TIRANE – Psikologët kanë vërejtur se rikthimi në jetën normale pas relaksit buzë detit është në vetvete shumë më i vështirë se ç’mund të përfytyrohet. Gjithnjë e më shumë, njerëzit që rikthehen në normalitet, pasi kanë kaluar disa ditë të rehatshme relaksi, përballen me një depresion të lehtë, por në raste të veçanta edhe të vështirë për t’u kaluar. Në psikologji, në fakt, ka qenë e njohur simptoma e depresionit gjatë pushimeve, e quajtur ndryshe “Holiday blues”. Ky lloj depresioni kalohet më së shumti te njerëzit që pushimet i konsiderojnë një moment të përshtatshëm për të reflektuar mbi atë që kanë bërë dhe atë që nuk kanë mundur dot të bëjnë. Shumë prej tyre kalojnë në depresion në momentin kur konstatojnë se kanë bërë më shumë gabime dhe kjo kohë e kaluar në vetmi duke shqyrtuar veten u shndërrohet në një kohë të zymtë. Por së fundi është zbuluar se stresi dhe depresioni vazhdojnë me ritme të njëjta, në mos më shumë, edhe pas pushimeve. Njerëzit e kanë vështirë të rifillojnë punën. Nuk duan të dalin jashtë. Nuk gjejnë dot forca për të përmbushur detyrimet profesionale. Nuk preferojnë të takojnë miqtë. Dëshirojnë të mbyllen në shtëpi. Humorin e kanë përtokë, ndërsa në mendje u kalojnë në çdo moment çastet e kaluara gjatë pushimeve.
Mbajeni veten të zënë
Por si gjithmonë në të tilla raste, ka edhe mënyra për ta kaluar çdo depresion.
Së pari, psikologët këshillojnë që njerëzit te të cilët konstatohen këto simptoma, të mos mendojnë se po kalojnë një gjë të çuditshme. Është më se normale kjo gjendje, ndaj duke e konsideruar atë si normale, gjasat për ta kaluar më shpejt janë edhe më të mëdha. “Mbajeni veten të zënë me punë të ndryshme”, këshillojnë psikologët. Duke i hapur vetes punë, do të kesh më pak kohë për të medituar për pushimet apo kohën e kaluar.
Ushtrime fizkulture
Një mënyrë e mirë për të ndihmuar organizmin që të përshtatet me regjimin e ri, janë edhe ushtrimet gjimnastikore, vrapi apo fizkultura në ajër të pastër. “Mos u mbyllni në palestër”, sugjerojnë psikologët. Është më mirë të vraponi jashtë, në ajër të pastër se të ushtroheni në një hapësirë të mbyllur, pra në palestër. Dalëngadalë do ta kuptoni se trupi juaj do të jetë gjithnjë e më shumë në formë. Kjo do t’ju ndihmojë që të përshtateni me ritmet e reja dhe, sigurisht, do t’ua heqë vëmendjen nga kujtimet e paharrueshme buzë detit…
Mos u merrni me fotografitë
Një prej arsyeve që ju mban të lidhur edhe për një kohë të gjatë me kujtimet, janë pa dyshim fotografitë. Shkarkojini ato në kompjuter, por refuzoni që të kaloni kohë duke i parë. Të paktën derisa të ndjeni se jeni futur në ritmin e ri dhe në monotoninë e përditshme. Nëse veproni ndryshe, pra nëse qëndroni orë të tëra duke shikuar fotografitë, kjo nuk do t’ju ndihmojë aspak që ta shkëpusni mendjen nga kujtimet. Përkundrazi, pa e kuptuar as vetë, do të jeni vazhdimisht nën efektet e depresionit.
Flini më pak
Përgjithësisht, njerëzit që rikthehen nga pushimet, dëshirojnë të flenë gjatë. I zë gjumi shumë vonë dhe ditën mezi zgjohen. Psikologët këshillojnë që të mundoheni të flini herët e të zgjoheni gjithashtu herët. Ndonëse kjo mund të jetë e vështirë në fillim, është një mënyrë shumë e mirë për ta ndihmuar organizmin dhe mendjen tuaj që të kthjellohet nga kujtimet dhe të përqendrohet në përditshmërinë normale.
Nuk ka problem se ca gjëra që kishit planifikuar nuk mund t’i bëni dot ashtu siç do donit!
Mos u bëni perfeksionistë. Jo të gjitha planet mund t’ju realizohen dhe jo gjithçka mund të shkojë vaj. Por kjo nuk është aspak arsye që të stresoheni më shumë. Lëreni pas vetes çdo “dështim” të vogël dhe fokusohuni gjithmonë në plane të reja. Ju mund të keni pritshmëri të larta për performancën tuaj, por është normale që të zhgënjeheni pasi keni kaluar një kohë të konsiderueshme pushimesh e pasi jeni papritur me simptomat e depresionit.
Pushimet vijnë sërish, por koha jo…
Dhe së fundi, mos harroni që pushimet do të vijnë sërish. Në dimër, apo verën e ardhshme, do të kaloni sërish momente të bukura dhe të paharrueshme, larg stresit dhe monotonisë së përditshme. Ama, koha që jeni duke jetuar nuk ka për t’u kthyer asnjëherë. Kështu që, jepini forca vetes dhe mos lejoni që të ikë kot asnjë moment. Jeta vazhdon!
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb