Emisioni investigativ Vetting në News24 ka trajtuar sërish skandalin me rindërtimin, ky qytetarët, banesat e të cilëve janë shembur apo shpallur të pabanueshme nga tërmeti i 5 viteve më parë, ai i 26 nëntorit 2019, janë braktisur nga Bashkia e Durrësit dhe firmat që kanë fituar tenderat.

Sipas banorëve të pallatit 12 katësh që ndodhet përballë stacionit të trenit në Durrës në qendër të kompleksit “Jeda”, Bashkia Durrës iu ka ndërprerë atyre dhënien e qirasë që në Mars të vitit 2022 e deri më sot. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore që këta banorë shpejtuan të riktheheshin në apartamentet e tyre të papërfunduar dhe të pakolauduara. Bashkia zgjodhi të mos reagonte, duke e shitur si arritje të saj kthimin e banorëve në shtëpitë e tyre. Ndërkohë që kolaudimi i pallatit akoma nuk është kryer edhe pse banorët aktualisht janë në këtë pallat. Admistratorja e këtij pallati Jonida Cece shprehet se mos-mbështetja e Bashkisë i ka detyruar të kthehen në pallatin e papërfunduar, ndërkohë që ndërtuesit që kanë fituar tenderin e kanë lënë vijimin e punimeve.

“Nga marsi i 2022 nuk është dhënë bonusi i qirasë, në kushte të tilla jemi detyruar të kthehemi në një pallat të papërfunduar, të pakolauduar dhe në kushte të pajetueshme”, shprehet ajo.

Madje, Jonida thotë se banorët janë në borxh me pronarët e shtëpive ku kanë qenë me qira, pavarësisht se qeveria tha se qytetarët e mbetur të pastrehë si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019 do të mbështeten nga qeveria me bonus qiraje derisa të marrin banesat e reja.

“Një pjesë e mirë e banorëve duke qenë se jam edhe administratore e këtij pallati, kanë mbetur debitorë, nëpër apartamentet që kishin marrë me qira. Kanë lënë qiranë pa paguar me shpresën që kur të ktheheshin tek pallati, do merrnin një farë dëmshpërblimi nga shteti”, shprehet ajo.

“Vetting” ka mësuar se përveç banorëve të këtij pallati, janë rreth 2500 familje që nuk marrin bonus qiraje që nga muaji mars 2022 pavarësisht se akti normativ ua garanton atyre deri në momentin që do të hynin në banesat e reja.

“Ne do të vazhdojmë mbështetjen për familjet që mbetën të pastreha si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019. Me aktin normativ të kaluar ne miratuam aktin që mbështeste këto familje, por ne kishim vendosur një afat që subvencionimi i qirasë do të bëhej për një vit. Por ky afat ka kaluar, dhe është i domosdoshëm ky akt. Ne vendosëm të propozojmë shtyrjen e afatit, pa vendosur një afat të ri kohor, por kemi thënë deri sa këto familje të strehohen dhe nuk ka nevojë për ta ndryshuar më këtë akt normativ”, u shpreh pas miratimit të aktit normativ drejtoresha e buxhetit në Ministrinë e Financave Mimoza Dhëmbi.

Aktualisht, nga zonat e prekura nga tërmeti, janë 13 600 familje që trajtohen me bonusin e qirasë. Por, askush nuk përgjigjet se, përse këto familje në Durrës nuk e marrin këtë përfitim që shteti, të paktën në letër, ua ka dhënë.

“Vetting” iu drejtua Bashkisë Durrës lidhur me këtë çështje, por deri në trasmetimin e këtij emisoni nuk kishte përgjigje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb