Prishja e një kontrate qiraje ka qenë shkaku që 2 biznesmenë të hyjnë në konflikt me njëri-tjeterin për më shumë se një vit. Biznesmeni i përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale Artur Xheka me anë të një kontrate 5 vjeçare në shtator të 2017 mori nga biznesmeni Ndriçim Arapaj një ambient me qira, ku zhvilloi aktivitetin e tij.

Por kjo kontratë u prish në gusht të 2018-ës duke futur kështu në konflikt biznesmenët. I kontaktuar nga News 24 Artur Xheka tha se, konflikti me Ndriçim Arapin ka nisur pasi ky i fundit i kërkon të restaurojë e të kthejë në gjendjen e mëparshme ambjentet që kishte marrë me qira.

Ndërsa në një prononcim më herët për “Panorama”, Ndriçim Arapi u shpreh se nuk ka asnjë vërtetësi në akuzat e bëra nga Xheka, duke sqaruar se ky i fundit i është debitor për 6 muaj qiraje të papaguara, ndërsa ka punuar prej një viti e gjysmë në bizneset në pronësi të tij.

Biznesmeni544

Ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha i cili në një video të publikuar në rrjetin social Facebook ka bërë publik këtë konflikt ku shfaqet biznesmeni Artur Xheka duke u dhunuar në makinën e tij. Sipas Berishës, në qendër të Shijakut biznesmeni është dhunuar nga një ‘i fortë’, i cili e ka gjobitur pesë herë atë por policia e ka lënë të lirë. Nga ana tjetër Artur Xheka ka treguar se dhunën e ushtruar ndaj tij, qoftë fizike ashtu edhe verbale e ka denoncuar në komisariatin e Shijakut 5 herë, që prej korrikut të vitit 2018 e deri më tani. Për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tij ai pretendon se ka qenë i shtruar në spitalin e Durrësit dhe ka marrë mjekim. Por nga ana e policisë nuk është marrë asnjë masë ndaj dhunuesit të tij biznesmenit Ndriçim Arapi. Në komunikimin që ai ka pasur me uniformat blu, Arapi ndiqet në gjendje të lirë derisa të dalin rezultatet e raportit mjeko-ligjor i cili do të përcaktojë nëse dhuna ndaj tij është plagosje e rëndë, e lehtë apo rrahje. Ndërsa zyrtarisht Policia e Shtetit nuk jep asnjë informacion në lidhje me këtë konflikt.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb