnë floririn.

Në vjeshtë, sipas një plani të përpunar në imtësi, avokati fton 70-vjeçaren për darkë dhe më pas e nxit që ajo të kalojë natën në shtëpinë e tij, pasi i ka dhënë paraprakisht foto të apartamentit dhe informacione mbi sistemin e alarmit bashkëpunëtorit të tij.

Në shoqërinë e një ndihmësi, ky i fundit, përfiton nga mungesa e gruas për të hyrë në apartamentin e saj dhe të kërkojë, madje duke hapur edhe vrima nëpër mure, por më kot, floriri nuk gjendet dot.

Avokati arrin të zbulojë ku fshihet floriri dhe ia tregon “mikut” të tij. Ai ndodhej në sirtarin sekret të një komoje.

Avokati fton sërish 70-vjeçaren në shtëpinë e tij. Këtë herë, hajduti që ka vendodhjen e saktë, gjen me lehtësi floririn. Më pas ai zhduket pa e ndarë atë me avokatin…
Në paraburgim prej pesë muajsh, avokati, që ka pranuar faktet, pohon se është detyruar nga bashkëpunëtori i tij rumun, shkruan atsh.

“Megjithatë, ai ka garantuar se do të rimbursojë këtë shumë. Në fakt ai ka në pronësi dy apartamente që janë nxjerrë në shitje”, sipas avokatit të tij mbrojtës, Werner Tomanek i cituar nga agjencia zyrtare austriake APA.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: