TIRANE – Industria e falsifikimit të veshjeve, këpucëve, çantave dhe aksesorëve të tjerë është kthyer në “art”. Aq shumë është sofistikuar sa edhe brenda vetë falsifikatorëve çmimi ndryshon në varësi të cilësisë së produktit të falsifikuar. Por si të mos mashtrohemi si nga shitësit “diskrete” vendas edhe kur jemi jashtë Shqipërisë?


Ka disa sekrete të vogla të cilat renditen më poshtë:
TEGELAT- Në punimet false janë gjithmonë të keqpunuar. Nuk janë të pastër dhe gjithmonë ka fije të dala, të paprera. Tegelat nuk janë të drejtë dhe shpesh janë nyje- nyje.


LOGOT apo STAMPAT– Në prodhimet false janë të pavendosura mirë dhe vende- vende janë të prera. Vendosja e këtyre logove kërkon shumë kohë dhe mjeshtëri, gjë që nuk realizohet në prodhimet false. Shpesh detaje kaq të vogla kalojnë pa u vënë re dhe bëjnë diferencën në njohjen e produktit. Kostoja e vendosjes së tyre në mënyrë perfekte për një linjë të caktuar shkon në mijëra dollarë ndaj dhe falsifikatorët nuk i venë siç duhet. Po në logo mund të ndodhë që emri të mos shënohet korrekt si psh: Pravda ne vend te Prada.


CILESIA E MATERIALIT– Në produktet false është e dobët. Edhe ju mund ta identifikoni që në prekje një material false, i cili është ndryshe në Itali dhe ndryshe në Kinë.

ZINXHIRAT DHE KOPSAT- Ato janë jo cilësore. Kopsat janë më të lehta n.q.s nuk bëhen nga material i vërtetë, por janë plastikë e veshur me metal. Ndërsa zinxhirët mund t’i kenë dhëmbët të shtrembër apo prishen shpejt.

AMBALAZHIMI- Ky është një tjetër detaj që bën diferencë të madhe. Në këpucë dhe në çanta ambalazhimi, ndër të tjera, ka edhe kartën e identitetit të produktit. Ka disa falsifikues që imitojnë edhe kartat e identitetit. Por ju mund të tregoheni të zgjuar duke prekur produktin, përmes prekjes me kujdes të materialit mund të kuptoni shumë.

Kujdes, sidomos kur bëni blerje jashtë Shqipërisë. Është shumë e lehtë të mashtroheni nga falsifikatorët.(java)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: