Gazetarja Dorjana Bezat ka zbardhur detaje të reja nga ekzekutimi mafioz i ish-policit 26-vjeçar, Santiago Malko, në rrugën “Xhanfize Keko”, në Tiranë. Gazetarja Bezat tha për “News 24” dhe “Balkanweb” se policia ka përjashtuar nga pistat e hetimit konfliktin e ish-policit me vëllezërit Gentian e Edmond Lashi, në vitin 2016, pasi anëtarët e të dy familjeve i kishin dhënë besën njëri-tjetrit se do ta mbyllnin këtë ngjarje.

Për këtë arsye, pistat kryesore të hetimit janë përqendruar në fushën e biznesit të lojërave të fatit të viktimës, si dhe në faktin se ai ka qenë një ndër protagonistët e ngjarjes së 4 tetorit të vitit të kaluar në zonën e ish-Bllokut, ku u vra një person.

Santiago Malko ishte përjashtuar nga Policia e Shtetit në vitin 2014, për shkak të një problemi me lojërat e fatit. Ai kishte një biznes me lojëra fati, me të cilin kishte thyer ligjin. Deri në momentin e përjashtimit nga policia, ai ishte një person pa probleme me drejtësinë.

Por, pas përjashtimit, i riu ka nisur problemet me ligjin, me konfliktin në lokal me vëllezërit Lashi, ku pati tentativë edhe për përdorimin e armëve. Por ky konflikt ishte mbyllur me mirëkuptimin e të dyja familjeve, ndaj dhe është përjashtuar të jetë një ndër arsyet e vrasjes së 26-vjeçarit.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb