Në qershor të vitit 2020 ish-ministrat Blendi Klosi e Sandër Lleshaj zgjodhën pikërisht “Prestige Resort” për të diskutuar me krerët e bashkive të vendit, mbi masat për sezonin turistik të atij viti.
Një nga pikat kryesore për të cilën pati edhe debat të ashpër në takim, ishte edhe aksioni i ndërmarrë nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit për prishjen e objekteve pa lejë përgjatë vijës bregdetare.
Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u përplasën ashpër për këtë temë.
Ndreu e cilësoi vendimin si abuziv, pasi sipas tij po veprohet duke zbehur kompetencat e autoriteteve vendore.
Por ajo që të bën përshtypje është fakti se për të debatuar mbi temën e ndërtimeve pa leje, 2 ministra të qeverisë “Rama” zgjodhën ambientet e bukura të “Prestige Resort”, pikërisht atë të cilin sot e akuzojnë për ndërtime pa leje dhe po e shkatërrojnë me fadromat e IKMT.
Ministri i kohës, Blendi Klosi, në këtë takim me kryebashkiakët e prefektët iu dha atyre detyra për mbarëvajtjen e një sezoni të veçantë turistik, duke marrë shembull “Prestige Resort” për shërbimin cilësor e me standarde.