Hakerët nga Koreja e Veriut vazhdojnë t’u shmangen me sukses masave mbrojtëse të sistemeve kompjuterike në mbarë globin duke arritur të depërtojnë brenda tyre. Por si ka arritur ky shtet i izoluar të bëhej kaq i aftë për të çarë sistemet dhe çfarë roli kanë monedhat dixhitale në financimin e regjimit? Korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Miller njofton nga Seuli.

Opeativët kibernetikë të Koresë së Veriut, si Grupi Lazarus, janë të lidhur me infiltrimet në sistemet kompjuterike si hakerimi në vitin 2014 i studios “Sony Pictures” para daljes së filmit “The Interview” dhe përpjekja e vitit 2016 për të vjedhur rreth 1 miliard dollarë nga banka qendrore e Bangladeshit, duke përdorur rrjetin bankar botëror SWIFT.

Por si u bë Pheniani kaq i aftë për hakerim edhe pse nuk ka burime parash dhe duke qënë nën sanksione të rrepta ndërkombëtare?

Profesori i Universitetit të Koresë Seungjoo Kim thotë se përgjigja, pjesërisht, është se hakerët koreanoverior veprojnë në Kinë dhe Evropë ku qasja në internet është e lehtë.

“Koreja e Veriut praktikon zanatin në kushte reale, si hakerimin e monedhave dixhitale apo vjedhjen e të dhënave. Përsëritja e këtyre ushtrimeve i ndihmon në përmirësimin e aftësive.”

Sipas grupit disident Solidariteti i Intelektualëve të Koresë së Veriut, 6 mijë deri 7 mijë e 500 sulmues koreanoverior kibernetik janë të ndarë në katër njësi për të kryer terrorizëm kibernetik kundër infrastrukturës shtetëtore, shërbimeve financiare dhe marrjen peng të teknologjisë mbrojtëse. Heung Kwan Kim drejton këtë grupim disident.

“Koreja e Veriut u frymëzua nga njësitë kineze të luftës kibernetike dhe mësuan nga ata. Duke kuptur forcën e tyre, Pheniani krijoi njësinë e parë brenda qeverisë qendrore në vitin 1993.”

Ndërsa sanskionet ndërkombëtare dëmtojnë të ardhurat e Phenianit, zoti Kim thotë se ai vend i drejtoi sulmet kibernetike mbi sistemet private në vend të rrjeteve qeveritare, sepse subjektet e vogla nuk kishin mbrojte aq të mirë.

“Koreja e Veriut ka aftësi të lartë përballë masave të ulëta të sigurisë.”

Kjo ka çuar në pretendime se Pheniani po hakeron rrjete të shkëmbimit të monedhave dixhitale për të vjedhur paratë virtuale, si Bitcoin. Seungjoo Kim me Universitetin e Koresë thotë se është e vështirë gjurmimi i monedhave dixhitale tek pronari origjinal prandaj ato vihen në shënjestër.

“Për të fituar monedhat dixhitale në rrugë të ligjshme kërkohen kompjutera të fuqishëm. Pheniani nuk zotëron të tillë, ndaj ata sulmojnë kompjuterat jashtë vendit dhe hakerojnë programet ndërlidhëse.”

Kompjuterat e hakeruar pastaj dërgojnë monedhat virtuale të zbuluara në llogaritë e Koresë së Veriut e cila i konverton në para kesh.

Zoti Kim sugjeron uljen e tensioneve në botën virtuale të ngjashme me çtensionimin që po ndodh në gadishull. Por kjo mund të jetë e vështirë pasi do të kërkonte që Koreja e Veriut të pranojë se ka kryer akte të luftës kibernetike./VOA.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb