Përsëri Ballkani është kthyer në një fushë shahu midis fuqive të mëdha. Dhe kjo veçanërisht midis Rusisë dhe SHBA-së. Megjithëse kurrë më parë në histori ky rajon nuk ka qënë kaq shumë i dominuar nga një fuqi e vetme Perëndimore.

Sot në rajon çdo vend është antar i NATO-s, me përjashtim të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Ndërsa Kosova megjithëse jo-antare e NATO-s, është vendi më pro-amerikan i rajonit.

Rasti i Kosovës është nga më të veçantët në historinë moderne. Kjo së pari, qëndronte në faktin se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, nën të ashtuquajturën ndërhyrje humanitare, u bë pa lejen e Këshillit të Sigurimit. Po ashtu në të njëjtën drejtim u vazhdua me shpalljen e pavarsisë në vitin 2008. Dukej qartë, se amerikanët nuk do të tërhiqeshin nga këto territore, me apo pa lejen e OKB. Ndërsa rusët tentuan të ndjekin, të njejtën formulë me aneksimet në Osetin e Jugut, Abkazi (Gjeorgji) dhe së fundi në Krime. Dallimi qëndornte se Rusia po rimerrte terrioret dikur të sajat, kurse SHBA-të po futeshin në territore që kurrë si kishte patur nën dominim te saj.

Ajo që ndodhi me Kosovën është as më pak e as më shumë, apostulati “fitoi luftën, por jo paqen”. Çuditërisht, Perëndimi ngadhnjimtarë, i vuri kushte Kosovës se duhet të bëntë dialog me Serbinë, që në këtë rast është një shtet sa humbës dhe paqe-prishës. Një formulë e padëgjuar, kurrë më parë se si një vend që ka humbur një luftë, i jepet e drejta të vendosë kushte një vendi fitues.

Dhe aq më shumë, një vend humbës i cili, kishte kryer një mori krimesh në rajon dhe që Presidenti i saj (Sllobodan Millosheviç) ndodhej në Gjykatën Ndërkombëtare të Hages, për t’u gjykuar për krime ndaj paqes dhe krime lufte.

Më shumë se kurrë, Rusia është aktualisht, fuqia që nuk dëshiron që Serbia të ketë marrëdhënie të normalizuar me Kosovën. Serbia është aleati i fundit, i ngelur i Rusisë në Ballkan. Një njohje e Kosovës nga Serbia, do t’i hapte dyert kësaj të fundit, për t’u integruar në BE dhe pse jo në NATO.

Një problem tjetër, qëndron te fakti se që nga viti 1999, Rusia ka përdorur veton e saj për të ndalur përparimin e Kosovës. Kjo e ka kthyer Rusinë në një fuqi me rëndësi për rajonin. Kosova nuk anëtarësohet dot në OKB, dhe po ashtu edhe në BE. Ndërsa në krahun tjetër, Serbia e ka përdorur mbështetjen Ruse për t’i bërë presion BE, se nëse nuk bën koncesione, do të futet nën ombrellën ruse.

Themelimi i ushtrisë së Kosovës që sigurisht u bë më mbështetjen e SHBA-së, u pasua nga lajmi se Serbia kishte bërë kërkesë Rusisë për të dislokuar trupa ruse, në territoret e veta. Kjo ishte diçka që deri tani NATO dhe SHBA, e kishin shmangur. Një rikthim i trupave ruse në Ballkan.

Kjo kërkesë të kujton dy momente kyçe. Për herë të fundit, trupat ruse kanë qënë në vitet 1990, të dislokuara në Bullgari, ku pas rënies së Bashkimit Sovjetik u detyruan të tërhiqen. Momenti i dytë, është rasti Sirian. Rusia bllokoi për 3 vite, ndërhyrjen e NATO-s nën flamurin e OKB-sw në Siri, deri sa në vitin 2015 vendosi të dërgonte trupat e saj. Dhe tashmë, Rusia nga një anëtare sa për numër e Këshillit të Sigurimit, është një nga vendet më me peshë në zgjidhjen e problemit Sirian. Megithëse Kosova nuk ka aspak diçka të ngjashme, si me Bullgarinë apo aq më pak me Sirinë.

Fuqëzimi i Rusisë, nga Kosova është pra në dy drejtime: direkte dhe indirekte. Direkte, duke mbështetur Serbinë nëpërmjet politikës tashmë të dalë mode të “pan-sllavizmit” dhe indirekt duke përdorur veton mbi Kosovën për t’u përfshirë në politikat e rajonit dhe për të mos lejuar nismat e SHBA-së të realizohen.

*Rigels Lenja, ka mbaruar studimet ne Bachelor dhe Master Shkencore në Histori, tek UT, me Medalje Ari. Ka qënë pjesë e Këndit të Ekselencës në News 24, prej 2 vitesh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb