Avokati Alban Duraj, i ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, ka dhënë një paralajmërim të rëndësishëm për qytetarët që kryejnë blerje online, veçanërisht në rrjetet sociale.
Sipas tij, shumë qytetarë bien pre e mashtrimeve, pasi disa kompani fantazmë krijojnë faqe tërheqëse me promovime të shkëlqyera, por më pas ose dërgojnë produkte me cilësi të ulët, ose nuk i dërgojnë fare.
“Qytetarët duhet të kërkojnë një faturë fiskale për blerjet që kryejnë në faqe të ndryshme në rrjetet sociale. Përgjegjësia e subjekteve tregtare fillon nga pasja e një NIPT-i për ofrimin e produkteve apo shërbimeve të caktuara”, – theksoi Duraj.
Avokati bëri thirrje që konsumatorët të jenë më të kujdesshëm dhe të kërkojnë faturën e lëshuar nga subjekti që shet produktin, pasi kjo është një garanci për të mbrojtur të drejtat e tyre në rast mashtrimi.
Mashtrimet me blerjet online janë një problematikë në rritje në Shqipëri, ndaj ekspertët këshillojnë qytetarët të verifikojnë besueshmërinë e dyqaneve online dhe të shmangin faqet që nuk ofrojnë informacion të qartë mbi biznesin dhe NIPT-in e tyre.
(BalkanWeb)