Përveç pakësimit struktura e popullsisë është plakur dhe moshat e vjetra dominojnë. Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se mosha mesatare e popullsisë arriti 42.5 vite duke u rritur me 7 vite nga vitit 2011, ku ky tregues ishte 35.5 vjet.
Faktorët ndikues të lindjeve, vdekjeve dhe migracionit ndërkombëtar dhe të brendshëm sollën ndryshimin e strukturës së popullsisë, në Censin e 2023. Piramida e popullsisë bazuar në Censin e 2023, vjen e ngushtuar shumë poshtë për shkak të rënies së lindjeve dhe po zgjerohet ne mes dhe lart nga rritja e popullsisë në moshë të vjetër.
Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se një në pesë individë (19,7%) janë 65 vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë (11,3%) në Censin e vitit 2011 dhe 7,5% në Censin e 2001.
Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24,0% nga 30,4% vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve pësoi rritje në 30,4% nga 16,7% në 2011.
Analizuar në nivel qarku, Kukësi dhe Gjirokastra mbajnë pozicione të kundërta në termat e raporteve të varësisë: Kukësi ka raportin e varësisë së të rinjve më të lartë (31,8%) dhe raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve (19,9%).
Ndërsa, Gjirokastra ka raportin e varësisë së të rinjve më të ulët (19,0%) dhe raportin më të lartë të të moshuarve (46,1%). Mosha mesatare e popullsisë është 42,5 vite, nga 35,3 vite që ishte në Censin 2011.
Duke analizuar grup-moshën 50-69 vjeç në piramidën e popullsisë, vërehet një zgjerim që përputhet me një periudhë lindjesh midis mesit të viteve 1950-1970. Shqipëria gjatë kësaj periudhe është karakterizuar nga një rritje e normave të lindshmërisë, njohur si “baby boom”.
Pas viteve ’90, norma të ulëta të lindshmërisë dhe trendi në rënie, kombinuar me emigracionin e popullsisë në moshë riprodhuese solli ngushtimin e bazës së piramidës së popullsisë. Lindshmëria nën nivelin e zëvendësimit prej vitit 2001, rritja e jetëgjatësisë, si dhe migracioni mbeten faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë.
Mungon infrastruktura për të moshuarit
Brezi i sotshëm i pensionisteve jetoi rininë me mungesë kulture dhe njohurish për të siguruar mbrojtje financiare për pleqërinë.
Një shoqëri e bazuar në një traditë të brezave ku fëmijët kujdesen për prindërit në pleqëri po venitet nga nivelet e larta të emigracionit që kanë shkëputur lidhjet fizike ndërmjet prindërve dhe fëmijëve.
Edhe pse në tranzicion solidariteti mes brezave ende funksionon në aspektin financiar, pasi emigrantët shqiptare vazhdojnë të çojnë të ardhura pranë familjeve të tyre. Në vitin 2023 këto prurje ishin më shumë se 930 milionë euro, më shumë se gjyma e faturës së përgjithshme për pagesën e pensioneve nga qeveria shqiptare,
Për shumë të moshuar jeta do të lehtësohej po të funksiononin azilet, të cilat sot mungojnë në raport me nevojat që ka vendi për këto shërbime. Njësia e Kombeve të Bashkuara, për çështjet e punësimit (ILO) evidentoi pak vite më parë se popullsia e Shqipërisë po plaket me shpejtësi dhe 91 mijë persona mbi 65 vjeç kanë nevojë për përkujdesje sociale afatgjatë, ndërkohë që vetëm 1.6% e tyre përfitojnë mbrojtje.
Azilet publike mungojnë, ndërsa iniciativat për hapjen e shtëpive të kujdesit për të moshuarit gjithashtu mungojnë. Mirela një grua shqiptare që shërben në një shtëpi të moshuarish në Milano prej 20 vitesh ka dëshirë të sjellë këtë përvojë në Shqipëri, por tha se e ka vështirë për të gjetur staf që të ketë aftësitë për t’u kujdesuar për të moshuarit. Disa biznese nisen të investonin në qendra të posaçme për të moshuarit, por kërkesa e shpejtë për shtëpi i zhvendosi projektet e tyre.
Numri i pensionistëve do të rritet me shpejtësi në vitet në vijim për shkak të bumit të lindjeve në vitet 1950-1960. Në vitin 2021, një në 7 persona ishte mbi 65 vjeç. Vlerësohet se një në 3.8 persona do të jetë 65 vjeç e lart deri në vitin 2050. Të dhënat demografike tregojnë se, popullsia shqiptare po plaket me shpejtësi.
Ndërmjet viteve 1990 dhe 2022 dukë zënë rreth 16% të totalit të popullsisë më 2021 nga 5.5% më 1990. Në të ardhmen, popullsia mbi moshën 65 vjeç e lart do të rritet në 623 mijë persona dhe pjesa e saj në totalin e popullsisë do të rritet në 26.4% deri në vitin 2050.
Sipas Ministrisë së Shëndetësie në shkallë vendi funksionojnë rreth 39 qendra për të moshuar nga 259 qendra shërbimesh që janë në Shqipëri. 14 qendra ose 36% e tyre ofrojnë shërbime për të moshuar në qarkun e Tiranës, ndërsa 25 të tjerat ofrojnë shërbime përkatësisht në Korçë (6 qendra), Shkodër (5 qendra), Berat (3 qendra), Durrës, Vlorë dhe Elbasan (nga 2 qendra) dhe Lezhë, Dibër, Gjirokastër, Fier e Kukës (nga 1 qendër). Këto qendra nuk janë të mjaftueshme as 2% te të moshuarve në nevojë.
Mungon furnitura dhe logjistika për të moshuarit
Duke qenë se të moshuarit një grup i popullsisë që konsumon pak dhe nuk ka fuqi blerëse në treg ka shumë mungesa në produktet të dedikuara për këtë moshë, duke nisur që nga veshjet, furnitura e përshtatshme që i ndihmon ato në lëvizje etj.
Mirëpo në njësitë e shitjes me pakicë në vend shpesh mundësitë e zgjedhjeve për mosha të vjetra janë të kufizuara për faktin se bizneset e veshjeve, si çdo biznes tjetër ofrojnë produkt nisur nga aftësia blerëse, pohojnë tregtarët e pakicës.
Në vendin tonë aftësia blerëse është e përqendruar në grup-moshën 20-45 vjeç, pasi kjo ka të ardhurat më të larta dhe për rrjedhojë dhe shpenzimi është më i lartë. Sakaq tregu shqiptar i veshjeve nuk ofron shumë mundësi dhe cilësi për moshat mbi 80 vjeç, siç mund të gjenden në tregun europian.
Nevojat për kujdes intensiv për të moshuarit po rriten në Shqipëri, por nga ana tjetër, logjistika që mbështet me furnizime këtë kategori konsumatorësh pothuajse mungon. Në cens 2023, INSTAT numëroi se në Shqipëri jetojnë mbi 87,000 persona mbi 80 vjeç.
Një familje që trajton me shërbim në shtëpi një person në këtë moshë e ka shumë të vështirë të sigurojë pajisje që lehtësojnë rutinën e tij.
Në Shqipëri mungojnë njësitë e shitjes me pakicë për të moshuarit, të cilat në vendet e Europës Perëndimore janë mjaft të përhapura. Farmacitë kanë nisur të fusin furnizime të posaçme, por tregu ofron shumë pak në raport me nevojat që paraqiten.
Kompanitë që ofrojnë pajisje për shtëpi nuk kanë thuajse asnjë produkt të përshtatshëm për moshat e thyera, si krevate të lëvizshme dhe pajisje të tjera që lehtësojnë përditshmërinë e të moshuarve.
Pajisje që mund të manovrohen lehtë me prekjen e një butoni, si hapja e dyerve, dritareve apo krevate dhe dollapë, të nevojshme për moshat e vjetra. Pajisje mjekësore si karriget me rrota, sistemet e shpërndarjes së oksigjenit, pajisjet ndihmëse të lëvizjes etj.
Tualete të përshtatur për të moshuarit, mobilie si ashensor, banjot në këmbë do të kenë shumë shpejt një kërkesë në rritje edhe në vendin tonë.
64 mijë të moshuar jetojnë vetëm
Të dhënat e censit 2023 referuan se në të gjithë vendin, rreth 64 mijë persona mbi 60 vjeç jetonin vetëm. Nga 103 mijë persona të cilët jetonin vetëm, 62,5% e tyre ishin 60 vjeç e lart (64,375 persona).
Nga 103 mijë persona të cilët jetonin vetëm, 62,5% e tyre ishin 60 vjeç e lart (64,375 persona). Gati gjysma e familjeve në vend kanë 2 ose më pak persona. Kjo tregon një zhvendosje të madhe nga struktura tradicionale e familjeve shqiptare me shumë anëtarë ku dominojnë moshat e reja.
Madhësia mesatare e njësive familjare është 3,2 anëtarë në Cens 2023, krahasuar me 3,9 anëtarë për Censin e 2011.
Të dhënat e cens treguan se nga 755,950 njësi familjarë që u numëruan nga cens 49% e tyre janë mbi 60 vjeç./Monitor