Thellohen përmasat e skandalit të Kavajës. Institucionet shtetërore fshehën abuzimin seksual e një të miture nga një grup djemsh përgjatë katër muajve.
‘BalkanWeb’ disponon të plotë vendimin e gjykatës së Durrësit, nga ku do të veçojë vetëm shkeljet e kryera nga institucionet, që e bëjnë edhe më të rëndë situatën, për shkak se nuk morën asnjë masë për mbrojtjen e të miturës. Në dokumentin zyrtar thuhet se shkolla ra në dijeni të skandalit, e megjithatë mësuesja kujdestare, drejtoresha e institucionit dhe psikologia, u mjafuan vetëm me informimin e nënës së vajzës dhe takimin me të, por nuk bënë denoncim në polici, sikurse kanë detyrimin ligjor.
Në vendim thuhet se mësuesja kujdestare u vu në dijeni të skandalit nga pastruesja e shkollës, pasi kjo e fundit kishte gjetur një mesazh në telefonin e të birit, të cilit njëri nga shokët e shkollës, i kërkonte që t’i gjente një vend që të kryente marrëdhënie me të miturën. Pastruesja mësoi se vajza shantazhohej me një video intime. Me t’u informuar, mësuesja e thirri nxënësen e mitur, duke i kërkuar t’i fliste për marrëdhënien me një nga djemtë e klasës. Në bisedë, vajza i ka rrëfyer asaj se ishte abuzuar seksualisht nga disa prej djemve të shkollës, të cilët e kërcënonin me publikimin e pamjeve filmike, në të cilat shfaqej duke kryer marrëdhënie me të dashurin e saj. Në këto kushte, mësuesja thirri nënën e vajzës dhe në prani të drejtoreshës e psikologes së shkollës, i ka treguar gjithcka kishte ndodhur. Institucioni u mjaftua me kaq. Heshti për ngjarjen, pasi nuk e denoncoi krimin tronditës në polici.
Faktet në vijim, janë edhe më shokuese, për faktin se dy ditë më vonë, vajzën e telefonojnë nga shkolla dhe ajo bashkë me nënën shkon në institucion, ku takojnë mësuesen, psikologen, drejtoreshën e shkollës dhe drejtoreshën e arsimit. Vajza iu rrëfen atyre për të dytën herë tmerrin që kishte përjetuar dhe se kishte tentuar të kryente edhe vetëvrasje.
Zëri i të miturës ra në vesh të shurdhët, pasi edhe pse vetë drejtoresha e arsimit, ra në dijeni të abuzimit të fëmijës, në shkelje të ligjit e kaloi ngjarjen në heshtje, duke mos informuar policinë për ngjarjen. Ngjarja e cila zhvillohej prej 5 muajsh dhe për të cilën fliste gjithë qyteti, çuditërisht nuk ishte dëgjuar vetëm nga specialistët e policisë në zonë.
Më 29 janar, kur babai i vajzës, u kthye nga Italia vendosi të bënte denoncimin, mbi bazën e të cilit djemtë abuzues u arrestuan. Një tjetër fakt tronditës që bie në sy në dosjen hetimore, është mendimi kriminal i djemve të akuzuar.
Në dosje thuhet se djemtë po thurnin plane për ta shfrytëzuar vajzën dhe me lekët që do të fitonte ajo, i dashuri i saj do të blinte pajisje lojërash në internet. Ajo e ka pyetur djalin, nëse po ndodhte një gjë e tillë dhe ai i është përgjigjur se “sapo të blinin pajisjet do ta mbyllnin si muhabet”.
Në gjithë këtë histori tronditëse, të bën përshtypje fakti se vetëm njëri nga djemtë, shoku i bankës së vajzës, jo vetëm nuk ka abuzuar me të miturën, por i ka kërkuar asaj të fliste me prindërit e të denonconte krimin.
Aktualisht për abuzimin seksual të nxënëses së shkollës Rilindja në Kavajë, ndodhen nën arrest shtatë të mitur, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
(BalkanWeb)