Në ‘Opinion’ në News24 me moderatorë gazetaren Ola Bruko është diskutuar lidhur me situatën ekonomike në vend dhe si do e festojnë sot shqiptarët natën e ndërrimit të viteve.
Dorian Teliti, ekspert për Çështjet Ekonomike në PD, tha se shqiptarët e kanë të vështirë ë mbushin tavolinat. Ai tha se realiteti nuk janë propaganda e Qeverisë apo broçkullat për shpërndarje bonusesh.
“Sipërmarrësja vendase po falimenton. Nuk kemi investitorë të huaj, çmimet po rriten, 46 % e shqiptarëve janë në varfëri. Si mundet të festojnë shqiptarët? Sot pashë një çift të moshuarish pensionistë që morën 3 kokra domate, 300 gram djathë dhe një pulë më pak se 1 kg. Kjo është ajo që përjetojnë sot pensionistët shqiptarë, përtej broçkullave dhe përrallave të qeverisë”, tha Teliti.
Por eksperti Fatos Çoçoli tha se sot ekonomia ka rritje, kemi rritje të pagave qoftë në administratë ashtu edhe në sektorin privat. “Sot pensionistët, familjet në nevojë, tetra dhe paraplegjikët kanë marrë atë bonusin e fundvitit. Ka njerëz që janë në varfëri, por janë sporadike, nuk kemi njerëz që vdesin urie. Ky është realiteti. Një pjesë mund të mos e konsumojnë gjelin, i cili mund të kenë mbetur stoqe, por janë dhjeta mijëra shqiptarë që kanë zgjedhur një festë ndryshe, mund të konsumojnë atë gjelin jo në shtëpi, por me shoqërinë e tyre diku tjetër, ku kanë prenotuar. Qytetarët duan një mesazh shprese”, tha Çoçoli.
Por, Teliti tha se shqiptarët kanë nevojë për mbështetje, jo për llafe të mira.
“Shqiptarët morën bonusin e tyre, kanë marrë 150 euro, ky është realiteti”, tha Çoçoli.
(BalkanWeb)